Lajm17 Nov 2017

Ndërmjetësuesi i OKB-së planifikon bisedime të reja për “emrin” e Maqedonisë

Rinisja e shumëpritur e bisedimeve për emrin, të ndërmjetësuara nga OKB-ja, midis Maqedonisë dhe Greqisë do të zhvillohet më 11-12 dhjetor në Bruksel.

Autor: Sinisa Jakov Marusic BIRN Shkup
Printo

Ndërmjetësuesi i OKB-së Matthew Nimetz gjatë një vizite të mëparshme në Shkup. Foto arkiv: MIA.

Ndërmjetësuesi i OKB-së në mosmarrëveshjen për emrin e Maqedonisë, diplomati amerikan Matthew Nimetz, ka caktuar një datë për një raund të ri bisedimesh mbi këtë çështje, e cila po pengon integrimin e Maqedonisë në NATO, për datat 11 dhe 12 dhjetor në Bruksel.

“Takimi është pjesë e përpjekjeve të Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar palët në gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme reciproke për çështjen e emrit,” thuhet në deklaratën e OKB-së.

Mes ngrohjes së kohëve të fundit të marrëdhënieve midis Athinës dhe Shkupit, rifillimi i bisedimeve pçër çështjen e emrit fillimisht pritej të fillonte javën që vjen, por tani u programua për në dhjetor.

Raundi i ri i bisedimeve vjen pasi optimizmi në të dyja vendet rritet për zgjidhjen e problemit të vjetër që ka penguar aspiratën e Maqedonisë për t’u bashkuar me NATO-n dhe BE-në.

Mosmarrëveshja përqendrohet në këmbënguljen e Greqisë se përdorimi i fjalës “Maqedoni” nënkupton një pretendim territorial ndaj krahinës veriore greke me të njëjtin emër.

Në vitin 2008, Maqedonia humbi mundësinë për të hyrë në NATO vetëm për shkak të mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë.

NATO-ja në atë kohë tha se Maqedonia do të ishte në gjendje t’i bashkohej aleancës në çastin që zgjidhte mosmarrëveshjen dypalëshe. Maqedonia nuk mund të fillojë bisedimet e pranimit në BE po ashtu për të njëjtën arsye.

Që kur qeveria e re Social Demokrate erdhi në pushtet në Maqedoni në muajin maj, të dyja palët kanë rritur komunikimet dypalëshe dhe u zotuan se do të rihapin bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja.

Të dyja palët kanë shprehur shpresë se do të jenë në gjendje të bien dakord për një emër të pranueshëm nga të dyja palët deri në mes të vitit të ardhshëm.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja në fakt kanë qenë të ngrira që nga viti 2014, pjesërisht për shkak të krizës politike që përfshiu Maqedoninë në vitin 2015 dhe përfundoi vetëm kohët e fundit, me zgjedhjen e një qeverie të re nën drejtimin e Zoran Zaev.