Lajm24 Mar 2020

Ndërron jetë pacienti i pestë me COVID-19, numri i të infektuarve arrin 123

Një tjetër pacient me COVID-19 ka ndërruar jetën gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin Infektiv në Tiranë, ndërkohë që harta e pandemisë është shtrirë ne 3 rrethe të tjera të vendit.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Të martën Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 19 raste të reja me COVID-19, ndërsa numri i viktimave ka arritur në 5.

“Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë një pacient i shtruar prej 13-ditësh në shërbimin e sëmundjeve infektive në qendrën spitalore universitare,” tha në një konferencë për shtyp përfaqësuesja e ISHP-së, Eugena Tomini.

“Pacienti 49-vjeç nga Tirana – me sëmundje shoqëruese diabet melitus, prej 13-ditësh ishte i hospitalizuar dhe prej 10-ditësh ishte në terapi intensive,” shtoi Tomini.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit harta e zonave të infektuara në vend është shtuar me rrethet e Hasit, Beratit dhe Lezhës, ndërkohë që është shtuar gjithashtu numri i të infektuarve në Tiranë, Korçë dhe Fier.

Në spitalin infektiv janë të shtruar 57 pacientë, dy prej të cilëve janë në terapi intensive dhe në gjendje kritike, ndërkohë pacientët e tjerë të shtruar në këtë pavijon janë në gjendje stacionare.

Vetëm në 24 orët e fundi, Instituti i Shëndetit Publik ka kryer 74 teste nga të cilat 19 kanë rezultuar pozitiv për COVID-19, duke e çuar numrin total të personave të infektuar në 123.

Gjithsej numri i testeve të realizuara nga ISHP që nga fillimi i epidemisë në Shqipëri ka arritur në 930, ndërkohë që 10 nga pacientët e infektuar janë shëruar. Këto pacientë – të cilët pas dy testeve të kryera ka rezultuar negativ, vazhdojnë të jenë të vetëkarantinuar për 14 ditë.