Në vende të ndryshme të botës, grafitet janë armë artistike e rebelëve dhe majtistëve që luftojnë kulturat mainstream – por nuk ndodh kështu në Shqipëri, ku ato janë kryesisht përcjellëse të mesazheve nacionaliste.
Beso dhe Sane janë ndër grafistët e parë shqiptarë. Të dy janë kthyer në Shqipëri pas shumë vitesh të kaluara me studime jashtë shtetit.
Por, mes tyre ekziston një dallim i madh – Beso nëpërmjet grafiteve shpreh qëndrime nacionaliste, ndërsa Sane pikturon krijesa surreale dhe beson se arti duhet të ketë kontekst social dhe politik.
Grafitet janë një fenomen i ri në Shqipëri, por vitet e fundit ato kanë filluar të shtohen në mjediset urbane të Shqipërisë, veçanërisht në qytetet kryesore si në Durrës dhe Tiranë.
Shumica e grafiteve në Shqipëri deri tani përbëhen nga mbishkrime të grupit nacionalist ‘Tifozat Kuq e Zi’.
Ato janë një përpjekje e këtij grupi për t’u bërë më joshës për të rinjtë të cilët pëlqejnë grafitet dhe hip hopin.
Përveç kësaj, grafitet shqiptare rrallëherë bartin mesazhe të rëndësishme politike apo sociale.
Hip hop apo nacionalizëm:
Beso, një nga grafist më të njohur në Shqipëri, është rritur në Romë ku edhe ka studiuar për Juridik.
Ai ishte pjesë e një grupi multikulturor grafistësh në Romë, duke bërë kështu pjesë në subkulturën e komuniteteve alternative dhe qendrave sociale romane, para se të kthehej në Tiranë para pak kohësh.
“Në Romë kuptova se jam në gjendje të jetoj kudo. Por, unë jam Ilir dhe Tirana është shtëpia ime – prandaj edhe u ktheva,” shpjegon Beso.
Në grafitet e tij spikat një qëndrim shumë i ndryshëm nga pikëpamjet e komuniteteve romane të cilave u përket, që shprehin orientime politike e sociale tipike të së majtës radikale.
“Unë nuk merrem me politikë, por në një farë mënyre nëpërmjet grafiteve të mia edhe unë bëj politikë. Jam nacionalist dhe dua të përkrah nacionalizmin shqiptar,” thotë ai për Gazetën Jeta në Kosovë.
Një nga anëtarët e Tifozëve Kuq e Zi, që dëshiron të mbetet anonim, thotë: “Ne përpiqemi të përcjellim mesazhet tona përmes grafiteve. Në fillim ishte vetëm Beso dhe disa djem të tjerë, ndërsa tani janë shumë të tillë”.
Ai shton se grafitet më të shpeshta janë hartat e Shqipërisë etnike dhe parrulla tipike nacionaliste.
Por, jo të gjithë grafitarët simpatizojnë lëvizjen nacionaliste. Disa prej tyre identifikohen kryesisht me subkulturëne hip-hopit dhe shprehin nëpërmjet grafiteve të tyre ndjenja e qëndrime rebele.
Një grafist nga Kukësi, me pseudonimin Crime Game, thotë se ka mësuar të bëjë grafite nga një kushëri i tij që jeton jashtë vendit.
“Unë nuk jam nacionalist, megjithëse kam bërë grafite edhe për Tifozat Kuq e Zi”, thotë ai. “Por, arsyeja kryesore pse unë bëj grafite është sepse pëlqej Hip Hopin, dhe grafitet janë një mjet shprehës tipik i kësaj subkulture“.
“Nero”, një tjetër grafist 16-vjeçar nga Tirana, flet për të tjera motive. “Shumica prej nesh shkruajmë emrat tanë kudo ku mundemi. Unë mendoj se grafitet kanë të bëjnë pikërisht me faktin që unë shkruaj emrin tim kudo nëpër mure e fasada, si shenjë të rebelimit tim,” thotë ai.
Nuk ka probleme ligjore
Nganjëherë grafitet fshihen me bojë nga autoritetet, por ende asnjë grafist nuk është arrestuar për shkak të shkrimit të tyre.
Duke qenë se grafitet janë një fenomen relativisht i ri në Shqipëri, ato nuk parashikohen në kodin penal të Republikës së Shqipërisë. Madje, neni 154 mbi dhunimin e pronës,nuk e përmend aspak grafit-shkruarjen si fenomen.
“Nuk kam pasur kurrë probleme me autoritetet, megjithëse rreziku i përballjes me ta është pjesë e shkrimit të një grafiti, pasi rrit jashtëzakonisht adrenalinën, emocionet, frymëzimin. Në rastin më të keq, më ka ndodhur që grafitet e mia të fshiheshin me bojë të nesërmen.”, thotë Beso.
Konteksti social që mungon:
Në morinë e mesazheve nacionaliste, në masë më të vogël, nuk mungojnë grafitet artistike, të cilat janë kryesisht punime artistësh figurativë që kanë studiuar apo studiojnë Arte jashtë Shqipërisë.
Sane, një nga grafistët e parë në Tiranë, ka studiuar për Arte të Bukura në Holandë, ku emigroi në moshën 13 vjeçare. Ai është kthyer në Tiranë para tre vjetësh, kur ishte 25-vjeç.
“Unë jam artist dhe për mua grafitet janë një teknikë artistike, si çdo teknikë tjetër,” thotë ai.
Grafitet e tij janë ndër më komplekset në Shqipëri. Sane pikturon kryesisht krijesa të çuditshme surreale. Ndër të tjera, ai pikturon grafite komerciale në ambiente interiere apo në fasada të komisionuara nga lokalet dhe dyqanet trendy të Tiranës.
Ai thotë se nuk i përket ndonjë subkulture të veçantë, dhe mendon se në Shqipëri mungon mendimi kritik dhe konteksti social për një fenomen të tillë.
“Unë nuk mendoj se në Shqipëri ekzistojnë subkulturat, as Hip-hopi si e tillë. Ne nuk kemi skenë underground, sepse ne jemi të gjithë të shtypur underground dhe nuk synojmë ndryshime” sqaron ai.
Robbery Sk, është e vetmja vajzë grafiste në Shqipëri. Studion Arte të Bukura, në Firence dhe pikturon kryesisht në Durrës. Grafitet e saj janë ato që përmbajnë më shumë motive sociale ndër grafitet shqiptare.
“Për mua grafiti paraqet një mënyrë të komunikimit të drejtpërdrejtë me publikun. Për pasojë grafiti duhet të frymëzohet nga realiteti dhe tu përcjellë mesazhe të caktuara njerëzve,” thotë ajo.
Ndryshe nga grafistët e tjerë, 22-vjeçarja nga Durrësi tregon interes të spikatur për politikën dhe problemet sociale në Shqipëri.
Ajo mendon se grafistët duhet të frymëzohen më shumë nga realiteti në Shqipëri dhe më pak nga filmat amerikanë mbi hip-hopin.
“Nëse artistët thonë se nuk u intereson realiteti social dhe politik, do të thotë se ata nuk bëjnë art, por dekor që ka vetëm funksion zbukurues,” thotë ajo.
Sofia Kalo, një studiuese shqiptare pranë universiteti të Massachusetts dhe eksperte për artin bashkëkohor shqiptar, shprehet skeptike rreth këtij fenomeni të ri në Shqipëri.
“Shumica e grafiteve në Shqipëri janë thjesht slogane,” thotë ajo.
“Shumica e grafistëve reflektojnë pikërisht pasivitetin masiv që tregojnë shqiptarët ndaj padrejtësive sociale, keq trajtimeve, vuajtjes dhe korrupsionit.”
Ky artikull është financuar përmes projektit BICCED, të përkrahur nga Programi Kulturor Zviceran.