Lajm20 Apr 2017

Në zgjedhje pa koalicione, KQZ rrëzon kërkesën e PS dhe LSI

Me një deklaratë surprizë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi kërkesën e dy partive të maxhorancës për shtyrjen e afatit për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore duke sugjeruar se PS, LSI dhe PDIU do të duhet të paraqiten në zgjedhje efektivisht si parti më vete.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i KQZ, Denar Biba dhe anetaret Gezim Veleshnja, Edlira Jorgaqi, Bledar Skenderi, Hysen Osmanaj, Vera Shtjefni dhe Klement Zguri. Foto: Malton Dibra/LSA

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi poshtë pa një vendim formal kërkesën e pazakontë të hedhur nga dy partitë kryesore të maxhorancës qeverisëse, PS dhe LSI, për shtyrjen e afatit për krijimin e koalicioneve zgjedhore, duke sjellë efektivisht ndarje të koalicionit mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Mungesa e koalicionit pritet të sjellë ndryshime të shumta në rezultatin zgjedhor të 18 qershorit, për shkak se sistemi aktual disfavorizon partitë që konkurrojnë më vete në krahasim me partitë që konkurrojnë në koalicione. Për rrjedhojë, partitë e vogla të koalicionit si LSI dhe PDIU mund të marrin më pak deputetë nga votat që do të arrijnë në mbledhin ndërsa pozicioni i socialistëve mund të përmirësohet ndjeshëm.

Kodi zgjedhor përcakton se partitë politike që dëshirojnë të konkurrojnë në koalicione zgjedhore duhet të regjistrohen si të tilla jo më vonë se 60 ditë nga data e zgjedhjeve, afat që u ezaurua të mërkurën në darkë. Por në vend që të paraqisnin listën e partive në koalicion, koalicioni aktual qeverisës dërgoi një kërkesë te KQZ ku lutej për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve me disa ditë.

Debati i zhvilluar gjatë ditës së sotme në KQZ qe përplot kontradikta. Përfaqësuesi i Partisë Socialiste Edirian Salianji deklaroi se kërkesa për shtyrjen e afatit për koalicionin rridhte nga dëshira e maxhorancës për të krijuar një mënyrë tjetër për regjistrimin në zgjedhje. Afati për regjistrimin e partive të opozitës në zgjedhje ka mbaruar para dhjetë ditësh dhe opozita ka deklaruar se do t’i bojkotojë zgjedhjet e 18 qershorit.

Salianjit iu desh të lodhej për të shpjeguar kërkesën e pazakontë për shkeljen e një ligji që është eksplicit si Kodi Zgjedhor. Atij iu desh të argumentonte nga njëra anë se vendi gjendet në situatë të jashtëzakonshme për shkak të bojkotit të opozitës ndërsa nga ana tjetër, duhej t’i mbahej qëndrimit të Partisë Socialiste se vendi aktualisht nuk gjendet në krizë dhe se zgjedhjet do të zhvillohen normalisht më 18 qershor.

“Shtyrja e afatit për disa ditë nuk e cënon procesin zgjedhor, nuk e cënon kushtetutën. Është një afat jo i gurtë, është një afat në një situatë normale detyrimisht duhet të respektohet… Për ne është më e rëndësishme zbatimi i kushtetutës, dmth i datës 18 qershor….” Por i pyetur për faktin se si mund të justifikohet shkelja e ligjit kaq hapur, Salianji tha se “shkelja duhet të jetë në masën që të mos cënojë zgjedhjet.”

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike Ivi Kaso u gjend ekzaktësisht në të njëjtën kontradiktë, ku nga njëra anë falënderoi maxhorancën se po pranon ekzistencën e krizës politike dhe institucionale të vendit dhe nga ana tjetër, kërkoi që afatet e përcaktuara nga kodi zgjedhor të respektoheshin e të mos shkeleshin.

“Kërkesa për nga baza ligjore nuk dihet a është për të qeshur apo për të qarë. Ligji është i qartë, jo më vonë se 70 ditë dhe jo më vonë se 60 ditë. Nuk pranohet dhe pikë,” tha Kaso.

Me pak fjalë, Partia Socialiste argumentoi për nevojën për shkeljen e afatit të koalicioneve ndërsa hodhi poshtë edhe një herë kërkesën e opozitës për shtyrjen e zgjedhjeve të 18 qershorit ndërsa Partia Demokratike vijoi të këmbëngulë për shtyrjen e zgjedhjeve, por kërkoi që të mos shkelet afati i koalicioneve.

Anëtarë të ndryshëm të KQZ-së nga e majta dhe nga e djathta argumentuan sipas përkatësisë politike pro dhe kundër shtyrjes së afatit. “Katër, pesë apo gjashtë njerëz në KQZ nuk mund të gjykojnë për shkeljen e një ligji si Kodi Zgjedhor, i cili miratohet në parlament me tre të pestat,” deklaroi Klement Zguri, anëtar i KQZ për opozitën.

Një anëtar i maxhorancës iu përgjigj duke argumentuar se përderi sa Partia Demokratike ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve, kërkesa për shtyrjen e afatit të koalicioneve qe krahasimisht një ‘shkelje ligjore më e vogël’.

Kryetari i KQZ Denar Biba deklaroi në fund se institucioni i drejtuar prej tij nuk e sheh të mundshme që të marrë një vendim për një kërkesë të tillë, efektivisht duke i dhënë fund diskutimeve dhe duke i çuar partitë politike për herë të parë në zgjedhje pa koalicione.