Lajm20 Feb 2020

Ndalohen në Vlorë mbetje të rrezikshme nga Italia

Policia shqiptare arrestoi gjashtë shtetas shqiptarë pasi zbuloi në tragetin e linjës Brindizi -Vlorë një sasi të madhe mbetjesh amianti, një mbetje e rrezikshme që duket se ishte sjellë për t’u groposur në Shqipëri.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo


Një sasi mbetjesh të rrezikshme të sjella ilegalisht nga Italia në Shqipëri u bllokua nga policia shqiptare mbrëmjen e së Enjtes në një traget të linjës Brindizi – Vlorë, rasti i parë i trafikut të mbetjeve të identifikuar në Shqipëri në shumë vite.

Policia publikoi njoftimin zyrtar në Facebook dhe tha se kishte marrë informacion në mënyrë operative. “…[në] një traget që ishte nisur nga Italia po transportohej një sasi e konsiderueshme me mbetje të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe ambientin, me qëllim për t’i depozituar në Shqipëri,” shkruhet në njoftimin e policisë. Gjashtë persona nga 28 në 71 vjeç, të identifikuar me inicialet K. Xh., A. Ç., A. G., F. T., E. Ç. Dhe Z. K., që të gjithë banues në Vlorë, u shpallën të arrestuar. Trageti i linjës u shpall i sekuestruar. Mes të arrestuarve raportohet se janë punonjës të tragetit dhe një pronar kompanie regjistruar si menaxhuese e mbetjeve metalike dhe tërheqjes së mbetjeve të anijeve që ankorohen në port.

Mbetja e rrezikshme e identifikuar paraprakisht nga policia është amianti, një silic që nëse gjendet në formën e pluhurit dhe futet në trupin e njeriut përmes kanaleve të frymëmarrjes, mund të shkaktojë kancer në mushkëri.

Për këtë arsye, amianti apo azbesti është ndaluar të përdoret prej shumë dekadash nëpër botë, por mbetjet e tij gjenden në ndërtesa të ngritura përpara se bota të kuptonte rrezikun që vjen nga kjo lëndë. Trajtimi i azbestit të nxjerrë nga ndërtesat e vjetra sipas procedurave standarde është i kushtueshëm dhe kjo duket se shtyn organizatat kriminale të kërkojnë rrugë të shkurtra të derdhjes së tij në mjedis në mënyrë të fshehtë.