Analize23 Feb 2021

Ndërhyrjet e paligjshme rrezikojnë trashëgiminë e qytetit që mbrohet nga UNESCO

Pronarët e 17 shtëpive u gjobitën vitin që shkoi për ndërhyrje të paligjshme ndërtimi në zonën muzeale në Gjirokastër, por vetëm 1 për qind e gjobave u mblodhën.

Autor: Raimond Kola BIRN Gjirokastër
Printo

Rrugë pothuajse të boshatisura në Gjirokaster pas shpërthimit të COVID-19 | Foto : LSA

Gjirokastra është e ndarë në dy pjesë  që kundërshtojnë njëra tjetrën. Në pjesën e sipërme historike që mbrohet nga UNESCO ka interes të shtuar investime, ndërsa në pjesën e poshtme, stoku i ndërtimeve të pabanuara po rritet, prej braktisjes nga biznesi i vogël dhe  banorët.

Të dhënat e bashkisë së Gjirokastrës tregojnë se ndërsa ka kërkesë në rritje për ndërhyrje në qendrën historike, në të cilën janë shtuar edhe ndërhyrjet e paligjshme në Monumente të Kategorisë së Parë dhe të Dytë që mbrohen nga shteti, në pjesën e poshtme të qytetit kërkesat për leje të reja  të ndërtimit janë në pikiatë.

Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, gjatë vitit 2020 Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit vendosi 17 gjoba për ndërhyrje të paligjshme ndërtimore në zonën muzeale.

“Ndërhyrjet në banesa Monumente të Kategorisë së Parë apo të Dytë janë të karakterit përshtatës, sidomos për njësi pritëse turistike,”  tha Bexhet Baxhella, kreu i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë e Gjirokastrës.

Drejtuesi i Inpektoriatit i tha BIRN se gjobat ishin nga 50 mijë lekë – për ndërhyrjet për të cilat kërkohej vetëm njoftim, deri në 500 mijë lekë për rastet kur për ndërhyrjet e paligjshme duhej të kishte leje ndërtimi.

Megjithatë, Baxhella pranoi se pjesa më e madhe e gjobave të vendosura për ndërhyrje në Monumentet e Kulturës së Kategorive I dhe II nuk ishin paguar.

Dy vitet e fundit, sipas të dhënave të bashkisë, numri i arkëtimeve të masave administrative ka qenë i ulët dhe vetëm 1% e tyre është paguar.

Ndërkohë që ndaj shkelësve nuk ka veprime pasuese ligjore dhe gjobat e mbledhura janë vetëm prej atyre qytetarëve që kanë vendosur të paguajnë vullnetarisht.

Rritja e turizmit nxiti ndërhyrjet e paligjshme

Në Gjirokastër nuk është vështirë të dallosh në zonën historike ndërhyrje pa kriter që vijnë  si shtesa të lehta në strukturat e banesave historike me elementë të rinj, që bien ndesh me stilin e vjetër të ndërtimit.

Shpesh janë vetëm ndryshime në përmasat e dritareve, por ka raste që ka zgjerime volumesh ndërtimi në përpjekje për të fituar hapësira shtesë.

Vitin e shkuar, Bashkia ndërhyri për prishjen e një ballkoni në zonë e pazarit që ishte ndërtuar pa leje.  Ndërhyrje të tilla në ndryshime volumesh të brendshme apo  shtesa jashtë banesës për mjedise utilitare nuk mungojnë.

Pronarët që janë ndëshkuar për shkeljet nuk pranojnë të flasin me emër, por i lidhin ndërhyrjet në të shumtën e herës me nevojat e banesave për hapësira të reja, në rastet kur në to mund të priten turistë.

Ata janë të vetëdijshëm se për këto ndërhyrje nuk mund të sigurojnë leje nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve në varësi të Ministrisë së Kulturës, pasi në monumentet e Kategorisë së Parë, ligji i Trashëgimisë Kulturore ndalon rreptësisht çdo ndërhyrje dhe në monumentet  e Kategorisë së Dytë ka kufizime të forta ligjore.

“Bashkia Gjirokastër një ndër prioritetet kryesore ka përkujdesjen për vlerat e trashëgimisë kulturore në funksion të zhvillimit të turizmit,” tha Baxhella, drejtori i IMT pranë Bashkisë.

Ai shtoi se prej vitit 2017, numri i shkeljeve të identifikuara nuk ndryshon shumë. Sipas të dhënave që ka bashkia, numri i shkeljeve varion nga 5 në 17 në 5 vitet e fundit, por të dhënat e plota mungojnë.

Ndërkohë, Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër që përgjigjet për qendrën historike sipas ligjit për Trashëgiminë Kulturore ka mbajtur akte konstatimi për rastet e shkeljeve dhe i ka referuar këto ndërtime pa leje dhe jashtë kritereve si në polici, ashtu edhe pranë bashkisë.

Specialisti i kësaj drejtorie, Vaso Polo thotë se në një rast denoncimi është bërë pranë Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, që sipas ndryshimeve të fundit ligjore, varet nga Ministria e Brendshme.

Megjithatë, në gjykatën e Gjirokastrës nuk ka procedime penale ndaj shkelësve dhe gjobat e vendosura nuk vilen.

Drejtuesi i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit pranoi se nuk  ishin vënë në veprim instrumente ndëshkuese ndaj kundravajtësve për vjeljen e  gjobave dhe ai nivel arkëtimesh që është arritur, ka qenë falë vullnetit dhe ndërgjegjësimit të vetë qytetarëve.

“Në fund të vitit të shkuar i kemi dërguar  informacion sektorit jurdik dhe të taksave në bashki për  të siguruar vjeljen e gjobave të vendosura në vitin 2020 gjatë vitit 2021,” tha ai.

Baxhella shpjegoi se kishte propozime për të ndërtuar një skemë të vjeljes së gjobës përmes shërbimeve të tjera që jepte bashkia ose përmes faturave të ujësjellësit.

“Plagët” e vjetra pa zgjidhje

Lidhur me ndërtimet pa leje në zonën muze të Gjirokastrës, arkitekti Kreshnik Merxhani thotë se qyteti  njohu një periudhë qetësie pas raportit reaktiv të  UNESCO-s së vitit 2012, kur organizata botërore e mbrojtjes së monumenteve u kërkoi me forcë autoriteteve shqiptare të kontrollonin qendrat historike në Gjirokastër dhe në Berat nga ndërtimet pa leje dhe ndërhyrjet pa kriter.

“Por ndërtimet pa leje, megjithëse duket se u pezulluan përkohësisht, nuk u stopuan  asnjëherë,”  thotë  Merxhani, ndërsa shton se deri më sot nuk ka një plan për të rikuperuar ato pasuri që janë dëmtuar prej ndërhyrjeve të mëhershme.

“Janë rreth 400 ndërtime pa leje, për të cilat nuk ka një program rikuperimi afatgjatë,”  theksoi arkitekti.

Në mungesë të një plani rikuperimi, shumë nga objektet që kishin pësuar ndryshime u hoqën nga lista e monumenteve të Ministrisë së Kulturës në vitin 2016. Një plan i hartuar prej vitesh nga bashkia e Gjirokastrës me specialistë italianë  të rajonit të Markeve për Qendrën Historike të Gjirokastrës mbeti kësisoj në letër.

 

Arkitekti Merxhani vëren gjithashtu si problem vijimin e degradimit të monumenteve nga braktisja e pronarëve, të cilët nuk mund të kujdesen për to.

Në vitin 2005, kur Gjirokastra u përfshi në mbrojtjen e UNESCO, kishte 559 monumente të kategorisë së dytë, ndërsa në vitin 2017 në listë mbetën 323 monumente të kësaj kategorie.

Ministria e Kulturës e argumentoi atëherë vendimin “me procesin e përditësimit të listës së pasurive kulturore me verifikimin në terren të të gjitha objekteve që ndodhen brenda Qendrës Historike të Gjirokastrës dhe të të gjithë dokumentacionit arkivor”.

Por emra të njohur të kulturës kombëtare shqiptare shprehën kritika të forta për mënyrën se si ishte kryer reduktimi i  listës dhe rezerva për procesin  e kritereve të vlerësimit mbi të cilat ishin hequr monumentet që më parë rezultonin në dosjen që ishte paraqitur dhe në UNESCO.