Reportazh10 May 2020

Mungesa e turistëve dhe mbyllja e tregjeve frenon aktivitetin e artizanëve në Berat

Masat shtrënguese të ndërmarra nga qeveria për parandalimin e COVID-19 kanë bllokuar punën e mbi 120 artizanëve në Berat, të cilët prodhojnë po nuk mund të shesin.

Autor: Erjola Azizolli BIRN Berat
Printo

Foto arkivë nga qyteti i Beratit në vitin 2017.

Kela Oço, prodhon qirinj me parafinë në shtëpi, një zanat që e ka trashëguar prej gjyshit. Por prej 3 muajsh për shkak të mungesës së vizitorëve në qytetin muzeal të Beratit, Oço nuk ka shitur as edhe një copë.

Prej javësh 62-vjeçari ndjek me fanatizëm lajmet për epideminë e COVID-19, ndërsa  ngushëllohet me faktin që ditët po ngrohen dhe numri i të sëmurëve po ulet.

“Gjithë parafinën që kisha në shtëpi rezervë, por dhe materiale të tjera si zbukurues, borja, i përdora të gjitha, duke krijuar qirinjë për festën e Pashkës, por si ky vit mos ardhtë kurrë, pasi nuk arrita që të shisja asgjë, u ndaluan të gjitha ritet e festës,” thotë Oço për BIRN.

Ai është një ndër rreth 120 artizanët aktivë në qytetin e Beratit, të cilët me punën e tyre krijuese, të artizanit dhe zejeve, mbajnë me të ardhura familjet e tyre, por kanë ruajtur gjallë edhe traditat e përpunimit të gurit dhe drurit, hekurit, arit, shelgut, etj, në qytetin e UNESCO-s.

Artizanët dhe zejtarët beratas janë të njohur brenda dhe jashtë vendit përmes krijimeve të tyre. Puna e tyre është individuale, por shitja e produkteve lidhet me turizmin në këtë qytet, panairet dhe tregjet, ku artizanët, mund të shesin produktet e tyre.

Pandemia e COVID-19 ka vetëm 4 të prekur në Berat, por masat shtrënguese për parandalimin e saj kanë mbyllur kufijtë dhe ka shteruar vizitorët në qytetin 2400 vjeçar, duke bllokuar shitjen e produkteve të drurit, pikturave në gur, qëndismave, punimeve në shtiza dhe grep. Pandemia ka bllokuar tregjet dhe panairet, ndërsa qytetit i mungojnë vizitorët.

Tregje të mbyllura

Ngjashëm me Oçon edhe Emiljano Sharavolli, kovaç, tregon se për herë të fundit ka shitur disa vegla pune në shkurt, dhe që prej këtij muaji nuk ka futur asnjë të ardhur në shtëpinë e tij.

“Po tregje të hapura nuk ka, janë mbyllur, nuk shes dot asgjë, por për të punuar kam punuar në shtëpi gjatë këtyre muajve, por ç’i dua, ku t’i shes”, ankohet Sharavolli.

I riu, baba i dy fëmijëve, e ka trashëguar farkëtimin e hekurit nga gjyshi dhe babai i tij dhe ka qenë i kënaqur që ka bërë këtë zgjidhje, pasi arrin që të prodhojë çdo vit me qindra vegla pune për bujqësi – me shitjet e të cilave, ia ka dalë të sigurojë të ardhura të mira. Por, këtë vit është përballur me vështirësi si kurrë ndonjëherë.

“Për fat të mirë, gruaja që punon në rrobaqepësi e ka vazhduar punën, pasi ndryshe do të kishim hequr keq, vetëm me pensionet e prindërve, nuk do t’ia kisha dal kurrë”, thotë Sharavolli.

Shpresa për të mbetet hapja e tregjeve bujqësore, ku do të mund të shes veglat e punës që ka prodhuar, pasi dhe materialet i kanë mbaruar dhe nuk ka as lekë për të blerë materiale të tjera, as mundësi për të lëvizur.

“Të gjithë materialin hekur, që kisha e përpunova për vegla pune: bela, drapër, sëpata, pasi shpresova që do të shiteshin gjatë muajve të pranverës, ku punët në bujqësi janë më të mëdha gjatë  kësaj periudhe, por asnjë nuk arrita që të shes”, thotë Emiljano.

Me të njëjtat vështirësi, për mungesë shitje përballet dhe Teuta Kurti, një artizane, që krijon suvenire. Teuta prodhon çanta, bluza, shaje dhe aksesorë të cilave u ka vënë logon e saj, por shumica e mallrave i kanë mbetur në sirtarë.

Teuta pasionin e saj për qepje dhe qëndisje e ka zbuluar hershëm dhe prej vitesh krijon dhe shet nëpër panaire, evente, brenda dhe jashtë qytetit. Por, prej muajsh ajo nuk ka arritur që të shes asgjë, pasi të gjitha rrugët për të pasur kontakt me njerëzit, veçanërisht turistët që janë dhe blerësit kryesor të saj, janë mbyllur.

“Qytetin se viziton askush. Aktivitetet janë mbyllur që të gjitha, çdo gjë është mbyllur dhe nuk dihet se si do shkojë”, thotë Teuta për BIRN.

Vështirësitë financiare me të cilat po përballen artizanët e Beratit i konfirmon dhe Adelina Theodhori, nismëtarja dhe drejtuesja e Organizatës “Margarita”, ku artizanët bëjnë pjesë dhe prej disa vitesh kanë një qendër promovimi.

“Mungesa e transportit ndërqytetas. Mungesa e panaireve, mbyllja e aktiviteteve, mungesa e vizitorëve, të gjitha këto, kanë ndikuar në këtë situatë ku ndodhen artizanët, të cilëve u është stopuar çdo lloj shitje”, tha Theodhori.

Ende pa përgjigje për ndihmën

Bllokimi i tregjeve dhe mungesa e turistëve ka ndikuar negativisht në buxhetin e gjithë familjet që jetojnë me punë artizanale, të cilat tani presin daljen nga izolimi, ndërkohë që disa prej tyre shpresojnë të përfitojnë “pagën e luftës”.

Kela Oço thotë se të ardhurat kryesore i ka nga shitja e qirinjve pranë kishave, më shumë në ditët e festave dhe gjatë kohës që në qytet shtohen lëvizjet. Ai thotë se është tregtar ambulant, por është i vetësiguruar. Megjithatë ende nuk e di nëse do të mund të përfitojë ndihmë.

“Vajza ka aplikuar tre herë në emrin tim, sepse unë vetë nuk e përdor dot internetin, që të përfitoj atë “pagën e luftës”, por akoma nuk kam marrë përgjigje”, thotë Oço.

62 vjeçari, i cili ka përshtatur një mjet lëvizës, karrocë, dhe lëviz gjithë kohën nëpër qytet, duke shitur qirinjë, mezi pret që të rifillojë sërish nga puna dhe jeton me shpresën së qytetit do t’i kthehet gjallëria dhe vizitorët.

“Po u bën vite që prodhoj qirinjë, që pasi u rihapën kishat. I bëj të bukur, me zbukurime dhe ngjyra. Shiten më shumë gjatë festave fetare, por dhe nga vizitorë që i pëlqejnë, shpresojë që të hapet sa më shpejt qyteti dhe të rikthehem në punën time”, thotë Oço.

Por ndërsa 62-vjeçari shpreson që të përfitojë ‘pagën e luftës”, Sharavolli dhe artizanë të tjerë që punojnë në të zezë, nuk kanë zgjidhje tjetër veç kthimit në normalitet.

“Punoj në të zezë, sepse me të ardhurat që fitoj nuk paguaj dot sigurimet dhe pse e di mirë që duhen, por nuk kam mundësi, sepse materialet e punës time janë të kushtueshme, ndërkohë që jo gjithmonë shitjet janë të garantuara”, thotë Sharavolli.

Veç vështirësive karantina u ka dhënë disave prej artizanëvë kohë të mjaftueshme për të krijuar.

Teuta Kurti, e cila përdor dhe materiale  të riciklueshme për krijimet  e saj, ka gjetur kohë mjaftueshëm për të krijuar me qese të përditshme, çanta për plazh.

“Kohë kam pasur mjaftueshëm. Me idenë që të krijoj me materiale të ricikuleshme, për të mbrojtur mjedisin dhe ndërgjegjësuar qytetarët, kam përdorur qeset e përditshme dhe i kam bërë çanta plazhi, duke i thurur mes tyre, me ngjyra të ndryshme, duke i bashkuar me grep”, tha Kurti.

Ajo tha se ka përdorur më shumë se 500 qese plastike, për të bërë 5 çanta plazhi me shpresën se gjerat do të ndryshojnë dhe krijimet e saj, do të gjejnë blerës.