Opinion20 Jun 2019

Ndryshimet dramatike në demokracinë e Turqisë

Duke refuzuar të pranojë humbjen e kontrollit mbi Stambollin, partia qeverisëse ka hequr “gjethen e fundit të fikut” që mbulon legjitimitetin demokratik të Turqisë dhe për herë të parë refuzoi vendimin e votuesve.

Autor: Ilija Vojnovic BIRN Ankara
Printo

Flamuri turk pranë urës së Bosforit. Foto: Wikipedia.

Turqia mbajti zgjedhjet vendore më 31 mars, zgjedhjet e teta në pesë vjet. Pesë vjet më parë, Turqia ishte ende një demokraci ekonomikisht e begatë dhe kryesisht e qëndrueshme, në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe ruajtjen e marrëdhënieve të shëndetshme me aleatët dhe partnerët e saj tradicionalë perëndimorë.

Në pranverën e vitit 2019, ajo po luftonte të ruante rendin e brendshëm, në prag të dhënies fund të ofertës për në BE, gjithnjë e më shumë e izoluar ndërkombëtarisht dhe duke vuajtur nga performanca e saj më e dobët ekonomike në vite.

Shenjat e ashpra të erozionit demokratik gjatë gjithë kësaj kohe ishin vështirë të mos viheshin re; megjithatë, turqit votuan në zgjedhjet vendose që përgjithësisht u pranuan si të lira dhe të drejta.

Megjithatë, anulimi i rezultateve të garës për bashkinë e Stambollit të 31 marsit e shtynë Turqinë në ujëra akoma më të panjohura, pasi demokracia e saj dhe ambienti politik tashmë kompleks u bënë edhe më të paparashikueshme.

Qëkur Turqia filloi transformimin e saj nga një demokraci parlamentare në një sistem ekzekutiv presidencial, pushteti politik është bërë shumë më i centralizuar dhe karakteristikat thelbësore të demokracisë janë tharë.

Pas disa vitesh të turbullta, të cilat panë një përshkallëzim në terrorizmin vendas, sfidat e sigurisë rajonale dhe një përpjekje të dështuar grushti shteti në vitin 2016, pluralizmi politik dhe liria e shprehjes në Turqi janë bërë gjithnjë e më të kufizuara.

Institucionet kyçe si sistemi gjyqësor kanë luftuar për të ruajtur pavarësinë dhe besueshmërinë e tyre. Sidomos gjatë gjendjes së emergjencës pas grushtit të dështuar të shtetit, demokracia e Turqisë përjetoi transformimin e saj më të rëndësishëm, i cili kulmoi me reforma kushtetuese që shfuqizuan sistemin parlamentar të qeverisë.

Megjithatë, edhe gjatë kësaj rritjeje të iliberalizmit, procesi i vendimmarrjes ende nuk mbështetej vetëm në ambiciet e presidentit gjithnjë e më të fuqishëm, Rexhep Tajip Erdogan.

Një shtyllë e demokracisë mbeti e respektuar: zgjedhje të lira dhe të ndershme rezultatet e të cilëve rrallë u kontestuan, e jo më të refuzoheshin, qoftë nga pala humbëse apo nga vëzhgues të pavarur.

Më parë, parregullsitë zgjedhore ishin raportuar vazhdimisht në zonat me shumicë kurde në juglindje dhe me famëkeqet në garën për bashkinë e Ankarasë të vitit 2014, por edhe në këto raste, partitë opozitare përfundimisht pranuan vlefshmërinë e rezultateve.

Nocioni i përgjithshëm mes shumë anëtarëve të opozitës ishte se, pavarësisht nga mënyra dominuese dhe jodemokratike e qeverisë, zgjedhjet përfaqësonin vullnetin e popullit, ishin pothuajse të shenjta dhe ishin “shumë të mëdha për të dështuar”.

Establishmenti qeverisës i Turqisë përdori këtë argument në diskutimet me aktorët ndërkombëtarë të shqetësuar rreth gjendjes së demokracisë së saj: “Thoni ç‘të doni për mënyrën sesi ne qeverisim, por rezultatet tona zgjedhore janë të paprekshme”. Ky apel ka qenë një argument i fuqishëm. Ose të paktën ishte, deri më tani.

Hera e parë që Kutia e Pandorës e ndikimit të drejtpërdrejtë politik në pavarësinë e procesit zgjedhor u hap publikisht gjatë referendumit kushtetues të prillit 2017 kur Bordi i Lartë Zgjedhor, YSK, duke sfiduar ligjin që rregullon zgjedhjet, vendosi të pranojë fletëvotime të pavulosura.

Në thelb, YSK ndryshoi rregullat e lojës pas përfundimit të ndeshjes, duke i hapur dyert krimit të mundshëm zgjedhor. Një precedent i rrezikshëm u vendos, por meqë nuk kishte prova se ky vendim ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin e votimit, protestat e opozitës ishin të kufizuara dhe u qetësuan shpejt.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Foto: Facebook/Reccep Tayip Erdogan.

Mjedisi rreth zgjedhjeve lokale të 31 marsit në vend ishte më sfidues për Erdoganin dhe Partinë e tij për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP, sesa ka qenë ndonjëherë që kur ata morën pushtetin.

Vendi ishte përballur me sfida ekonomike dhe shumica e votuesve kishin përjetuar një rënie të dukshme në cilësinë e tyre të jetesës. Shumica e votuesve ranë dakord se Turqia ishte në krizë. Kjo ndrydhi entuziazmin dhe besimin e njerëzve në të ardhmen e vendit të tyre; shumë prej tyre ishin të vendosur të shkonin në zgjedhjet vendore për të kërkuar ndryshime.

Përveç këtyre faktorëve ekonomikë, një sistem gjithnjë e më i centralizuar vendimmarrës reduktoi edhe thirrjen e institucioneve qeverisëse ndaj votuesve në zgjedhjet lokale.

Presidenti Erdogan ishte parë prej kohësh si i vetmi politikan i vërtetë dhe i vetmi që merrte vendime.

Ndërsa ai personalisht mori përsipër fushata vendimtare në nivel lokal në qytete të mëdha, votuesit filluan t’i shikonin kandidatët lokalë të koalicionit qeverisës si njerëz që vareshin dobët te strukturat qendrore dhe si thjesht të emëruarit e presidentit, krejtësisht të pafuqishëm për t’iu përgjigjur nevojave të komuniteteve të tyre lokale.

Shumë votues shprehën konfuzion lidhur me zgjedhjen e kandidatit për kryebashkiak të Stambollit nga AKP-ja në pushtet: ish-kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit të Binali Yildirim për postin e kryetarit të bashkisë në fakt dukej si një hap pas në karrierën e këti politikani të kalitur. Ndryshe nga kjo, shumica e kandidatëve të opozitës në zgjedhjet lokale erdhën nga komunitetet ku ata konkurronin.

Shumë prej tyre kishin shërbyer më parë si kryetarë komunash, një pozicion që mendohej se ishte mjaft i pavarur nga influenca e selisë së partisë dhe prej nga ku politikanët u shërbenin drejtpërdrejt komuniteteve të tyre lokale.

Lodhja nga zgjedhjet, pakënaqësia e përgjithshme e votuesve me cilësinë e tyre të përkeqësuar të jetesës dhe cilësia e ulët e shumë kandidatëve të AKP-së, sollën një humbje të madhe për Erdoganin. AKP-ja e tij humbi garat bashkiake në pesë nga gjashtë qytetet më të populluara dhe më të pasura në Turqi; suksesi i opozitës në këto vende pasqyroi refuzimin e qyteteve për reformën kushtetuese të referendumit të Erdoganit në prill 2017 (edhe pse në të gjithë vendin, votuesit mezi e kaluan atë referendum).

Gjatë viteve të fundit, votimi ka treguar polarizimin e qëndrueshëm të elektoratit, me rreth 55 për qind të votuesve që mbështesin koalicionin qeverisës dhe 45 për qindëshin e mbetur që e kundërshtojnë atë.

Zgjedhjet vendore e bënë të qartë se edhe disa përkrahës të AKP-së dhe partnerit të saj të koalicionit, Partia Lëvizja Nacionaliste, MHP, tani numërohen mes të pakënaqurve. Para zgjedhjeve, një koment i përbashkët nga mbështetësit e AKP-së dhe MHP-së ishte se zgjedhjet lokale ishin një mundësi për të qortuar koalicionin qeverisës pa detyruar një ndryshim të plotë politik kombëtar.

Duket se shumë votues bënë pikërisht këtë, duke abstenuar apo edhe duke kaluar kufijtë dikur të padepërtueshëm ideologjikë dhe partiakë për të votuar për kandidatët e opozitës më 31 mars.

Gara për bashkinë e Stambollit ishte shqetësimi më i madh për koalicionin qeverisës: kandidati i opozitës Ekrem Imamoglu fitoi me më shumë se 13,000 vota.

Gjatë gjithë historisë së Turqisë, partitë që fituan në Stamboll ishin pothuajse gjithmonë në gjendje ta përdorin atë fitore si një gur të rëndësishëm për pushtet kombëtar. Përveç kësaj, gjatë sundimit 17-vjeçar të AKP-së, shumica e buxhetit prej 4 miliardë dollarësh i qytetit iu drejtua fondacioneve, organizatave dhe grupeve të interesit të lidhura me partinë në pushtet.

Këta faktorë politikë dhe financiarë nxitën AKP-në dhe MHP-në që të kundërshtonin fitoren e opozitës në Stamboll, duke kërkuar rinumërim pas rinumërimit, e cila thjesht konfirmoi se Imamoglu kishte fituar zgjedhjet.

Pas konfirmimit të Imamoglut si kryebashkiak i ri i Stambollit, AKP-ja dhe MHP-ja bënë një përpjekje të fundit dhe paraqitën një kërkesë të jashtëzakonshme në YSK duke bërë thirrje për anulimin e plotë të garës për bashkinë e Stambollit.

Ndërsa kërkesa ishte nën shqyrtim, AKP-ja rindezi makinerinë e saj të fushatës si të ishte duke u përgatitur për një rikandidim. Dhe pastaj ndodhi – pas pesë suspanse, YSK anuloi fitoren historike të opozitës në një votim 7-4.

Vendimi u bazua në “parregullsi në disa komisione votimi”. Disa zyrtarë nuk kishin qenë nëpunës civilë siç kërkohej.

Megjithatë, të njëjtët zyrtarë ishin emëruar nga qeveria në këtë dhe në të gjitha zgjedhjet e mëparshme, shumica e tyre të fituara nga AKP-ja, dhe kjo nuk kishte zhvlerësuar rezultatet e këtyre garave.

Për më tepër, edhe pse Stambolli kishte katër nivele të qeverisjes lokale për zgjedhje njëkohësisht më 31 mars (kreu lokal i lagjes, këshilli i rrethit, kryetari i komunës dhe kryetari i bashkisë), u anuluan vetëm zgjedhjet për kryetar bashkie.

Në tre garat e tjera, të padiskutueshme, në shumicën e qarqeve në Stamboll, AKP-ja qe në gjendje të pretendonte fitore.

Vendimi kontrovers i YSK-së nxiti menjëherë zhvlerësimin e mëtejshëm të lirës turke. Edhe pse bankat publike turke thuhet se humbën rreth 1 miliardë dollarë në përpjekje për të mbështetur monedhën, lira mori një tjetër pikiatë dhe përjetoi rënien më të madhe në tetë muaj.

Tregues të tjerë ekonomikë reflektuan një rënie serioze të besimit të investitorëve në vend.

Shqetësimet e kritikëve se AKP-ja do të refuzonte të njihte rezultatet e një zgjedhjeje demokratike dhe dorëzimin në mënyrë paqësore të pushtetit, të shprehura gjatë privatisht, tani ishin hapur pjesë e diskursit publik.

Vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë e kuptuan se vendimi i YSK-së ishte marrë nën presion politik, duke treguar gatishmërinë e Erdoganit për të luajtur kartën e fundit për të mbajtur kontrollin e qytetit më të populluar dhe më fitimprurës në vend.

Pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve të 23 qershorit në Stamboll, dhe në rast të një tjetër fitoreje të Imamoglu, nuk është e lehtë të përfytyrosh Yildirimin të dorëzohet pasi AKP-ja dyfishon humbjen e saj fillestare – një njollë e madhe në mekanizmin më elastik institucional të demokracisë së Turqisë do të mbetet.

Parashikimi i rezultatit të zgjedhjeve në Turqi mund të jetë ende i mundur, por kjo nuk është më çështja më e rëndësishme në dispozicion. Ajo që ka më shumë rëndësi është reagimi ndaj rezultateve të zgjedhjeve nga grupi i vogël i vendimmarrësve rreth presidentit.

Analiza politike ka humbur shumë nga vlera e saj pasi vendi është bërë subjekt tekave arbitrare dhe jokonsistente të vullnetit politik.

Për vite me radhë, AKP-ja dhe Erdogan në veçanti kanë ruajtur një reputacion si njerëz që janë në kontakt me popullin turk dhe shpirtin e vendit.

Lidhja e tij dhe e partisë me nevojat e popullit ishte një nga arsyet kryesore për dominimin e partisë në politikën turke duke filluar me katapultimin e tyre në pushtet në vitin 2002, paralajmëruar nga fitorja e Erdoganit në garën për kryebashkiakun e Stambollit në vitin 1994.

Liderët e AKP-së ishin ndër të vetmit politikanë në atë kohë që demonstruan mirëkuptim për shqetësimet e shumicës dhe i trajtuan në mënyrë proaktive ato shqetësime.

Në vitet e fundit, AKP-ja ka hequr dorë plotësisht nga kjo qasje. Duke hedhur poshtë rezultatet e zgjedhjeve të 31 majit në Stamboll, AKP-ja për herë të parë refuzoi haptazi të pranonte vullnetin e votuesve.

Nuk është e lehtë të parashikohet reagimi ndaj një tjetër humbje të mundshme për Yildirim. A do të përpiqet qeveria të kundërshtojë dhe anulojë përsëri zgjedhjet, apo këtë herë Imamoglu do të lejohet të ulet në vendin e kryetarit të bashkisë?

Edhe nëse Imamoglu bëhet kryebashkiak, mbetet pyetja nëse dega ekzekutive do të lejonte funksionimin normal dhe pa pengesa të një Stambolli të kontrolluar nga opozita.

Vendimi për anulimin e rezultateve të 31 marsit krijoi një precedent të ri: kur votuesit në Turqi bëjnë zgjedhjen “e gabuar”, atyre do t’u ofrohet një shans për të korrigjuar gabimin e tyre. Anulimi i mundshëm i kësaj premise themelore të demokracisë do të jetë në qendër të zgjedhjeve të reja që do të mbahen më 23 qershor në Stamboll.

Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.