Lajm24 Mar 2020

Muzetë e Zagrebit llogarisin dëmet e tërmetit

Muzetë e Zagrebit pësuan dëme të konsiderueshme në ndërtesat dhe artefaktet e tyre në tërmetet që goditën kryeqytetin kroat në fundjavë.

Autor: Anja Vladisavljevic BIRN Zagreb
Printo

Dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Foto: Muzeu Arkeologjik në Zagreb.

Objekte të çmuara janë dëmtuar në shumë nga muzetë e Zagrebit nga tërmetet që tronditën kryeqytetin të dielën.

Muzeu Arkeologjik në Zagreb, i cili ka mbi 450,000 objekte të ndryshme, tha të hënën se ai ka pësuar “dëmtime të rënda ekspozitave dhe objekteve të tij të përhershme”.

Ndërtesa ku nbdodhet muzeu, e cila është ndërtuar në vitin 1879, është dëmtuar gjithashtu. Muzeu tha se “në pjesën e jashtme të ndërtesës kishte të çara dhe u vunë re gjithashtu edhe shumë të çara në pjesën e brendshme të ndërtesës”.

Muzeu i Arteve dhe Artizanatit gjithashtu pësoi dëme, siç ndodhi edhe me pjesën e brendshme të ndërtesës së Muzeut Etnografik. Dritaret në e Muzeut Etnografik u dëmtuan, ndërsa objektet prej qeramike, qelqi dhe argjile pësuan dëmin më të madh.

Qyteti i Zagrebit të hënën shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore pas tërmetit që dëmtoi të paktën 450 ndërtesa. Të hënën në mbrëmje u konfirmua se një vajzë 15-vjeçare që u plagos rëndë gjatë tërmetit ndërroi jetë.

Ndërtesat e dëmtuara përfshinin katedralen ikonike, një nga majat e së cilës u rrëzua pjesërisht. Tërmeti është përshkruar si më i keqi që ka goditur qytetin kroat në 140 vjet dhe ndodhi ndërsa vendi përpiqet të përballet me pandeminë e koronavirusit.

Dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Foto: Muzeu Arkeologjik në Zagreb.

Dëmet e shkaktuara nga tërmeti në Muzeun e Arteve dhe Artizanatit.

Dëmet e shkaktuara nga tërmeti në Muzeun Etnografik në Zagreb. Foto: Darijen Pasa.