Reportazh24 Mar 2020

Nën karantinë nga COVID-19, kryeqyteti zbulon kënaqësinë e ajrit të pastër

Masat drastike të distancimit social, të marra si pjesë e përpjekjes për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri e kanë ulur ndjeshëm ndotjen e ajrit në Tiranë; megjithatë ekspertët paralajmërojnë se pasojat e padukshme të ndotjes historike mund të rezultojnë vdekjeprurëse për ata që infektohen nga COVID-19.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Kjo foto e postuar nga gazetari Blendi Salaj me 17 mars  nga dritarja e zyrës së tij- e cila tregone rënien e ndotjes në Tiranë,  u bë virale duke marrë mijëra reagime në Facebook

Puna në televizionin A2 CNN – studiot e të cilit ndodhen në katin e 13 të një prej kullave më të larta në Tiranë, i jep një këndvështrim të privilegjuar mbi ndotjen e ajrit në kryeqytet gazetarit dhe moderatorit popullor, Blendi Salaj.

Pasi mbaroi emisionin e tij të mëngjesit ‘Dita Jonë’ më 17 mars, Salaj u befasua këndshëm nga Tirana pa smog dhe linjat e qarta të maleve të Krujës, që i shihte nga dritarja e qiellgërvishtësit ku punon; një përjetim që ai e ndau me ndjekësit e shumtë të tij në rrjetet sociale.

“Reagimi ishte më shumë seç prisja, sepse ishte thjesht një foto e bërë nga dritarja e një dite të bukur, e një dite me ajër të pastër,” kujton Salaj, duke iu referuar reagimit të ndjekësve ndaj postimit të tij në rrjetet sociale.

“Por kur pashë që kishte tërhequr shumë vëmendje, se si njerëzit kishin vënë shenjat e zemrës, që e donin këtë gjë, më erdhi mirë,” shtoi ai.

Për shkak të masave drastike të marra nga qeveria shqiptare për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri COVID-19 – përfshirë ndalimin e qarkullimit të automjeteve, ndotja e ajrit në Tiranë ka rënë ndjeshëm gjatë javës së fundit, duke sjellë një anë pozitive në mes kufizimeve drastike të vendosura mbi jetën e banorëve e kryeqytetit nga pandemia.

Edhe pse të dhënat satelitore të monitorimit të ajrit në Shqipëri dhe në vende të tjera të Europës tregojnë që ndotja ka rënë ndjeshëm pas ndalimit të qarkullimit të automjeteve si pasojë të masave të marra kundër virusit, ekspertët paralajmërojë se personat që jetojnë në qytete të ndotura si Tirana, janë më të kërcënuar nga COVID-19.

“Ky është një fenomen që ne e kemi konstatuar në të gjithë botën – në Kinë për shembull. Por në mënyrë të veçantë, në Italinë e Veriut,” thotë Zoltan Massay-Kosubek nga Aleanca Europiane për Shëndetin Publik (EPHA), një nga grupimet më të mëdha të organizatave për shëndetin publik, të drejtave të pacientëve dhe profesionistëve të shëndetësisë në kontinent. “Ky është një nga rajonet më të ndotura në Europë dhe jo rastësisht, një nga vendet ku COVID-19 ka qenë më vdekjeprurës,” shtoi ai.

Ndotja e ajrit lidhet ngushtë me një seri sëmundjesh, të cilat mjekët kanë filluar t’i lidhin me shifrat e larta të vdekshmërisë nga COVID-19 dhe ekspertët paralajmërojnë se megjithë ajrin e pastër që po shijojmë në Tiranë gjatë javës së fundit, dëmi i bërë mbi shëndetin e banorëve të kryeqytetit gjatë dekadave është i pakthyeshëm.

Nivel i lartë ndotje

Të dhëna mbi ndotjen e ajrit në Tiranë publikohen nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe bashkia e kryeqytetit, por të parat nuk janë të shpeshta dhe transparente, ndërsa të dhënat e bashkisë janë të pacertifikuara. Ndërkohë, sipas raporteve të pavarura të monitorimit të ndërmarra nga organizatat e shoqërisë civile, niveli i ndotjes së ajrit në kryeqytet i tejkalon nivelet e lejuara nga Bashkimi Europian dhe legjislacioni shqiptar.

“Niveli i ndotjes është shumë shqetësues në momentin që standardet që janë vendosur nga Bashkimi Europian, qoftë edhe nga legjislacioni shqiptar tejkalohen,” shprehet aktivistja mjedisore Besiana Guri.

“Në Tiranë në kushtet normale, domethënë jo në këto kushte që flasim sot, niveli i ndotjes është gjithmonë më i lartë se standardi ose tavani që është përcaktuar në legjislacionin e Bashkimit Evropian,” shtoi ajo.

Sipas gazetarit Blendi Salaj, nga lartësia e ndërtesës shumëkatëshe ku ai punon, ndotjen e ajrit në kryeqytet gati mund të prekësh me dorë në një ditë të zakonshme.

“Zakonisht është një smog që duket sikur mund të presësh me thikë, një gjë gati bojë vishnje që pluskon mbi Tiranë,” kujton Salaj, duke shtuar se kjo re që e mbështjell qytetin si ‘batanije’ është zhdukur ditët e fundit dhe nga dritarja ka soditur me kënaqësi malet e Krujës si kurrë më parë.

“Nëqoftëse shikon drejt verilindjes, andej shikohen hollësi që nuk dallohen zakonisht dhe çdo gjë është bërë më e qartë, është e dukshme, njerëzit dhe nga poshtë mund ta dallojnë që është tjetër cilësi ajri,” shtoi ai.

Aktivistja Besiana Guri bie dakord, duke nënvizuar se ndotja e ajrit në kryeqytet është e dukshme dhe vjen kryesisht si pasojë e shkarkimit të gazrave të automjeteve.

“Siç dihet, në Tiranë por jo vetëm, në qytet e mëdha, makinat janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit, dhe është një nga ndotësit më të rrezikshëm, por në të njëjtën kohë më të kuptueshëm,” tha ajo.

“Të gjithë ne mund të ndjejmë ndotjen që vjen nga smogu, pra nga tymi i makinave, qoftë në zonat që janë kryqëzimet e rrugëve kryesore apo në zonat e mbipopulluara, qoftë dhe nëse ne dalim në malin e Dajtit dhe shikojmë nga lart – ndotja është shumë e dukshme dhe shumë e madhe,” shtoi Guri.

Rrezik nga COVID-19

Sipas shkencëtarëve, personat që jetojnë në qytete të ndotura janë më të rrezikuar nga përhapja e koronarovirusit të ri COVID-19, pasi ndotja e ajrit lidhet me një seri sëmundjesh respiratore, hipertensionin dhe diabetin – komplikacionet e të cilave janë lidhur me vdekshmëri më të lartë nga virusi.

“Pacientët me sëmundje kronike të mushkërive dhe zemrës, të shkaktuar ose të përkeqësuara nga ekspozimi afatgjatë ndaj ndotjes së ajrit, janë më pak të aftë t’i luftojnë infeksionet e mushkërive dhe kanë më shumë gjasa të vdesin,” shprehet doktoresha Sara De Matteis, Profesore e Asociuar e Mjekësisë në Universitetin e Cagliarit.  “Kjo ka të ngjarë të ndodhë edhe për Covid-19,” shtoi ajo.

Aleanca Europiane për Shëndetin Publik deklaron se ndotja e ajrit është një nga kërcënimet më të mëdha ndaj shëndetit të popullatës në Europë.  Zoltan Massay-Kosubek, menaxher politikash për ajrin e pastër dhe lëvizshmërinë në EPHA, i tha BIRN se fatkeqësisht edhe pse ajri në Tiranë është duke u pastruar ditët e fundit, dëmi nga ndotja historike tashmë është bërë.

“Tani që sëmundja është këtu, ndotja e ajrit bëhet e prekshme,” tha ai. “Trupi nuk mund të kthehet mbrapsht në periudhën ku ishte i padëmtuar nga ndotja, sepse ky nuk është më një opsion,” shtoi ai.

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm në Detyrë të EPHA-së, Sascha Marschang, qeveritë në Europë duhej të ishin përballur me ndotjen e ajrit prej dekadash, por ato për një kohë të gjatë e kanë vendosur prioritetin te ekonomia mbi shëndetin, në mënyrë të veçantë duke lejuar qarkullimin e mjeteve ndotëse të transportit.

“Shkenca na tregon se epidemitë si Covid-19 do të ndodhin me frekuencë në rritje,’ tha Marschang nëpërmjet një deklarate për shtyp. “Pastrimi i rrugëve [nga mjetet ndotëse] është një investim themelor për një të ardhme më të shëndetshme,” shtoi ai.

Moment reflektimi

Ndërkohë në Tiranën nën shtetrrethim, ku qytetarët janë izoluar për të shmangur përhapjen e COVID-19 – virus i cili deri të martën kishte infektuar 123 persona në të gjithë vendim dhe ka shkaktuar 5 viktima, aktivistët mjedisorë shpresojnë se periudha e ndalimit të automjeteve të shërbejë si një moment reflektimi për vendimmarrësit dhe qytetarët.

“Shpresoj që kjo periudhë t’u shërbejë të gjithëve – nga njerëzit e thjeshtë e deri tek vendimmarrësit, si periudhë reflektimi për mjedisin dhe problematika të tjera, për të ndryshuar mënyrën e sjelljes ose mënyrën e marrjes së masave për ndotjen e ajrit në Tiranë dhe në qytetet e tjera të mëdha,” tha Besiana Guri.

Guri, e cila drejton fushatat e komunikimit të organizatës mjedisore Eco Albania, shprehet se qytetarët e Tiranës dhe vendimmarrësit duhen ndryshojnë qasje ndaj ndotjes së ajrit, pasi pandemia të ketë kaluar.

“Tek njerëzit e thjeshtë, çdo gjë mund të fillojë me veprime shumë të vogla, qoftë duke e evituar më shumë makinën, duke bërë sa më shumë ecje në këmbë, ndërsa nga institucionet duhet të përmirësohet transporti publik dhe infrastruktura për biçikletat,” tha ajo.

“Shëndeti i njeriut është parësori, sot po e kuptojmë më shumë se kurrë se sa i rëndësishëm është shëndeti,” shtoi ajo.

Zoltan Massay-Kosubek nga EPHA mëton se Europa dhe Shqipëria si pjesë e saj duhet të përdorin në të ardhmen mjete transporti më pak ndotëse, pasi transporti është mbase mënyra më e shpejtë për ta zgjidhur krizën e ndotjes së ajrit.

“Ka arsye të mira për të hequr dorë nga transporti i bazuar tek motori me djegie të brendshme drejt një forme transporti më të pastër,” tha ai, duke shtuar se edhe publiku duhet të përdorë më shumë ato që janë format më të sigurta të transportit – të ecurit, biçikletën dhe transportin publik. “Qytetet gjithashtu duhet të ridizenjohen për të tejkaluar fazën ndotëse të transportit,” përfundoi Kosubek.

Edhe gazetari Blendi Salaj mendon se periudha e karantinës dhe ajri i pastër gjatë këtyre ditëve duhet të jetë një moment kthese për ndotjen në Tiranë.

“Absolutisht që këto janë gjëra që duhet të na bëjnë që të mendojmë, jemi duke përjetuar me të vërtetë diçka që do të donim ta kishin gjithmonë, është shumë më mirë si cilësi e qytetit, e ajrit që thithin të gjithë,” tha ai.

“Është më mirë, është më e shëndetshme dhe ndjehet sa herë që merr frymë – dhe kjo ndodh shpesh,” përfundoi Salaj.