Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër dha masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 40 ditë për të dyshuarin për vrasjen e Lazër Arrës. I arrestuari mohoi akuzat.
Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër dha masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 40 ditë për Marash Arrën, i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e kushëririt të tij Lazër Arra. Masa e sigurisë me afat 40 ditë u kërkua nga prokuroria e cila tha se priste aktet e ekspertimit për rrobat dhe prova të tjera plotësuese. Në sallën e gjyqit i dyshuari ka mohuar akuzat për vrasje.
Prokurorja e çështjes Esmeralda Ndoci kërkoi të enjten masë sigurie, “arrest me burg” me afat 40 ditor për të pritur aktet e ekspertimit për rrobat e autorit të dyshuar dhe prova të tjera plotësuese që nuk kanë përfunduar ende. Në sallën e gjyqit prokurorja e çështjes ka paraqitur vetëm disa indicie duke qenë se pak minuta para vrasjes i dyshuari dhe viktima kanë qenë sëbashku dhe janë administruar bisedat telefonike të disa personave.
Vetë i dyshuari si autor i vrasjes ka deklaruar përpara gjykatës së nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e kushëririt të tij dhe ka mohuar çdo akuzë të ngritur nga policia dhe prokuroria. I dyshuari tha para gjykatës se nuk kishte qenë me viktimën në momentin e vrasjes, pasi ishte ndarë prej tij disa minuta më herët. Ai tha se ata po udhëtonin bashkë për të dërguar në Shkodër prodhimet e dimrit, por se ishin ndarë në rrugë pasi ai kishte nxituar që të ndalonte furgonin. Ai tha se kishte qenë në rrugën kryesore kur ka dëgjuar të shtënat dhe kur është kthyer ka gjetur kushuririn e tij të vrarë. “Krismat nuk më bënë shumë përshtypje sepse ndodh shpesh atje që të ketë krisma, por u shqetësova nga vonesa”, tregoi i arrestuari para gjykatës. Ai tha se nuk kishte qëlluar mbi kushuririn dhe nuk e dinte kush mund ta kishte bërë, pasi në rrugë nuk kishte parë asnjë njeri.
Pasi dëgjoi palët gjyqtarja Ermira Dedja vendosi “arrest me burg” me afat 40 ditë për të pritur aktet e ekspertimit për rrobat dhe prova të tjera plotësuese. Lazër Arra u vra rreth orës 10:00 të 21 tetorit në fshatin Palaj të njësisë Shosh në Dukagjin.