Blog12 Dec 2016

Në cilat vende njerëzit janë më të sjellshëm ndaj të panjohurve?

Indeksi Botëror i Dhurimit CAF në raportin e përvitshëm zbuloi se numri i njerëzve që ndihmojnë të tjerët nëpër botë është shtuar, ndërsa renditja e Shqipërisë po pëson rënie krahasuar me një vit më parë.

Autor: Stephanie Thomson Weforum.org
Printo

Një gjest human i një turisteje gjatë një vizite në Shëngjergj, Tiranë. nëntor 2015. Foto: Ivana Dervishi/BIRN

Foto ilustruese: Ivana Dervishi

Pas një viti plot tituj kryesorë të zymtë, nuk është çudi që të kemi vënë në dyshim besimin tonë te njerëzimi. Ndaj mbase ky artikull me një lajm të mirë do t’ju ndihmojë: gjithnjë e më shumë njerëz se kurrë më parë po kryejnë gjeste rastësore të mirësjelljes ndaj të panjohurve. Këto janë zbulimet e gëzueshme të Indeksit Botëror të Dhurimit CAF, një raport vjetor që gjurmon nivelet e bujarisë nëpër botë.

“Për herë të parë, më shumë se gjysma e pjesëmarrësve thonë se kanë ndihmuar një të panjohur – një dëshmi e dëshirës së brendshme njerëzore për të ndihmuar të tjerët kurdo që kanë nevojë,” thekson raporti.

Një panoramë edhe më interesante shfaqet kur rezultatet analizohen për çdo vend: ata njerëz që jetojnë në vendet më të rrezikshme dhe më të paqëndrueshme në botë gjithashtu kanë më tepër gjasa të ofrojnë ndihmë te një i panjohur.

Në dhjetëshen globale, katër vende janë në krye të Indeksit të Shteteve të Brishta. Në dy vendet kryesore, Irak dhe Libi, shtetasit kanë duruar vite konflikt, sulme terroriste dhe trazira të përgjithshme.

Burimi: Indeksi Botëror i Dhurimit CAF

Burimi: Indeksi Botëror i Dhurimit CAF

Edhe përpara se lufta të shpërthente, të dyja vendet kanë pasur një kulturë të fortë të mbështetjes së komunitetit, vërejnë reporterët e BBC në rajon. Megjithatë vuajtja me të cilat vendasit janë përballur vitet e fundit ka forcuar dëshirën për të ndihmuar të tjerët. Përpara luftës civile në Libi, 72 për qind e njerëzve në vend thoshin se kishin ndihmuar një të panjohur. Sot shifra është 79 për qind.

Ndërsa ne mund të presim që rreziku kolektiv të nxjerrë në pah më të keqen te njerëzit – duke menduar për bashkëpunuesit oportunistë apo plaçkitësit e luftës – duket se shumica e njerëzve mblidhen dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. “Mesa duket shoqëritë e brishta ku popullata është më në nevojë, inkurajohen që më shumë njerëz të ndërgjegjësohen për nevojën për të ndarë gjërat me të tjerët,” argumenton raporti CAF.

Ky aspekt optimist mbi natyrën njerëzore shkon përtej dëshirës: ka disa prova shkencore që e mbështesin atë.

Në vitin 2012, kërkuesit e Universitetit Feiburg zbuluan se përkundrazi mendimit të përgjithshëm, situatat stresuese në një grup nxjerrin anën më pozitive te njerëzit: “Ekspozimi ndaj stresit shtoi besimin, ndërveprimin në mirëbesim dhe sjelljen e ndarjes së të mirave me shoqërinë,” përfundoi studimi. Një tjetër arsye për t’u ndjerë pak më optimistë, përballë titujve negativë të medias kudo nëpër botë.

Indeksi Botëror i Dhurimit CAF e rendit Shqipërinë në vendin e 105 (nga 140) në botë në përgjithësi, shumë vende më poshtë krahasuar me pozicionin e 83 të vitit 2015.

Për sa i përket kategorisë së ofrimit të ndihmës ndaj një të panjohuri Shqipëria renditet në vendin e 95 dhe vlerësohet me 46 pikë, po ashtu në rënie krahasuar me një vit më parë, kur Shqipëria renditej në vendin e 59 në shkallë botërore.

Vendi ynë u rendit i 114-i për sa i përket orëve të punës vullnetare, por këtu u pa një përmirësim krahasuar me pozicionimin e 122 të vitit 2015.