Reportazh8 Aug 2020

Në mbrëmjet pa muzikë në Durrës ndjehet mungesa e artistëve të rrugës

Ndërsa aktivitetet artistike në salla të mbyllura janë kufizuar nga rregullat e distancimit social për shkak të pandemisë së COVID-19, artistët kanë dështuar të zbresin në rrugë për të mbushur zbrazëtinë kulturore të qytetit bregdetar këtë sezon veror.

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Durrës
Printo

Artist rruge duke i rënë firzamonikës | Foto nga : Pixabay

Shëtitorja bregdetare në Durrës ende nuk është përuruar zyrtarisht, por qytetarët dhe pushuesit mbushin çdo mbrëmje trotuarët e rindërtuar.

Në mungesë të aktiviteteve artistike, që janë reduktuar për shkak të pandemisë nga COVID-19 në shëtitoren e re dëgjohet vetëm avazi i një klarinete.

Çdo pasdite një muzikant amator provon të njëjtën pjesë, një këngë popullore, në tonalitete të ndryshme. Por deri tani asnjë artist tjetër, student apo profesionist,  nuk ka provuar të interpretojë në hapësirën përballë detit.

“Te ne mungon tradita e muzikantëve të rrugës,” thotë për BIRN Pirro Sota, i cili ka punuar si instrumentist në Orkestrën e Radiotelevizionit.

Studentët tanë që mësojnë jashtë vendit e provojnë shpesh dhe me sukses, ndërsa kur vijnë këtu bëhen pre e një mentaliteti që duhet tejkaluar.

“Të jem i sinqertë, edhe unë nuk e kam menduar ndonjëherë që të luaj në një mjedis publik, në mungesë të spektatorëve,” vlerëson Sota, duke shtuar se ndoshta kjo vjen nga që ai vetë e ka një punë.

Numri i turistëve vendas dhe të huaj gjatë këtij sezoni në qytetin bregdetar ka qenë shumë i vogël, për shkak të mbylljes së përkohshme të kufijve ajrorë, detarë dhe tokësorë.

Në kushtet e pandemisë nga COVID-19, veprimtaritë artistike verore në sallat e mbyllura në pjesën më të madhe janë anuluar.

Por zëvendësimi i tyre me shfaqjet individuale  apo me formacione të vogla në sheshet apo në rrugët e qytetit ka munguar.

Artistët e rrugës janë të vetmit që nuk pengohen nga aktet normative ndaj zhurmave apo grumbullimeve që shtojnë pasigurinë ndaj rrezikut të infektimeve nga koronavirusi.

Kurajo artistike u ka munguar edhe piktorëve të rinj.

“E kemi diskutuar disa herë me kolegët, por ngurrimi ka qenë më i madh se sa dëshira,” shprehet piktori Franc Priska, i cili është mësues vizatimi në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli”.

Për fat të keq, edhe nxënësit, si dhe prindërit e tyre e kanë më të lehtë të ekspozojnë në galerinë e vetme publike, ne qendër të qytetit.

Sheshi “Liria” është një hapësirë shumë e mirë për grupet e piktorëve që duan t’u tregojnë tablotë e tyre bashkëqytetarëve apo pushuesve.

“Tani në verë, në galeri është shumë vapë, por askush deri tani nuk e ka bërë një hap për të ekspozuar në mjedise të hapura, në sheshe apo në shëtitore,” thotë Franci, sipas të cilit ka një farë përtacie për ti vendosur kavaletat dhe telajot përballë publikut gjithfarësh dhe për ti mbledhur ato përsëri në mbrëmje.

Sipas Priskës duhet një çikë më shumë vëmendje edhe nga bashkia e qytetit për artistët e rinj.

Në fund të muajit korrik Bashkia e Durrësit dhe Këshilli Kulturor ka miratuar një fond prej 16 milionë lekë për një sërë projektesh të paraqitura nga shoqata dhe ente të ndryshme artistike, por organizatorët janë thuajse të bindur që një pjesë e tyre nuk do të zhvillohen dot.

Pandemia pritet të pengojë veçanërisht projektet e përbashkëta me artistët e huaj, udhëtimet e të cilëve varen nga vendimet e shteteve përkatëse.

Ndërsa një pjesë e organizatorëve vendas vazhdojnë të këmbëngulin për formën klasike të shfaqjeve, disa të tjerë po kërkojnë forma alternative të komunikimit me spektatorët.

“Ne po kërkojmë një mënyrë tjetër organizimi përballë pamundësisë që kanë një pjesë e artistëve të huaj për të udhëtuar drejt Shqipërisë,” tha Tristan Sherifi për Festivalin e Dancit Modern dhe Kontemporan, që ka arritur në edicionin e 15-të.

Shfaqjet e programuara kohë më parë nga kompanitë e huaja do të mbërrijnë përmes internetit ‘online’ dhe organizatorët kanë zgjedhur të njejtën mënyrë për transmetimin e emocioneve te artdashësit shqiptarë.

Nevila Kalaja, ndërkaq, nuk ka menduar ndonjëherë të tërhiqet nga organizimi i edicionit të 15-të të Festivalit të Muzikës së Dhomës.

“Më 31 gusht një trio nga Greqia do të hapë festivalin në Muzeun Arkeologjik Kombëtar të Durrësit,” tregon Nevila për BIRN, duke shtuar se do të jetë një  koncert me numër të kufizuar shikuesish, si dhe të veprave në repertor. Instrumentistët nga vendi fqinj të piano-trios “Galant” do të hapin edicionin jubilar, por askush nuk e di nëse artistët nga vendet e tjera do të mund të vijnë në koncertet e ardhshme.

“Broshura e këtij festivali nuk do të paraqitet normalisht që në fillim, por do të publikohet kur të mbarojë, në janar apo në shkurt ,” shton artistja nga Durrësi, e cila nuk dorëzohet para vështirësive të panumërta të këtij viti ndryshe.

Edhe aktorët e teatrit “Aleksandër Moisiu” kanë gjetur një tjetër dritare për të mos i humbur lidhjet me ndjekësit e tyre.  Deri tani afro 30 artistë të skenës, por edhe intelektualë të pasionuar, i kanë dhënë jetë leximit televiziv të “Letrave të mbrëmjes” përzgjedhur nga autorë të njohur botërorë, një mënyrë origjinale për të ruajtur raportin mes artdashësve dhe artistëve në këto kohë standardesh shëndetësore të pazakonta.

Megjithatë mbrëmjet verore durrsake vijojnë të jenë të varfra, pasi alternativat artistike mungojnë. Të premten në mbrëmje, 10 minuta reshje verore shiu mjaftuan për t’i alarmuar organizatorët e një koncerti  në pishinën publike të qytetit.

“Për fat të mirë, gjithçka ndryshoi dhe shfaqja u zhvillua,” tha Nina Mila, një banore që e ndoqi koncertin nga ballkoni i shtëpisë së saj.

“Veçse ishte shumë trishtim,” shtoi ajo, pasi shikuesit ishin ulur larg njeri-tjetrit dhe në distancë me artistët.

Tamam atëherë kur spektatorët po kënaqeshin gjithçka u ndërpre, pasi kishte kaluar ora 20.00 e përcaktuar nga autoritetet si orari kufi në kushtet aktuale jo të zakonshme.

Ndërkaq, në shëtitore klarinetisti amator ka nisur të luajë përsëri meloditë e tij të përditshme. Askush nga artistët e rinj vendas nuk i bën konkurrencë dhe duket se ky sezon veror do të mbyllet pa alternativa muzikore në hapësirat publike.

Mbrëmja ka rënë plotësisht dhe ata që shëtisin akoma në shëtitoren e restauruar  të Durrësit kujdesen ku të venë këmbët, pasi ndriçuesit e projektit të ri të hapësirës buzë detit nuk janë instaluar ende.

Një hall tjetër ky, që i shtohet kufizimeve nga pandemia.