Lajm13 Jul 2018

NATO fton Maqedoninë t’i bashkohet Aleancës Perëndimore

Pas një dekade pritje, liderët e NATO-s të mërkurën ftuan Maqedoninë të nisë bisedimet e pranimit dhe të bëhet anëtarja e 30-të e aleancës, pasi të finalizohet marrëveshja e saj “e emrit” me Greqinë.

Autor: Sinisa Jakov Marusic BIRN Shkup
Printo

Liderët kryesorë pjesëmarrës në samitin e NATO-s në Bruksel. Foto: Wikipedia.

Ditën e mërkurë, në hapjen e samitit dy ditor të NATO-s në Bruksel, Aleanca Perëndimore i bëri zyrtarisht ftesën Maqedonisë që të fillojë bisedimet e pranimit.

“Sot ramë dakord të ftojmë Shkupin për të filluar bisedimet e pranimit,” tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në një konferencë për shtyp pas ditës së parë të samitit.

Ai shtoi se Maqedonia do të zërë vendin e vet në NATO vetëm pasi të zbatohen të gjitha procedurat për marrëveshjen e emrit me Greqinë të miratuar së fundmi, e cila përfshin ndryshimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut, nën të cilin vendi do të zërë vendin e vet në Aleancën Perëndimore.

Zbatimi i marrëveshjes së emrit varet nga një referendum në Maqedoni, që do të mbahet në fillim të shtatorit ose në fund të tetorit dhe duhet të marrë shumicën e mbështetjes nga qytetarët.

Në vitin 2008, Maqedonia humbi mundësinë që të bëhej anëtare e NATO-s në samitin e aleancës ushtarake perëndimore në Bukuresht, kur Athina vendosi veton ndaj ftesës së planifikuar për shkak të mosmarrëveshjes së gjatë për çështjen e emrit.

Që nga ajo kohë, NATO ka vazhduar të përsërisë se ftesa do të bëhet në momentin kur vendi zgjidh mosmarrëveshjen e tij dypalëshe me Greqinë.

“Sot është dita kur ne po ndryshojmë atë që humbëm në vitin 2008,” tha ministrja maqedonase e mbrojtjes Radmila Sekerinska për media të mërkurën duke iu referuar pranimit të vendit në NATO.

Për shkak të bllokadës së Greqisë, Maqedonia mbajti statusin e një vendi kandidat për 19 vjet dhe deri më tani ka realizuar 17 plane vjetore veprimi për anëtarësim.

Maqedonia dhe Greqia nënshkruan marrëveshjen e tyre historike për emrin më 17 qershor pas një serie bisedimesh të ndërmjetësuara nga OKB-ja.

Sipas marrëveshjes, Maqedonia do ta ndryshojë emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut, për ta bërë atë të dallueshme nga provinca veriore greke e quajtur gjithashtu Maqedoni.

Greqia ka këmbëngulur se përdorimi i emrit “Maqedoni” nënkupton një pretendim territorial për krahinën e saj dhe një pretendim për trashëgiminë e lashtë të Greqisë.

Ndërkohë, Maqedonia ishte e shqetësuar se ndryshimi i emrit mund të ketë një ndikim negativ në identitetin kombëtar të popullit të saj, shumë prej të cilëve thjesht e quajnë veten “maqedonas”.

Pavarësisht se të dyja palët kanë arritur më në fund një marrëveshje më 12 qershor, puna më e vështirë për Shkupin pritet ende të vijë, duke u siguruar që edhe qytetarët e Maqedonisë ta mbështesin marrëveshjen në referendumin e detyrueshëm.

Autoritetet maqedonase po shpresojnë ta vënë plotësisht në zbatim marrëveshjen deri në fund të vitit.