Maqedonia hodhi një hap të madh drejt anëtarësimit të plotë në NATO të mërkurën kur ministrat e jashtëm të NATO-s në Bruksel nënshkruan protokollin e pranimit të saj, gjë që do të mundësojë që ajo të jetë anëtarja e 30-të e klubit nën emrin e saj të ri, Republika e Maqedonisë së Veriut.
Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s dhe ai i Maqedonisë të mërkurën, pasi u takuan në selinë e aleancës në Bruksel, nënshkruan protokollin mbi pranimin e vendit, duke shënuar një hap të madh në rrugën drejt anëtarësimit të tij të plotë.
Duke e quajtur këtë ngjarje historike, shefi i NATO-s Jens Stoltenberg përgëzoi kryeministrin maqedonas Zoran Zaev dhe kryeministrin grek Alexis Tsipras për “guximin” e tyre në nënshkrimin e një marrëveshje dypalëshe që i dha fund mosmarrëveshjes mbi emrin e Maqedonisë vitin e kaluar.
Maqedonia do të hyjë në aleancën ushtarake perëndimore me emrin e saj të ri, Republika e Maqedonisë së Veriut, gjë e cila u dakordësua në marrëveshjen historiketë nënshkruar me Greqinë verën e kaluar.
Në këmbim të ndryshimit të emrit, të cilin Greqia e ka kundërshtuar për vite me radhë – duke këmbëngulur se ai nënkuptonte një pretendim territorial ndaj krahinës së saj veriore, e quajtur gjithashtu Maqedoni, – Athina ra dakord të heqë bllokadën e saj të gjatë për pranimin euroatlantik të Maqedonisë.
“Ne kemi pritur gjatë që ju t’i bashkoheshit familjes tonë,” tha Stoltenberg në Bruksel, duke shtuar se pranimi i Maqedonisë gjithashtu tregon angazhimin e NATO-s për zgjerimin e mëtejshëm.
Ceremonia e nënshkrimit të mërkurën shënoi fillimin e një procesi të gjatë ratifikimi në të 29 parlamentet e vendeve të NATO-s, pas së cilës Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare e plotë e NATO-s me të drejtë vote.
“Unë jam i bindur se procesi i ratifikimit do të vazhdojë pa probleme dhe së shpejti do të jemi në gjendje t’ju mirëpresim si një anëtare e plotë e NATO-s,” tha Stoltenberg.
“Për ne, NATO po kalon vijën e sigurisë në një familje kombesh të përkushtuara ndaj sigurisë dhe stabilitetit,” tha ministri i jashtëm maqedonas Nikola Dimitrov.
“Udhëtimi nuk ka marrë ende fund për Maqedoninë, por ne nuk do të ecim të vetëm në këtë rrugë. Ne do të kemi 29 miq dhe aleatë pas nesh,” shtoi Dimitrov, duke shprehur gjithashtu shpresën për një proces të shpejtë ratifikimi.
NATO e ftoi Maqedoninë t’i bashkohej aleancës vitin e kaluar, pak pasi ajo arriti marrëveshjen me Greqinë. Marrëveshja gjithashtu hapi dyert për Maqedoninë në BE; vendi shpreson të nisë bisedime të gjata për pranimin në BE këtë vit.
Në atë që pritet të jetë një gjest kryesisht simbolik, qeveria greke pritet të jetë vendi i parë që do të ratifikojë protokollin e pranimit në NATO të Maqedonisë.
Sipas burimeve të papërmendura, të cituara nga EURACTIV.com. parlamenti grek pritet të ratifikojë protokollin deri në fund të kësaj jave, ndoshta të premten.
Ndërkohë që optimistët shpresojnë se ratifikimi në parlamentet e tjera kombëtare do të vijë së shpejti, duke lejuar që Maqedonia të bëhet anëtare e plotë e NATO-s në samitin e saj në korrik, kurse të tjerët janë më të kujdesshëm.
Shumica e vendeve në Ballkan janë tashmë anëtarë të aleancës, e cila u formua në vitin 1949 për të ofruar siguri kolektive kundër Bashkimit Sovjetik të atëhershëm.
Greqia dhe Turqia u bashkuan në vitin 1951-1952. Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi dhe Rumania janë bashkuar së fundmi – Mali i Zi në vitin 2017.