Bashkia e vogël minoritare e Pustecit mbetet prej vitesh në pritje të projekteve që do ngjallin shpresë për të rinjtë që emigrojnë, por ekonomia lokale e ndarë mes turizmit të vakët, peshkimit dhe uljes së çmimit të çajit të malit mbetet me sytë nga Tirana.
Disa vite më parë, Spase Tërpo, mësues historie në Pustec, qendër e bashkisë së minoritetit maqedonas buzë liqeneve të Prespës, foli me një grup turistësh që vërdalliseshin pa ndonjë qëllim në fshat. Turistët ishin kureshtarë të njihnin kulturën e zonës dhe mësuesi i historisë e kuptoi se nuk kishte si t’u vinte në ndihmë.
I nxitur prej këtij takimi, Terpo thotë se iu fut punës për të ndërtuar një muze modest në një pjesë të shtëpisë së tij. Hyrja në muze është falas, por vizitorët inkurajohen të dhurojnë diçka nëse kanë dëshirë. Të ekspozuara janë veshje, objekte, mobilje dhe gjithçka tjetër, që sipas mësuesit të historisë, daton nga fundi i shekullit XIX deri në vitet e komunizmit. Tërpo thotë se muzeun e ka ndarë në 3 pjesë.
“Hyrja e muzeut përmban foto të vjetra të familjes, më pas është dhoma me veshje dhe objekte të fund shek. XIX që tregojnë sesi të parët tanë kanë jetuar, ndërsa në një pjesë tjetër është dhe periudha e komunizmit,” shpjegon ai, duke treguar me dorë një televizor bardhë e zi të ekspozuar aty.
Muzeu i Tërpos është ndër të pakëtat përpjekje serioze për t’i dhënë njëfarë vlere turistike zonës, ku banorët e rralluar nga emigracioni e nxjerrin jetesën nga bujqësia, bimët medicinale dhe peshkimi.
Prej vitesh në fakt, investimi i vetëm në qendër të bashkisë së populluar nga minoriteti maqedonas, është një shesh i të ashtuquajturës “Rilindje Urbane”. Ndërkohë, një pjesë e rrugëve janë të prishura dhe ata pak banorë që jetojnë aktualisht në fshatrat e bashkisë së Pustecit i gjen duke u punuar në ngastrat e tokës.
Për turizëm është e vështirë të flitet. Shumica e vizitorëve janë ditorë dhe ata pak operatorë turistikë në zonë janë në vështirësi.
“Këtu nuk ka shumë mundësi,” thotë Aleksandri, pronar i një prej hoteleve të ndërtuar në fshat. Ai thotë se pandemia i përkeqësoi gjërat, që edhe ashtu nuk ishin mirë. “Vitet e tjera kemi punuar disi edhe me turistët e huaj që vinin për disa ditë, ndërsa këto dy vite pandemia e vështirësoi situatën edhe më shumë,” thotë Aleksandri.
Pali Kolevski, kryebashkiaku i Pustecit, është i vetëdijshëm për problemet, por thotë se ka gati projekte që do i mundësonin banorëve të mbetur aty një jetë më të mirë.
“Më kryesori nga projektet është ujësjellësi për çdo fshat. Do i japim njëherë e mirë zgjidhje këtij problem që është kryesori,” thotë kryebashkiaku. Ai shton gjithashtu se bashkia ka aplikuar edhe për projekte për kanalizimet. Vetë bashkia ka buxhet të vogël dhe shumica e projekteve presin financim prej Tiranës.
“Sepse nuk mund të bësh turizëm pa zgjidhur këtë problem, pa pasur liqenin e pastër,” thotë Kolevski.
Në “mëshirë” të liqenit
Pusteci dhe fshatrat e tij buzë liqenit të Prespës njihen si një prej zonave më të bukura turistike të Juglindjes. Natyra aty është thuajse e paprekur, bregu liqenor i lirë, pa çadra e pronarë që ta quajnë veten “zot” të tij. Liqeni që është zonë e mbrojtur është strehë për një mori gjallesash përfshi të famshmin Pelikan Kaçurrel.
Por infrastruktura e cungët e pamundëson përfitimin prej kësaj pasurie. Kjo i ka shtyrë shumë banorë të zonës t’i drejtohen peshkimit të krapit.
Gatimi i krapit në tavë me një lëng të veçantë i ka dhënë emër edhe Zaroshkës, një prej 8 fshatrave të kësaj bashkie banorët e së cilës prej vitesh përpiqen të bëjnë turizëm.
“Tava është ajo që ka marrë emër dhe që sjell turistë, por ata janë ditorë,” thotë Aleksandri.
Me peshkimin jetojnë gati 100 familje të kësaj bashkie, por edhe për ta nuk është e lehtë. Përveçse nisen me shpresën se liqeni do të tregohet zemërgjerë e do t’u japë ca peshk, mungesa e tregut ka filluar t’i shqetësojë peshkatarët.
“Tregu kryesor është në Korçë dhe lokalet këtu. Këta nuk marrin shumë se aq punë kanë dhe tani nga pandemia kërkojnë edhe më pak. Ndërsa në treg nuk na vijnë njerëzit për të blerë. Ndonjëherë shesim në rrugë, por nuk na lë policia bashkiake,” thotë Gjergji Ago. Peshkatari po ashtu ankohet për çmimin e naftës, që siç thotë ai është një barrë e rëndë për ta, ndërkohë që shpesh ata mund të kthehen edhe duarbosh nga liqeni.
Për të lehtësuar punën e peshkatarëve bashkia ka ndërtuar disa mole, por kjo nuk është ndihmë e mjaftueshme. “Gjithçka varet nga sezoni, ka herë që nuk nxjerrin asgjë, siç ka herë të tjera që iu del sa të mbajnë familjen. Kemi bërë disa takime me peshkatarët dhe ata ngrenë problem çmimin e karburantit, ndërsa ne i kemi mbështetur me ndërtimin e disa moleve. Edhe mundësitë tona janë të pakta për t’i ndihmuar,” pranon kryebashkiaku Kolevski.
Në mos peshk, çaj
Ata që nuk dalin dot me varka në liqen, përpiqen të sigurojnë të ardhura përmes bujqësisë e blektorisë. Për vite me radhë, çaji i malit që kultivohet në zonë, ka shërbyer si kultura kryesore për të mbajtur qindra familje. Por masivizimi i kultivimit ka sjellë ulje të çmimit dhe kjo i ka rënduar ekonomikisht kultivuesit e çajit.
Sipas të dhënave të bashkisë, aktualisht janë mbi 20 ha të mbjella me çaj mali nga 50-60 familje.
“Në fillim e shisnim me 10 mijë lekë kilogramin, vjet e shitëm me 5 mijë, ndërsa këtë vit po na e marrin me 500 lekë të vjetra,” ankohet Nikolina Dine, një 59-vjeçare që kultivon bimën.
“Ne me këtë jetojmë dhe kur shesim ndonjë viç,” shton gruaja. Ajo tregon se ka një vajzë në shkollë dhe një pjesë e të ardhurave shkojnë për të mbajtur atë dhe se rënia e çmimit e kishte dekurajuar. “Burrë e grua me këtë merremi kemi kaq vite. Tani s’ia vlen as ta mbjellim më,” thotë ajo.
Në bashki na thonë se çmimi është ndikuar nga rritja e sipërfaqes së mbjellë me çaj. Duke u rritur sipërfaqja e kultivuar dhe prodhimi, çmimi ra pikiatë.
Kryetari i bashkisë thotë se mundësitë për të ndërhyrë e ndihmuar banorët janë të vogla. Si rrjedhojë e një buxheti të vogël dhe të ardhurave të pakëta që siguron nga biznesi, bashkia ka bërë vetëm disa punë komunale për të lehtësuar punën e banorëve në bujqësi.
Kryebashkiaku megjithatë kërkon një dozë optimizmi. Ai kujton ndërtimin e muzeut të shkrimtarit Sterjo Spase në fshatin Gollomboç si dhe shpresën për rritjen e numrit të turistëve me largimin e pandemisë. Por investimet serioze janë ende projekte dhe emigrimi masiv, ashtu si në shumë pjesë të tjera të vendit, tregon se pak prej të rinjve duan të presin aq gjatë.