Përgjigja e shëndetit publik do të jetë vendimtare në ndalimin e koronavirusit COVID-19 para se ai të shkatërrojë të gjithë popullsinë në Perëndim dhe në mbarë botën. Dhe qasja e duhur kërkon që Shtetet e Bashkuara dhe Europa të mësojnë aq sa mundemi nga Azia Lindore dhe sa më shpejtë që është e mundur.
Vendet e Azisë Lindore po ia kalojnë Shteteve të Bashkuara dhe Europës në kontrollin e pandemisë COVID-19, pavarësisht nga fakti se shpërthimi nisi në Kinë, me të cilën pjesa tjetër e Azisë Lindore është e lidhur shumë ngushtë nga tregtia dhe udhëtimet. SHBA-ja dhe Europa duhet të mësojnë sa më shpejtë të jetë e mundur në lidhje me qasjet e Azisë Lindore, të cilat mund të shpëtojnë ende një numër të madh të jetësh në Perëndim dhe në pjesën tjetër të botës.
Një pikë e rëndësishme fillestare për krahasim është numri i rasteve dhe vdekjeve të konfirmuara nga COVID-19 për milion njerëz. Duket sikur të dy rajonet i përkasin dy botëve të ndryshme. Pandemia po e mbyt fare Europën dhe SHBA-në: rastet e konfirmuara për milion banorë variojnë nga 814 (Britania e Madhe) deri në 3,036 (Spanja), dhe vdekjet për milion banorë variojnë nga 24 në 300. Në vendet e Azisë Lindore, rastet e konfirmuara për milion banorë variojnë nga tre ( Vietnami) në 253 (Singapori), dhe vdekje për milion banorë nga 0 në katër.
Vendet e Azisë Lindore nuk kanë të njëjtin numër të infektuarish apo vdekjesh si homologët e tyre perëndimorë. Të dy rajonet kanë testuar një numër të ngjashëm të popullsisë së tyre.
Ajo që është më e rëndësishme, ndryshimet midis dy rajoneve nuk pasqyrojnë izolime më të forta ekonomike në Azinë Lindore. Google së fundmi ka publikuar të dhëna interesante për uljen e aktivitetit në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Kufizimet në jetën normale (duke e krahasuar fundin e marsit me fillimin nga 3 janari deri më 6 shkurt) janë më pak të ashpra në Azinë Lindore.
Pabarazia midis rezultateve të shëndetit publik dhe ekonomisë së vendeve të Azisë Lindore dhe Perëndimit nxjerr në pah tre ndryshime kryesore midis rajoneve. Si fillim, vendet e Azisë Lindore ishin shumë më të përgatitura për shpërthimin e mundshëm të një sëmundjeje të re. Përhapja e SARS në 2003 ishte një thirrje zgjimi dhe valët e shpeshta të etheve tropikale në disa vende të Azisë Lindore e forcuan këtë mesazh. Në Europë dhe SHBA, shqetësimet për SARS-in, Ebolën, Zikën dhe ethet tropikale dukeshin të largëta, abstrakte dhe (me përjashtim të SARS) kryesisht “tropikale”. Rezultati i këtij ndërgjegjësimi më të madh ishte një nivel shumë më i lartë alarmi kombëtar në të gjithë rajonin kur Kina raportoi fillimisht një valë të pazakontë rastesh pneumonie në Wuhan më 31 dhjetor 2019.
Në kontrollin e një epidemie, masat e hershme janë thelbësore për kontrollin e frenimit të përhapjes. Duke filluar në fillim të janarit, shumica e fqinjëve të Kinës filluan të kufizojnë udhëtimet me Kinën dhe menjëherë shtuan testimet dhe gjurmimin e rasteve. Kina dhe të tjerët kanë vënë në punë teknologji të reja digjitale për monitorimin e përhapjes së sëmundjes.
Vendet perëndimore ishin shumë më pak të vëmendshëm ndaj koronavirusit të ri kur ai u shfaq për herë të parë. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA kontaktoi me CDC-në e Kinës më 3 janar. Rasti i parë i SHBA u konfirmua më 20 janar. E megjithatë, vetëm më 31 janar presidenti amerikan Donald Trump njoftoi kufizimet e udhëtimit me Kinën . Edhe atëherë, këto kufizime jetësore nuk u morën seriozisht. Vlerësimet e fundit sugjerojnë se 430,000 njerëz mbërritën në SHBA nga Kina pas zbulimit të shpërthimit të virusit, duke përfshirë rreth edhe 40,000 të tjerë pas të ashtuquajturës ndalesë udhëtimi të vendosur nga Trump.
Publiku në Azinë Lindore është gjithashtu më i ndërgjegjshëm për masat e duhura paraprake që duhen ndërmarrë. Atje maskat për fytyrën përdoren gjerësisht dhe janë përdorur të paktën që nga koha e SARS. Ndryshe nga kjo, autoritetet perëndimore i thanë publikut të mos përdorë maska për fytyrën, pjesërisht për të drejtuar furnizimin e kufizuar të maskave mbrojtëse për punonjësit e shëndetit, dhe pjesërisht sepse zyrtarët i nënvlerësuan dobitë që sjellin maskat për zvogëlimin e infeksioneve të reja. Në mënyrë të ngjashme, dezinfektuesit e duarve, distanca më e madhe fizike dhe shtrëngimi më i pakët i duarve janë të gjitha pjesë e jetës së përditshme të banorëve të Azisë Lindore.
E fundit, autoritetet e Azisë Lindore kanë rritur në mënyrë dramatike monitorimin e simptomave ndërsa njerëzit lëvizin nëpër zona publike, zyra dhe vende të tjera të mbushura me njerëz. Është rutinë në shumë kompani që të kontrollohet temperatura e trupit e të gjithë punëtorëve kur ata hyjnë në vendin e punës. Monitorimi i temperaturës përdoret gjithashtu në qendrat e tranzitit si aeroporte dhe stacione trenash. Kjo praktikë pothuajse nuk ekziston fare në SHBA dhe Europë.
Përhapja e koronavirusit në Kinë ishte më e keqja në Azinë Lindore dhe, në një farë mënyre, SHBA-ja dhe Europa duhet të mësonin nga ajo. Ndryshe nga fqinjët e saj, Kina përjetoi një epidemi të plotë për disa javë, nga rreth mesi i dhjetorit deri në mes të janarit. Në kohën kur Kina e futi Wuhan-in në karantinë më 23 janar, tashmë kishte 375 raste të konfirmuara në Provincën Hubei, ku ndodhet Wuhan-i, dhe ndoshta shumë raste të tjera të pakonfirmuara (qoftë raste simptomatike, por edhe raste të pa testuara dhe asimptomatike). Virusi gjithashtu kishte filluar të përhapej në të gjithë Kinën, me rreth 196 raste të konfirmuara.
Në atë fazë, Kina ndërmori masa drastike. Ajo mbylli të gjitha udhëtimet dhe lëvizjet në publik; vuri në punë sisteme online për të gjurmuar individët dhe për të vënë në zbatim urdhrat e karantinës; dhe testoi gjerësisht dhe monitoruar masivisht për simptoma. Masat ishin padyshim shumë drastike dhe u kritikuan gjerësisht. Megjithatë ato ishin gjithashtu jashtëzakonisht efikase. Brenda disa javëve, Kina vuri nën kontroll një epidemi të plotë dhe të përhapur me shpejtësi, diçka që shumë ekspertë menduan se ishte e pamundur.
Shumë njerëz dyshojnë nëse kontrollet e rrepta të Kinës mund të funksionojnë apo të jenë të pranueshme në SHBA. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara duhet të mësojnë nga suksesi i Kinës dhe nga suksesi i Azisë Lindore në përgjithësi. Siç ka thënë edhe Francis Collins, drejtor në Institutin Kombëtar Amerikan të Shëndetit, “Qasja që duhet të ndërmarrim tani është një qasje që shumë njerëzve do t’i dukej tepër drastike, sepse përndryshe nuk është dhe aq drastike.”
Europa dhe SHBA-ja nuk e kanë ende nën kontroll epideminë dhe mungesa e ventilatorëve për shpëtimin e jetës dhe vdekja e punonjësve shëndetësorë që kanë mungesë të mjeteve themelore mbrojtëse e bëjnë edhe më të madhe tragjedinë. Përgjigja e shëndetit publik do të jetë vendimtare në ndalimin e COVID-19 para se ai të shkatërrojë të gjithë popullsinë në Perëndim dhe në mbarë botën. Dhe qasja e duhur në Perëndim kërkon që të mësojmë aq sa mundemi nga Azia Lindore sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The East West Divide in COVID-19 Control