Ndërkohë që largimi i Angela Merkelit mund të mos jetë i afërt, pushteti i saj po zbehet. Me Gjermaninë që përpiqet të krijojë një qeveri të re – dhe mundësisht t’i drejtohet zgjedhjeve të reja federale vitin që vjen – në zemër të Europës është krijuar një boshllëk dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nuk do të jetë i aftë ta mbushë i vetëm.
Mes të gjitha krizave dhe trazirave që kanë goditur Bashkimin Europian gjatë dekadës së fundit, një pikë fikse ka qenë qeveria e ftohtë dhe e qëndrueshme e kancelares gjermane Angela Merkel. Por, pas dështimit të bisedimeve për të formuar një koalicion të ri, Merkel papritmas duket e vdekshme.
Ndërkohë që largimi i Merkelit mund të mos jetë i afërt, pushteti i saj po zhduket. Dhe me Gjermaninë që do t’i kthehet më shumë politikës së brendshme ndërsa përpiqet të krijojë një qeveri të re – dhe mundësisht i drejtohet zgjedhjeve të reja federale vitin që vjen – në mes të Europës është shfaqur një boshllëk dhe presidenti i guximshëm francez Emmanuel Macron nuk do të jetë në gjendje ta mbushë atë i vetëm.
Zgjedhjet federale të shtatorit tashmë e kishin dobësuar Merkelin. Mbështetja për Bashkimin e saj Demokratik të Krishterë (CDU) dhe simotra e saj bavareze Unioni Social i Krishterë (CSU), u zhyt në nivelin më të ulët që nga viti 1949. Me Social Demokratët (SPD), partnerët e mëparshëm të koalicionit të saj, Merkel u detyrua të kërkonte një koalicion të tre palësh me Partinë e Lirë Demokratike (FDP) dhe të Gjelbërit Euroskeptikë dhe më ndërhyrës. Pastaj, të dielën në mbrëmje, kreu i FDP-së Christian Lindner u largua nga bisedimet për koalicion.
Rruga përpara tani është e paqartë. Duket e pamundur që FDP – e cila humbi shumë mbështetje popullore si partnere e vogël në koalicionin e udhëhequr Merkel midis 2009 dhe 2013 – do t’i ribashkohet bisedimeve. Ndërkohë që Merkel mund t’i ofrojë FDP-së lëshime të mëtejshme, gjuha e Lindnerit dukej se linte pak hapësirë për këtë dhe të Gjelbrit thonë se nuk janë të gatshëm të bëjnë kompromise të mëtejshme. Gjithashtu duket e pamundur që SPD-ja – popullariteti i të cilës gjithashtu ra gjatë një koalicioni të udhëhequr nga Merkel katër vitet e fundit – do të rishqyrtojë vendimin e saj për të kaluar në opozitë. Nëse kjo ndodh, liderët e SDP-së me siguri do të kërkojnë kokën e Merkelit.
Merkel mund të përpiqet të udhëheqë një qeveri të paprecedentë me të Gjelbrit, por një marrëveshje e tillë mund të mos jetë e qëndrueshme apo efikase. Rezultati më i mundshëm duket të jetë zgjedhje të reja vitin e ardhshëm, në të cilat CDU mund të drejtohet ose jo nga Merkeli. Por vendimi për të thirrur zgjedhje nuk i takon asaj. Bundestagu fillimisht duhet të zgjedhë një kancelar, ku Merkel do të duhet të fitojë raundin e tretë të votimeve, kur fitorja kërkon vetëm një shumicë votash. Në atë pikë, presidenti Frank-Walter Steinmeier mund të kërkojë zgjedhje të reja, nëse ai mendon se Merkel nuk mund të udhëheqë një qeveri të qëndrueshme.
Mund të jetë tepër herët për të shkruar nekrologjinë politike të Merkelit. Ajo nuk ka qëndruar në detyrë për 12 vjet pa një aftësi për të penguar kundërshtarët e saj. Por çfarëdo që të ndodhë, Merkel është plagosur rëndë dhe duket se i ka ditët e numëruara. Çdo shpresë e zbehtë për ta përdorur mandatin e saj të katërt për të ndrequr trashëgiminë e saj është zhdukur.
Largimi i Merkelit s’do të ishte një fatkeqësi për Gjermaninë apo Europën. Ekonomia gjermane nuk është aq e suksesshme sa besojnë shumë njerëz. Punëtorët nuk kanë përfituar pothuajse fare nga fuqia e eksportit të vendit, investimet publike janë të pamjaftueshme dhe zemra e prodhimit të saj, e specializuar në inovacionin në rritje, nuk është e përgatitur për prishjen e përçarjes digjitale. Nën udhëheqjen e Merkelit, ekonomia ka rrëshqitur, në vend që të trajtojë dobësitë e saj në rritje.
Merkel meriton gjithashtu një pjesë të madhe të fajit për rrëmujën në të cilën ndodhet BE-ja. Gjatë gjithë krizës së eurozonës, në të cilën pozicioni i Gjermanisë si krye-kreditore e vendosi Merkelin në ndenjësen e shoferit, ajo bëri aq sa duhet për ta mbajtur shfaqjen në rrugë, por jo më shumë. Ajo s’u përpoq kurrë t’i bindte gjermanët për përgjegjësinë e tyre si një hegjemon ekonomik për ta rregulluar sistemin në mënyrë të drejtë, në interes të të gjithëve.
Pasi u ndruajt gjatë gjithë verës së vitit 2015, zgjuarsia e bëri Merkeli të luante një rol shumë më pozitiv në krizën e refugjatëve. Mirëpritja e më shumë se një milionë refugjatëve ishte thirrja e duhur. Por përpjekja e saj për të imponuar një zgjidhje pan-europiane dështoi dhe ajo tani e ka zhvendosur në masë të madhe sfidën e përballjes me azilkërkuesit në Greqi dhe Itali, duke u mbështetur në muret kufitare të vendeve të tjera dhe në kontrollet për të parandaluar mbërritjen e refugjatëve në Gjermani.
Merkel gjithashtu ka vepruar drejtë duke mbajtur distancë nga presidenti i SHBA-së Donald Trump si edhe që ka mbrojtur vlerat liberale që ai përbuz. Por kjo zor se e bën atë “lideren e botës së lirë”. Gjermania mbetet një kalorëse e lirë në rendin ekonomik, politik dhe të sigurisë europiane dhe ndërkombëtare.
As Merkeli nuk vendosi kurrë të shkonte të shpëtonte kryeministren e Britanisë, Theresa May, në negociatat e saj për Brexit. Ndërkohë që Gjermania ka një tepricë tregtie me Mbretërinë e Bashkuar, integriteti i tregut të vetëm të BE-së ka më shumë rëndësi për Merkelin dhe biznesin gjerman sesa ndërprerja e një marrëveshjeje të dashur me Mbretërinë e Bashkuar.
Por, ndërkohë që mungesa për vetë Merkelin mund të mos ndihet shumë, një vakum pushteti në Berlin është një goditje për shpresat për të ringjallur BE-në. Merkelit dikur i vinte keq për dobësinë e paraardhësit të Macron, François Hollande; tani situata ka ndryshuar. Planet e guximshme të Macron për të rinisur projektin europian bazohen në një partneritet të rinovuar franko-gjerman. Pa një homolog të fortë gjerman, i gatshëm për të ndërmarrë rreziqet e nevojshme politike, ai do të luftojë për të avancuar planet e tij për të reformuar eurozonën dhe për të ndjekur më nga afër integrimin në migracion, mbrojtje dhe shumë të tjera që janë të rëndësishme për vetë Gjermaninë.
Nëse Marcon do të përparojë, ai do të duhet të mbështetet më shumë në aleancat ad hoc me liderë të tjerë të BE-së. Ai mund të ketë nevojë gjithashtu të dyfishojë planet e tij ambicioze për të riformuar politikën europiane. Megjithatë, në fund të fundit, më e mira që mund të shpresojë ai është që intervali midis dy kancelarëve në Berlin të jetë relativisht i shkurtër dhe që pasardhësi i Merkelit të jetë më shumë pro-europian.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. The Twilight of Angela Merkel