Prokuroria e Vlorës akuzon katër inspektorët e IMT-së së Bashkisë Himarë se nuk kanë ushtruar detyrën e tyre gjatë dy viteve të fundit për konstatimin e ndërtimeve të paligjshme në bregdet dhe se nuk kanë ekzekutuar vendime për prishjen e tyre.
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të shtunën rezultatet e hetimeve të nisura nga Prokuroria e Vlorës një muaj më parë për ndërtimet pa leje në zonën bregdetare të Bashkisë së Himarës. Sipas prokurorisë, janë gjetur përgjegjës për mos ushtrimin e detyrës dhe kompetencave të tyre Kryeinspektori i Inspektoriatit të Mbrojtes së Territorit, IMT në Bashkinë e Sarandës, R.H. dhe tre vartësit e tij, E.Z., M.N. dhe Dh.B., pasi kanë lejuar ndërtimet e paligjshme në zonën e bregdetit nga Dhërmiu deri në Borsh gjatë dy viteve të fundit, megjithëse kanë pasur dijeni.
Një javë më parë, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi nisjen e një operacioni ndaj ndërtimeve pa leje, që sipas tij do të fokusohej kryesisht në vijën bregdetare nga Velipoja dhe në Ksamil.
Në njoftim thuhet se nga hetimet paraprake rezulton që punonjësit e proceduar, duke shpërdoruar detyrën në mënyrë të përsëritur, kanë lejuar që në zonën e bregdetit nga Dhërmiu deri në Borsh të ndërtohen objekte pa lejen e bashkisë Himarë, kryesisht shtesa në kate dhe ndërtime të reja.
Sipas prokurorisë, disa prej këtyre objekteve janë evidentuar nga punonjësit e policisë të cilët kanë referuar materiale proceduriale duke bërë dhe fotografimet e objekteve në kohën e konstatimit. Por, edhe pas evidentimit të këtyre objekteve nga policia, punonjësit e IMT-së në Bashkinë Himarë nuk rezulton të kenë marrë ndonjë masë për pezullimin e punimeve.
“Gjithashtu, këta punonjës edhe pse janë vënë në dijeni të konstatimit nga ana e policisë së këtyre objekteve të ndërtuara pa leje i kanë lejuar pronarët e tyre të vazhdojnë dhe përfundojnë ndërtimet duke mos marrë asnjë masë për të ndërprerë ndërtimin informal të tyre”, kontsaton organi i akuzës dhe rendit ndërtimet pa leje të evidentuara gjatë viteve 2019-2020.
Në njoftim thuhet se janë evidentuar dy ndërtime banesash në fshatin Borsh, ku njëri e ka ndërtuar shtëpinë në tokën e tij. Edhe pse këto raste janë referuar, inspektorët e IMT-së Himarë nuk kanë marrë asnjë masë dhe ndërtimet kanë vazhduar deri sa janë përfunduar.
E njëjta situatë është paraqitur edhe në fshatin Dhërmi ku inspektorët nuk kanë ushtruar detyrën e dytre për katër ndërtime pa leje. Sipas prokurorisë, inspektorët e IMT-së, jo vetëm që kanë lejuar vazhdimin e ndërtimeve, por në një rast nuk kanë ezkekutuar vendimin për prishjen e një objekti në truallin e shoqërisë “K.K.”.
Sipas prokurorisë, ky fenomen është riaktivizuar, përgjatë vijës bregdetare Dhërmi- Himarë me afrimin e sezonit turistik, kryesisht nga ana e personave që duan të kryejnë shtesa në kate, si dhe zgjerime të aktiviteteve të tyre si bare dhe lokale, pa lejen e organeve kompetente.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka pranuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim ndaj kryeinspektorit të IMT-së Himarë dhe tre vartësve të tij. Në njoftim thuhet se masa e sigurimit është bërë e mundur që të ekzekutohet vetëm për dy prej tyre, për shefin e IMT-së, R.H. dhe inspektorin E.Z..