Moslejimi i valvitjes së flamurit kosovar nga atletët e Kosovës në Kampionatin Botëror të Karatesë në Spanjë ka theksuar disavantazhet me të cilat përballen ende sportistët e saj profesionistë, tha për BIRN kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës.
Vendimi i Spanjës për të ndaluar atletët nga Kosova – të cilën ajo nuk e njeh – që të konkurrojnë nën flamurin e tyre kombëtar në Kampionatin Botëror të Karatesë 2018 në Madrid, ka theksuar pengesat që hasin atletët nga vendet e debatuara, tha Besim Hasani, kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës, për BIRN të martën.
“Kudo që atletët e Kosovës nuk lejohen të marrin pjesë, kjo i dëmton ata në mënyrë të drejtpërdrejtë, sepse ata humbasin shansin për t’u kualifikuar për Kampionatin Botëror apo Lojërat Olimpike,” tha Hasani.
Ai tha se “Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe federata të tjera ndërkombëtare po bëjnë shumë përpjekje për ta mbajtur politikën larg sportit dhe që atletët të trajtohen në mënyrë të barabartë kudo”, por ndodhin ende probleme.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i kërkoi federatave ndërkombëtare të hënën të shmangin organizimin e eventeve në Spanjë deri në momentin që të gjithë atletët të trajtohen në mënyrë të barabartë, pasi ata nga Kosova u ndaluan të shfaqnin flamurin e tyre kombëtar në Kampionatin Botëror të Karatesë në Madrid, më 6-11 nëntor.
Por Hasani shtoi se problemi “nuk është vetëm me Kosovën; ka probleme edhe në marrëdhëniet sportive Rusi-Ukrahinë, me Izraelin dhe shtetet arabe dhe anasjelltas”.
Ai vazhdoi: “Ne kemi mbështetjen e këtyre institucioneve sportive, por problemet ende shfaqen kur kemi të bëjmë me protokollin shtetëror, në lidhje me çështje siç janë vizat.”
Pasi Spanja ndaloi shfaqjen e flamurit të Kosovës në këtë event, atletët e Kosovës mbajtën inicialet e Federatës së Karatesë të Kosovës, KKF, në bluzat e tyre. Emrat e tyre u renditën në tabelat e pikëve krahas Federatës Botërore të Karatesë.
Pavarësisht mosmarrëveshjes mbi flamurin, Hasani tha se pa pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarje si një sukses, me ekipin e femrave që zuri vendin e shtatë në konkurs.
Lojërat Olimpike në Rio, Brazil, ishin Lojërat e para Olimpike në të cilat atletët kosovarë garuan nën flamurin e tyre, pasi Kosova u pranua si anëtar i IOC në vitin 2014.
Gjatë lojërave, xhudistja Majlinda Kelmendi u bë atletja e parë nga Kosova që solli në shtëpi një medalje të artë.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Megjithatë, Beogradi kundërshton fuqishëm shtetësinë e Kosovës.
Vendi ballkanik është njohur nga më shumë se 110 vende. Por, përveç Serbisë, Rusisë, Kinës dhe disa vendeve të tjera, pesë shtete të BE-së gjithashtu nuk e njohin Kosovën – Spanja, Sllovakia, Rumania, Qiproja dhe Greqia.
Shumica kanë çështje separatiste të tyre, sidomos Spanja, me Katalonjën që kërkon pavarësinë.