Lajm20 Nov 2020

Ndërron jetë nga COVID-19 Patriarku Irinej i Serbisë

Ndërron jetë në moshën 90-vjeçare, dy javë pasi u konfirmua se ishte infektuar me COVID-19, Patriarku Irinej, kreu i Kishës Ortodokse Serbe.

Autor: Milica Stojanovic BIRN Beograd
Printo

Patriarku serb Irinej.

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe Irinej ka ndërruar jetë të premten në moshën 90-vjeçare, si pasojë e ndërlikimeve në lidhje me COVID-19, konfirmoi Kisha Ortodokse Serbe.

Irinej doli pozitiv për COVID-19 dhe u shtrua në spital në Beograd më 4 nëntor. Gjendja e tij filloi të përkeqësohej më 15 nëntor.

Ai u pa për herë të fundit në publik më 1 nëntor kur kryesoi shërbimin funeral të Mitropolitit Amfilohije Radoviçtë Kishës në Malin e Zi. Edhe ky i fundit ndërroi jetë si pasojë e ndërlikimeve të lidhura me COVID-19. Mediat raportuan se Irinej kishte shumë gjasa t ishte infektuar me COVID-19 para funeralit.

Në daljet e tij publike, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, të cilës i përkasin shumica e serbëve, ishte një mbështetës i madh i autoriteteve politike, veçanërisht i presidentit Aleksandër Vuçiç.

Miroslav Gavriloviç lindi në vitin 1930 në fshatin Vidova, afër qytetit Cacak. Pas mbarimit të shkollës së mesme, ai u regjistrua dhe u diplomua në seminarin e Kishës Ortodokse në Prizren, Kosovë, dhe më pas në Fakultetin e Teologjisë, në Beograd.

Si profesor në seminarin në Prizren, ai u dërgua që të kryente studimet pasuniversitare në Athinë. Në vitin 1969, ai u emërua drejtor i shkollës në manastirin Ostrog, Mal i Zi, nga ku u kthye në Prizren dhe u emërua rektor i seminarit.

Në vitin 1974, ai u zgjodh peshkop vikar i Patriarkut Serb me titullin Peshkop i Moravicës. Një vit më vonë, në 1975, ai u zgjodh Peshkop i Nisit ku shërbeu për 35 vjet. Ai u bë partiark në janar 2010 pas vdekjes së Patriarkut Pavle. Ai mori emrin kishtar të Irinej në vitin 1959.