Opinion21 Jan 2021

Nën drejtimin e Biden, Ballkani mbetet një pikë e nxehtë në marrëdhëniet SHBA-Rusi

Shtetet e Bashkuara nën drejtimin e Joe Biden nuk duhet të mbyllin një sy ndaj provokimeve të Rusisë në Kosovë dhe në të gjithë Ballkanin në këmbim të marrëveshjeve të tjera me të në fusha të tjera.

Autor: David L. Phillips BIRN
Printo

Flamuj amerikanë. Foto: Pxhere.

Administrata Biden përballet me një sërë sfidash përsa i takon marrëdhënieve me Rusinë.

Ajo duhet të rinovojë Traktatin e Ri për Reduktimin e Armëve Strategjike, START, të adresojë sulmet kibernetike të kohëve të fundit dhe të parandalojë provokimet rajonale të Rusisë në Siri dhe Mesdheun lindor. Kosova është gjithashtu një pikë e nxehtë që mund të përshkallëzohet, duke përfshirë SHBA-në dhe Rusinë në një konfrontim më të gjerë.

Mos prisni një ndryshim në marrëdhëniet SHBA-Rusi. Megjithatë, të dy palët do të kërkojnë një gjuhë të përbashkët për të shmangur konfrontimin përshkallëzues. Kontrolli i armëve do të jetë një përparësi.

START-i i ri skadon më 5 shkurt 2021. Bisedimet bilaterale mund ta zgjasin traktatin për një vit, ndërsa SHBA-ja dhe Rusia negociojnë një marrëveshje më të gjatë dhe më të qëndrueshme.

START-i i ri është i ndërlikuar nga ngritja e Kinës si një fuqi bërthamore. SHBA-ja dhe Rusia duan të parandalojnë modernizimin e Kinës të forcave të saj strategjike bërthamore, e cila përfaqëson një zonë të mundshme për bashkëpunim midis Moskës dhe Uashingtonit. START-i i ri mund të përfshijë objektiva për mospërfshirjen e Kinës në një marrëveshje trepalëshe, ose mund të përfshijë marrëveshje dypalëshe midis Pekinit dhe Moskës dhe midis Pekinit dhe Uashingtonit.

Ndërsa punon me Rusinë, administrata Biden do t’i përgjigjet luftës së keqe kibernetike të Rusisë. Joe Biden është zotuar të vendosë kosto të konsiderueshme për Rusinë për sulmet e saj kibernetike, të cilat depërtuan në 250 agjenci të qeverisë amerikane, infrastrukturë kritike dhe njësi të sektorit privat. SHBA-ja duhet të veprojë me forcë dhe maturi për ta ndëshkuar Rusinë për veprime të tilla.

Bashkëpunimi në Arktik

Presidenti rus Vladimir Putin. Foto: Pixabay.

Çështjet rajonale mund të jenë një platformë për bashkëpunimin SHBA-Rusi. Arktiku është një zonë ku të dy vendet mund të punojnë së bashku.

Rusia ka më shumë se 7,000 milje vijë bregdetare në Arktik. Për të rritur interesat e saj, militarizimi i Arktikut nga Rusia përfshin një flotë nëndetëse në Atlantikun e Veriut, bateri raketash në bregdet dhe sisteme të mbrojtjes ajrore. SHBA-ja është përgjigjur duke rritur patrullat në Detin Barents nga Flota e 2-të dhe e 6-të e Marinës Amerikane.

Këshilli i Arktikut, i kryesuar nga Rusia deri në vitin 2023, është një platformë për bashkëpunim shumëpalësh dhe të bazuar në konsensus në fushat e sigurisë, ekonomisë dhe atë të mjedisit. Ndërsa administrata Biden i ribashkohet Protokollit të Parisit mbi Ndryshimet Klimatike, ajo mund ta fuqizojë Këshillin e Arktikut me përgjegjësi të zgjeruara mbi çështjet klimatike dhe çështje të tjera.

Edhe nëse SHBA-ja dhe Rusia gjejnë një gjuhë të përbashkët në Arktik, në fusha të tjera ka më shumë gjasa të ketë kontestim sesa bashkëpunim. Mesdheu Lindor mund të jetë një pikë e nxehtë.

Rusia mbështetet në tranzitin përmes Detit të Zi në Mesdheun Lindor për të pasur qasje në Oqeanin Indian përmes Kanalit të Suezit.

Në të njëjtën kohë, NATO e shikon Mesdheun lindor si krahun e saj jugor. Në dritën e marrëdhënieve të përkeqësuara të Uashingtonit me Turqinë, SHBA-ja dhe Rusia mund të bashkëpunojnë për të stabilizuar Mesdheun lindor. Megjithëse Turqia është një anëtare e NATO-s, SHBA-ja mund të forcojë bashkëpunimin me Rusinë përsa i takon çyshtjeve të sigurisë, që do të kishte përfitimin e shtuar të përparimit të interesave të Greqisë, Qipros dhe Izraelit.

Sigurisht, presidenti rus Vladimir Putin do t’i rezistojë çdo veprimi që çon para axhendën e NATO-s. Qëllimi kryesor i Putinit është të heqë sanksionet e vendosura nga Perëndimi në përgjigje për marrjen e Krimesë nga Rusia.

Ballkani ende një çështje delikate

Një flamur i korporatës energjetike shumëkombëshe ruse Gazprom.

Me Sirinë dhe Ukrainën relativisht në qetësi, ka më shumë të ngjarë që Putini të përqendrohet te Kosova si vija e frontit të axhendës anti-amerikane të Rusisë.

Putini ka një mëri të zhurmshme për ndërhyrjen e NATO-s në 1999, si dhe rolin e Uashingtonit në koordinimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008. Ai dëshiron të parandalojë që vendet të integrohen në BE dhe NATO dhe të adoptojnë një demokraci të stilit perëndimor.

Për këtë qëllim, Kremlini pengon fuqimisht përpjekjet e Kosovës për të fituar një njohje më të madhe globale. Ai përdor anëtarësimin e tij të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Rusia ka veton, për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organin botëror.

Ai minon gjithashtu dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, këmbëngul që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të miratojë çdo marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës.

Përveç mbështetjes së saj diplomatike, Rusia e ka armatosur Serbinë me armë të sofistikuara sulmuese. Këto përfshijnë avionë MiG-29, me raketa moderne, radarë dhe sisteme komunikimi, si dhe tanke dhe automjete të blinduara. Serbia gjithashtu kërkon sisteme anti-ajrore BUK dhe raketa S-300 tokë në ajër.

Lidhjet e gjera tregtare përfshijnë sektorin e energjisë. Serbia importon gati dy të tretat e naftës dhe gazit të saj nga Rusia. Gazprom, një korporatë energjetike shumëkombëshe ruse, ka një pozicion të rëndësishëm në kompaninë shtetërore të energjisë të Serbisë. Gazprom është kompania më e madhe e Rusisë për sa i përket të ardhurave.

Ballkani është një çështje delikate. Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë rrezikuan të ndizeshin në janar 2017 kur Beogradi dërgoi në mënyrë provokuese një tren të prodhuar nga Rusia në Mitrovicë, në veri të Kosovës, i cili ishte zbukuruar me tabela me shkrim cirilik dhe në gjuhën ruse në të cilat shkruhej “Kosova është Serbi”. Kur qeveria e Kosovës kundërshtoi, Serbia kërcënoi me veprime ushtarake.

Serbët e Kosovës gjithashtu ndërtuan një mur në Mitrovicë dhe kërcënuan të shkëputeshin. Ata e mbuluan murin me postera të Putinit. Tensionet u përkeqësuan nga propaganda anti-NATO e përhapur nga Sputnik, një konglomerat mediatik i financuar nga Kremlini me një qendër kryesore në Beograd. Ekosistemi serb i informacionit është i përmbytur me propagandë anti-NATO.

SHBA-ja beson se Rusia ka një qendër në Nis, Serbi e jugut, që shërben si një bazë spiunimi e përdorur për të monitoruar aktivitetet perëndimore në rajon. Moska mohon spiunazhin, duke këmbëngulur se baza përdoret për të ndihmuar në çështjet e përmbytjeve dhe për të luftuar zjarrin në pyje.

Rusia kontribuon në paqëndrueshmërinë në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ajo mbështeti një referendum polemik nga serbët e Bosnjës në Bosnjë dhe Hercegovinë që përgatiti skenën për shkëputjen e Republikës Srpska.

Në Maqedoninë e Veriut, Rusia pretendohet se koordinoi një sulm fizik ndaj ligjvënësve pro-perëndimorë në 2017, ndërsa në Malin e Zi 20 agjentë serbë u arrestuan për organizimin e një grushti shteti në 2016 dhe qeveria akuzoi “organet shtetërore” ruse për bashkëpunim.

Putini përshëndet solidaritetin sllav dhe ortodoks. Por atij nuk i intereson shumë Serbia. Për Putinin, Ballkani përfaqëson një pjesë të ndjeshme të Perëndimit. Përfshirja e SHBA-së në konfliktet rajonale i shërben axhendës më të gjerë gjeopolitike të Putinit.

SHBA-ja dhe Rusia gjetën fusha për bashkëpunim gjatë Luftës së Ftohtë. Pavarësisht marrëdhënies së tensionuar që këto dy vende kanë sot, ka ende mundësi për angazhim selektiv për ta bërë marrëdhënien mes tyre më të parashikueshme dhe transparente.

Administrata Biden duhet të tregohet tepër e vëmendshme dhe e kujdesshme, duke punuar me aleatët europianë në përgjigje të provokimeve të Rusisë në Kosovë dhe gjetkë. Ajo nuk duhet të bëjë një sy qorr para ndërhyrjes së Rusisë në Kosovë dhe në vende të tjera rajonale në këmbim të një START-i të ri apo të zbutjes së sanksioneve mbi luftën kibernetike të Rusisë.

Mendimet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.