Lajm4 Jul 2019

Mungesa e dokumentacionit për një hua vështirëson pozitën e prokurorit Agolli

Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës, Alfred Agolli zotëron vetëm një apartament, por mungesa e dokumentimit të një huaje për blerjen e tij e përballi atë me pikëpyetje në KPK. Agollit i kaloi barra e provës edhe mbi profesionalizmin. Ai kundërshtoi gjetjet e KPK-së dhe kërkoi të konfirmohej.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Prokurori Alfred Agolli para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: Vladimir Karaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të enjten seancën dëgjimore me drejtuesin e Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës, Alfred Agolli. KPK i vuri në dukje Agollit problemet e gjetura sa i përket pasurisë së tij të vetme; një apartament 68.5 metra i blerë në vitin 2007 në Gjirokastër. Sipas KPK-së për këtë pasuri ishin përdorur dy hua. Huaja e parë prej 3 milionë lekësh nuk ishte deklaruar dhe nuk kishte për të informacion provues.

Atij po ashtu iu bë me dije se i ishin gjetur një sërë problemesh sa i përket profesionalizmit, përfshi referim të gabuar ligjor dhe mosnjoftim të palëve për vendimet e mosfillimit të hetimeve.

Agolli i kundërshtoi gjetjet e KPK-së sa i përket pasurisë. Ai dha shpjegime të detajuara sa i përket mënyrës se si ishin kryer transaksionet, por pranoi se nuk kishte deklaruar dhe se nuk kishte dokumentacion provues për huanë e parë.

Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut për Agollin përbëhet nga Etleda Çiftja kryesuese, Roland Ilia relator dhe Olsi Komici anëtar.

Alfred Agolli e ka nisur karrierën në sistemin shqiptar të drejtësisë në vitin 1998 dhe ka ushtruar funksionin fillimisht në prokuroritë e Gjirokastrës. Në vitin 2008, Agolli është emëruar drejtues i Prokurorisë së Sarandës ndërsa në vitin 2013 është promovuar drejtues i Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës.

Problemet me dokumentimeve e huave

Relatori i çështjes, Roland Ilia vuri në dukje shkurt se Agolli nuk kishte dokumentacion dhe nuk kishte deklaruar një hua për blerjen e një apartamenti 68.5 metra në Gjirokastër në vitin 2007.

Relatori vuri në dukje se gjatë hetimit Agolli kishte qenë kontradiktor në përgjigjet që kishte dhënë, ndërsa sipas tij KPK gjeti që për pasurinë në fjalë ishte marrë një hua 3 milionë lekë, e cila pretendohej se ishte shlyer përmes kredisë.

Ai tha se Agolli nuk kishte dokumentacion provues për marrjen e huasë dhe as dokumentacion provues për shlyerjen e saj, po ashtu sipas tij nuk kishte dokumentacion për të provuar se personi që kishte dhënë huanë kishte pasur të ardhura për ta dhënë atë.

Ilia theksoi ndër të tjera se pasuria ishte rregjistruar në pak ditë në ZVRPP dhe se pas kësaj në emër të Agollit ishte lëvruar një kredi për shtëpi, por që ishte përdorur për të shlyer huanë e marrë. Kjo marrëdhënie sipas KPK-së nuk ishte e dokumentuar.

Agolli pranoi mungesën e dokumentacionit. Ai shpjegoi se ngjarjet kishin rrjedhur në mënyrë të tillë që ai nuk e kishte parë atëherë të nevojshme dokumentimin përmes akteve noteriale. Sipas tij, ai kishte bërë një marrëveshje me një person për të blerë një shtëpi për 3 milionë lekë, por paratë do të paguheshin pasi të merrej kredia.

Agolli shpjegoi se personi në fjalë kishte ndryshuar qëndrim para noterit dhe kishte kërkuar të kishte paratë cash në dorë, për të firmosur kontratën. Prokurori tha se kishte kërkuar pas kësaj ndihmën e drejtueses së bankës prej nga po merrte kredinë, pasi nuk donte të hiqte dorë nga shtëpia. Kjo e fundit i kishte sugjeruar të merrte një hua që mund ta kthente me disbursimin e kredisë.

Huaja ishte marrë nga bashkëshorti i drejtoreshës së degës së bankës në Gjirokastër. Menjëherë pas kësaj ishte nënshkruar marrëveshja dhe pak ditë më vonë ishte lëvruar kredia dhe ishte kthyer huaja. Por Agolli pranoi se nuk kishte dokumente për këtë çështje dhe se për këtë kishte marrë deklarime noteriale nga personat e përfshirë që e dinin mirë situatën.

Ai tha se me këta persona për vite me radhë nuk e kishte lidhur asgjë, por i kishte kërkuar dhe gjetur pas shumë kohësh dhe kishte marrë prej tyre deklarimet që ia kishte sjellë Komisionit.

Ai po ashtu vuri në dukje se kishte sjellë dokumentacion për të provuar se personi që kishte marrë huanë kishte burime financiare për të dhënë atë shumë. Agolli këmbënguli se çdo pasuri e tij mbulohej nga të ardhurat prej pagës së bashkëshortes dhe atij vetë.

Për një hua 1 milion lekë për të shlyer kredinë në fjalë, Agolli vuri në dukje se shuma ishte tërhequr nga kunati i tij në bankë dhe marrja e saj ishte bërë me akt noterial. Ai shpjegoi se veprimet ishin kryer cash për lehtësi, por kishte po ashtu një akt noterial që shpjegonte kthimin e shumës. Ai shpjegoi se kjo hua ishte marrë për të shlyer kredinë, që sipas tij kishte qenë me interesa mjaft të rënda.

Raportit të relatorit mbi një makinë në emër të vjehrrës, e cila nuk kishte leje drejtimi, siguracionet për të cilën ishin paguara nga bashkëshortja e tij, duke krijuar dyshime se ishte në pronësi të tij, Agolli iu përgjigj duke shpjeguar se bëhej fjalë për një shumë të vogël.

“Nuk kisha arsye për të fshehur një makinë me vlerë 500 euro”, tha ai para trupit gjykues, ndërsa shpjegoi se makina në fjalë nuk ishte përdorur nga bashkëshortja e tij.

Raporti për profesionalizmin

Relatori Ilia vuri në dukje se kishte pasur dy raporte nga Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar (DSIK). Raporti i parë ishte pozitiv, por në të dytin të lëshuar në pranverë të këtij viti ndaj prokurorit ishte lëshuar një raport negativ që e cilësonte si “të papërshtatshëm”.

Ilia megjithatë vuri në dukje se nga hetimet e KPK-së, ky raport i dytë ishte gjetur i pambështetur në prova.

Përndryshe Ilia theksoi se nga dosjet që Agolli kishte hetuar ishin gjetur një sërë problemesh. Sipas tij kishte gabime në referim të neneve të Kodit Penal, ishte vendosur mosfillim i një çështje pa kryer hetimet, ishte vendosur mosfillim dhe nuk ishte njoftuar pala denoncuese në dy raste.

Agolli foli rreth raportit të DSIK, duke theksuar se kurrë nuk kishte pasur ndikim të paligjshëm.  Ai nga ana tjetër pranoi disa nga problemet në kriterin profesional. Ai tha se pranonte gabimet gramatikore në konkluzionet që kishte bërë apo edhe referimin gabim të ligjit edhe pse tha se këto ishin lapsuse për shkak të ngarkesës.

“Këto janë seanca gjyqësore të regjistruara, ju mund të dëgjoni qëndrimet e mia aty për të parë referimin e saktë,” tha prokurori. Sipas tij, lapsuset i përkisnin një periudhe me ngarkesë të madhe, kur ai kishte qenë prokuror i vetëm dhe njëkohësisht drejtues prokurorie dhe kishte ndjekur 500-600 çështje në vit.

Ai dha shpjegime po ashtu për një vendim mosfillimi për një çështje me akuza për korrupsion ndaj një gjyqtari, por shpjegoi se një vendim i ngjashëm ishte marrë në herët nga një njësi task-force e prokurorisë për këtë dosje. Sipas tij, vendimi i mosfillimit ishte marrë pasi çështja ishte hetuar më parë dhe koha kur denoncimi i kishte ardhur atij, dy muaj pas kryerjes së kallëzimit, nuk kishte më mundësi reale të hetimit.

Agolli tha se në të gjitha dosjet për vendim mosfillimi ishte shënuar detyrimi për njoftim të palëve, por vuri në dukje se ky mund të ishte edhe problem i sekretarisë. Për një çështje tjetër për të cilën u pyet, Agolli tha se e kishte marrë dosjen në një situatë mjaft të vështirë.

“Çdo gjë ishte manipuluar në dosje,” tha ai duke ia lënë fajin prokurorit që kishte pasur hetimin para tij. Agolli tha se ai prokuror ishte shkarkuar edhe për shkak të kësaj dosje, ndërsa shpjegoi se në këtë hetim i pandehuri për shkak të raportit jo korrekt të mjekësisë ligjore kishte rezultuar i dëmtuar.

Agolli tha se kishte bërë “të pamundurën për t’i dhënë dosjes një rrugëzgjidhje ligjore” duke dalë më pas me akuzën e “kapërcim të kushteve të vetëmbrojtjes”. Ai tha se kjo ishte bërë për shkak se ai kishte qenë i bindur se personat e tjerë (të dëmtuarit) nuk ishin në gjendje të ushtronin dhunë, por dosja kishte qenë e manipuluar para se ai ta merrte në dorëzim.

Ai po ashtu dha shpjegime të detajuara mbi caktimin e një mase sigurie, për një person të dënuar më pas për “mbajtje dhe shitje lëndësh narkotike”. Në fund ai kërkoi konfirmim në detyrë. Vendimi për Agollin do të jepet më 8 korrik ora 14.00.