Dy endacakë dhe një roje u gjetën të vdekur gjatë ditëve të fundit në Shqipëri si pasojë e ngricave që kanë përfshirë kontinentin ndërkohë që ngrirja e tubave të ujit mbetet shqetësimi kryesor për Ultësirën Perëndimore.
Moti me temperatura të ulëta dhe të pazakonta shkaktoi vdekjen e së paku tri personave në Shqipëri ndërkohë që jeta publike është e ngrirë me shkolla të mbyllura dhe me një pjesë të konsiderueshme të administratës publike në pushime të gjata.
Në Durrës dhe Sarandë dy të pastrehë u gjetën të vdekur ndërsa në Lushnjë, një roje pallati në ndërtim u gjend i pastrehë në vendin e punës.
Disa zona të thella malore kanë mbetur pa energji elektrike ndërsa Emergjencat Civile po luftojnë për të mbajtur të hapura për qarkullim akset rrugore kombëtare.
Në Durrës, një i pastrehë 38 vjeçar u gjend i vdekur. Policia bëri të ditur se specialistët e saj patën kërkuar për të me qëllim që ta sistemonin në ambientet e policisë por nuk e kishin gjetur dot.
Autoritetet janë angazhuar për të gjetur strehim të përkohshëm për njerëzit që jetojnë në kushtet e rrugës ndërsa Bashkia e Tiranës thotë se ka arritur të strehojë rreth 150 vetë.
I ftohti siberian ka mbërthyer aktualisht të gjithë Europën duke shkaktuar dhjetëra të vdekur si dhe bllokim të transportit ajror, rrugor, lumor apo detar në shumë vende.
Polonia rezulton vendi më i goditur ku temperaturat e ulëta kanë mbërritur deri në minus 20 gradë. Në Turqi, aeroporti kryesor i Stambollit ka reduktuar në minimum shërbimet duke shkaktuar anulimin e dy të tretave të udhëtimeve.
Në Serbi, transporti lumor mbi lumenjtë Sava dhe Danub është pezulluar përkohësisht si pasojë e ngricave.
Në Itali dëbora ka mbërritur deri në brigjet e Pulias ndërsa shkollat në shumë zona janë mbyllur.
Jetët e shumë emigrantëve të bllokuar përgjatë të ashtuquajturit Korridori Ballkanik, nga Greqia deri në Serbi, janë aktualisht në rrezik. Në ishujt grekë, ku gjenden shumë kampe refugjatësh, një pjesë jetojnë në çadra pa ngrohje e pa ujë të ngrohtë.
Në Bullgari, qeveria shpalli Kodin e Verdhë të emergjencës kombëtare për shkak të temperaturave të ulëta.
Trageti që lidh Bullgarinë me Rumaninë përmes lumit Danub nuk punoi për shkak se një pjesë e lumit ka ngrirë. Në Kosovë autoritetet njoftuan mbylljen e shkollave deri në 16 janar. Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në komunën e tij. Në aeroportin e Prishtinës disa fluturime u anuluan ose u devijuan për në aeroporte të tjera.
Në Serbi, shkollat janë mbyllur deri në datë 11 janar.
Ndërkohë në Moskë, autoritetet vendosën rihapjen e shkollave pasi temperaturat u rritën nga minus 27 në minus 20 gradë.
Në Shqipëri, qytetet kryesore të vendit si Tirana, Durrësi e Vlora po vuajnë nga mungesa e ujit të rrjedhshëm si pasojë e ngrirjes së rezervuarëve dhe pompave, të cilat qytetarët i kanë ndërtuar përgjatë viteve nëpër taracat e pallateve për shkak se rrjetet e ujësjellësve nuk janë në gjendje të furnizojnë ujë me presion të rregullt dhe të vazhdueshëm.
Nëpër rrugët e Tiranës u shfaqën tuba të çarë dhe rrjedhje uji në rrugë ndërsa Ujësjellësi i Tiranës njoftoi se është duke punuar për zëvendësimin e matësve të dëmtuar nga i ftohti.
Shkollat janë mbyllur që nga Krishtlindjet, dhjetorin e kaluar dhe data për hapjen e tyre është shtyrë dy herë. Pritet që qeveria të urdhërojë rihapjen e shkollave javën e ardhëshme.
Nata e sotme pritet të sjellë në Shqipëri edhe disa orë të tjera të ftohta para se moti të fillojë të përmirësohet të mërkurën. Temperaturat normale pritet të kthehen të premten bashkë me rreshjet e shiut në zonat e ulëta dhe reshjet e dëborës në zonat malore.
Por ndërkohë, temperaturat gjatë natës së hënës pritet të zbresin në deri 14 gradë celcius në disa zona të Shqipërisë.