Blog14 Sep 2018

Muzeu për shoqërinë

Muzeu si institucion me rëndësi për vendimarrjet e drejta në funksion të ruajtjes dhe përcjelljes së trashëgimisë natyrore të vendit.   

Autor: Ani Bajrami BIRN Tiranë
Printo

Muzetë përfaqësojnë institucione shkencore në shërbim të shoqërisë dhe zhvillimit të mëtejshëm të saj. Muzeu i Shkencave të Natyrës “Sabiha Kasimati” u hap në Tiranë në vitin 1948 dhe është i vetmi i llojit të tij në Shqipëri. Që prej atëherë, në sajë të punës së palodhur të kërkuesve shkencorë dhe kolegëve të tjerë, trashëgimia floristike dhe faunistike e vendit tonë ruhet në fondin shkencor të Muzeut dhe ekspozohet në pavionet përkatëse. Kjo pjesë e trashëgimisë natyrore, trashëgohet prej së kaluarës dhe ekspozohet në pavionet muzeale për anëtarët e shoqërisë. Cilat janë funksionet e Muzeut dhe përse i shërben ai shoqërisë?

Së pari, Muzeu nuk mund të kuptohet veçmas veprimtarisë kërkimore të kërkuesve shkencorë, pjesë e tij. Kjo veprimtari bazohet në realizimin e ekspeditave në terren dhe punëve në laborator. Koleksionet e mbledhura në terren, analizohen e interpretohen prej kërkueseve shkencorë, shpesh në bashkëpunim dhe me kolegë të tjerë. Prej këtej, gjetjet e kërkuesve shkencorë, prezantohen në konferenca dhe shërbejnë si themel për botimin e artikujve shkencorë. Kryerja e këtyre aktiviteteve ndihmon jo vetëm në njohjen dhe identifikimin e llojeve të veçanta për Shqipërinë, por dhe në promovimin e kësaj pjese të trashëgimisë natyrore vendase në qarqet shkencore e më gjerë, në shoqëri.

Së dyti, funksioni i Muzeu është katalogimi dhe ruajtja e llojeve, pjesë e trashëgimisë natyrore vendase. Pas një përzgjedhjeje të kujdesshme, koleksionet e mbledhura ndër ekspedita, ruhen në fondin shkencor të Muzeut, që mbart mijëra syresh dhe përfaqëson vlerën e vërtetë të tij. Aktualisht, fondi shkencor i Muzeut përmban rreth 100 mijë lloje. Vlerë të pamatshme ka dhe Herbari Kombëtar, ku ruhet pasuria floristike e Shqipërisë. Herbari ndihmon në kryerjen e veprimtarisë kërkimore të studiuesve të bimëve në Shqipëri. Publikimi i katër vëllimeve të “Flora e Shqipërisë” është produkti shkencor i botanistëve të lidhur ngushtë me të. Gjithashtu, katalogimi dhe ruajtja e bimëve në Herbar, i shërben brezave të ardhshëm të studiuesve të florës.

Së treti, funksioni i Muzeut është ekspozimi i larmisë se llojeve së florës dhe faunës së vendit si edhe atyre, që rrezikojnë të zhduken prej aktivitetit të njeriut në mjedis. Vendimarrjet e gabuara mjedisore dhe për pasojë, degradimi i habitateve ku llojet jetojnë, janë shprehje e këtij aktiviteti. Zakonisht, vizita në një muze është si të vështrosh yjet. Kur ne shohim yjet në qiell, pulson e kaluara që mbase nuk ka të ardhme, sikundër gjatë një vizite në muze, para nesh shfaqet e kaluara e një lloji. Ndonjëherë skeleti i ekspozuar i tij është “gjurma” e zhdukjes prej ndryshimeve të menjëhershme mjedisore,  në disa raste, e shkaktuar prej aktivitetit të njeriut në mjedis. Por, një lloj mund të ketë të ardhme. E ardhmja e tij, varet nga njohja e respekti për llojet si dhe nga dëshira për të ruajtur mjedisin ku gjallojnë.

Së fundi, funksioni i Muzeut është edukimi shkencor, procesi ku të mësuarit e shkencës kryhet në mënyrë të thjeshtuar dhe me gjuhë të kuptueshme. Siç merret me mend, ky tip edukimi nuk përfshin vetëm edukimin gjatë viteve tona shkollore. Ai realizohet edhe përmes realizimit të dokumentarëve shkencore, daljeve publike të studiuesve për një problem të caktuar shkencor, shkrimit të librave popullorë shkencorë, artikujve publicistikë me temë shkencore në gazeta e revista etj. Edukimi shkencor ndihmon në ndërgjegjësimin e publikut mbi rëndësinë e ruajtjes së botës së gjallë, pjesë e së cilës jemi dhe ne. Në Muze, edukimi shkencor është kryer tradicionalisht përmes soditjes së koleksioneve të ekspozuara dhe shpjegimit të tyre prej specialistit të komunikimit. Në të ardhmen, ky tip edukimi ka nevojë të kryhet përmes një platforme multimediale muzeale, që përfshin dhe dixhitalizimin e koleksionit. Me anë të edukimit shkencor virtual anëtarët e shoqërisë kanë mundësinë të njohin më mirë pasuritë floristike dhe faunistike në Shqipëri dhe të tregojnë kujdes për ruajtjen e tyre në të ardhmen.

Dashuria për botën e gjallë, që biologu i njohur amerikan E. O. Wilson e quajti biofili, forcohet nga njohja e thelluar e botës së gjallë prej kontaktit të drejtëpërdrejtë me natyrën. Si na bie në sy, funksionet e përmendura më sipër janë të ndërlidhura me tyre, dhe ashtu si copëzat në një mozaik, përplotësojnë njëra tjetrën në shërbim të shoqërisë. Anëtarët e saj, prej vizitave në Muze, do të zgjerojnë njohjen dhe do të bëhen më të ndjeshëm ndaj trashëgimisë natyrore vendase në tërësi, dhe me shpresë, do të përmirësojnë vendimarrjet e tyre mjedisore. Me shumë gjasë, sjelljet e sotme dashamirëse ndaj mjedisit, me qëllim ruajtjen e larmishmërisë së llojeve, do të kenë jehonë dhe ndër breza. Më e rëndësishmja, ruajtja e trashëgimisë natyrore, në analogji me atë kulturore, është një detyrim moral për brezat e nesërm.