Lajm28 Dec 2018

Nën telashe nga protestat, kryeministri shqiptar ndryshon qeverinë

Shtatë ministra humbën vendet e tyre të punës në ndryshimin e parë masiv të qeverisë në pesë vjet pasi protestat studentore masive nxorrën në pah pakënaqësi të mëdha popullore kundër qeverisë, duke kurorëzuar një vit të mbushur me protesta dhe skandale.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Shtatë nga katërmbëdhjetë ministrat e qeverisë u shkarkuan nga detyra nga Kryeministri Edi Rama të premten ndërsa ai u përpoq të shmangte përgjegjësitë pas një viti të mbushur me protesta popullore kundër politikave të tij qeverisëse. Rama mblodhi Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste sot në Tiranë dhe pretendoi se ndryshimet “nuk ishin pasojë e dështimeve”.

Në një fjalim që zgjati mbi një orë dhe që i parapriu shkarkimeve dhe emërimeve, Rama u përpoq t’ia hedhë fajin “dobësive të opozitës”, gjë që sipas tij, nuk shtyn për ndryshime dhe e bën qeverinë të humbasë reflekset, fajësoi median, të cilën e cilësoi sërish si “kazan” se nuk ka pasur sy për të parë sukseset ekonomike të arritura nga ministri i tij i financave si dhe fajësoi funksionarët e partisë së tij për krijimin e asaj që e quajti “kastë televizive”.

Mes të zëvendësuarve, Ministri i Financave Arben Ahmetaj, në detyrë ministri që nga vitit 2013, u shkarkua krahas Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, i cili së fundmi është përballur me protestuesit e zonës së Unazës së Re, të cilët e kanë quajtur “hajdut” dhe kanë kërkuar hetimin dhe arrestimin e tij për shkak të skandalit të kompanisë fantazmë DH Albania. Zëvendësuesit janë Anila Denaj, një ish drejtuese në bankën Procredit dhe aktualisht drejtoreshë në Ministrinë e Financave dhe Belinda Balluku, drejtoresha aktuale e Albkontrollit, kompanisë shtetërore të menaxhimit të hapësirës ajrore civile në Shqipëri.

Para se të largonte Gjiknurin, Rama e lavdëroi atë dhe duket se paragjykoi rezultatin e hetimit mbi skandalin DH Albania duke shpallur se “e vërteta do të zbardhet deri në fund” dhe se “Gjiknuri do të dalë i pastër”.

Ministrin i Jashtëm Ditmir Bushati u zëvendësua nga Gent Cakaj, i cili është edhe shtetas i Kosovës.

Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla u zëvendësua nga Besa Shahini, gjithashtu nga Kosova dhe që është zëvendësministre e arsimit që nga viti 2017.

Rama arriti rezultatet më të mira zgjedhore më 2017, të cilat i dhanë atij shumicën e parë parlamentare që vendi ka parë që nga viti 2001, por protestat dhe skandalet pasuan menjëherë këtë sukses. Në tetor 2017, ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u akuzua zyrtarisht për trafik ndërkombëtar droge ndërsa në ditët e fundit të viti 2017, rreth 200 punonjës të industrisë së naftës marshuan në Tiranë duke kërkuar pagat e papaguara.

Dy partitë kryesore në opozitë premtuan “mosbindje civile” në fillim të vitit 2018 por protestat erdhën më së shumti nga jashtë politikës partiake. Në mars, protestuesit e zemëruar dogjën vendpagesat e Rrugës së Kombit ndërkohë që Ministri i ri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u përball me pyetje mbi dënimin e vëllait të tij në Itali për trafik droge.

Ky vit u kurorëzua me një protestë masive studentësh dhe nga një skandal tjetër. Një kompani fantazmë me emrin DH Albania fitoi dy kontrata punësh publike me vlerë 30 milionë euro në Shqipëri duke përdorur dokumente të falsifikuara.

I pasfiduar nga një opozitë në përgjithësi e dobët, Rama reflektoi mbi këtë vit të vështirë duke ia hedhur fajin vetë partisë së tij për shkëpytje nga realiteti.

“Studentët nuk na besojnë ne,” u ankua Rama. “Të rinjtë kanë turp të thonë: Jemi nga forumet”, reflektoi ai mbi protestën e studentëve, e cila nxori në pah jo vetëm kushtet e vështira ekonomike me të cilat përballen shumë nga shqiptarët por edhe një hendek të madh mes politikës partiake dhe gjeneratës së re.

Udhëheqësi i opozitës Lulzim Basha i komentoi ndryshimet si “fasadë”.

“Ndryshimet tregojnë se Partia Socialiste është bërë një grup njerëzish të aftë vetëm për të duartrokitur Edi Ramën, i cili merr vendime vetëm për interesat e veta,” tha Basha.

“Peshku qelbet nga koka,” shtoi ai.