Përpjekjet e Presidentit të SHBA Donald Trump për të treguar muskujt e Amerikës përmes përdorimit të tarifave na shpie pas në një nga periudhat më të errëta në historinë moderne. Gjatë Depresionit të Madh, qeveritë e Britanisë dhe Francës ndoqën një politikë të ngjashme, e cila armiqësoi ata që mund të ishin aleatë dhe fuqizoi Gjermaninë Naziste.
Kur vendet bëhen nervoze mbi sigurinë e tyre, ata shpesh këmbëngulin se kanë nevojë të reduktojnë varësinë nga produktet e huaja, të shkurtojnë zinxhiret e furnizimit dhe të prodhojnë më shumë mallra brenda vendit. Por a mundet që proteksionizmi me të vërtetë të përmirësojë sigurinë? Tani që bota po vërtitet në prag të një lufte tregtare të shkallës së gjerë, ne duhet të ekzaminojmë disa nga argumentit të bëra në favor të proteksionizmit dhe pastaj të rishohim luftën më të madhe tregtare të shekullit të njëzetë.
Ka tendencë të ketë shumë hipokrizi në debatet mbi tregtinë. Tarifat e importit dhe masa të tjera të ngjashme shpesh prezantohen si mjete të leverdisshme të politikës së jashtme dhe që i shërbejnë të mirës së përbashkët. Por nëse dikush sheh te retorika e përdorur në të shkuarën, është e qartë se masa të tilla me të vërtetë shpërblejnë votues të caktuar dhe përbëjnë njëkohësisht një formë të pandershme taksimi.
Presidenti i SHBA Donald Trump mund të argumentojë se një luftë tregtare është një mjet për një qëllim. Në mendjen e tij, tarifat janë përgjigje e arsyeshme ndaj praktikave të pandershme monetare apo kërcënimeve të sigurisë kombëtare. Por, natyrisht, ka gjithashtu një llogari për politikë të brendshme: konkretisht, tarifat do të ndihmojnë prodhues të caktuar dhe votuesit duke i bërë mallrat e konkurrentëve të tyre më të shtrenjta. Problemi është se tarifat në mënyrë të pashmangshme detyrojnë konsumatorët vendës të paguajnë faturën për këtë subvencionim, duke paguar çmime më të larta.
Nuk ka asgjë të re në deklaratën e Trump se “Luftërat tregtare janë të mira dhe të lehta për t’u fituar.” Dhe kjo do të thotë se ne mund ta testojmë këtë pretendim duke e krahasuar me të dhënat historike. Kur Neville Chamberlain po shërbente si Kancelar i Thesarit të Britanisë më 1932, ai përmbysi pozicionin njëshekullor të vendit të tij si kampion i tregtisë së lirë. I shqetësuar për deficitet afatgjata të Britanisë, ai njoftoi një sistem të ri proteksionizmi, me shpresë se kjo do t’i shërbente “për negocimin me vendet e huaja, të cilat nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje sugjerimeve tona.”
Chamberlain doli në konkluzionin se ishte “e kujdesshme që të armatoseshim me një instrument i cili së paku do të ishte po aq efikas sa edhe ato që mund të përdoren për të na diskriminuar në tregjet e huaja”. Në këtë mënyrë ai po i hapte rrugën Luftës së Dytë Botërore. Politika e tij e tregtisë dobësoi Britaninë dhe fuqizoi Gjermaninë. Dhe brenda vetëm gjashtë vitesh, politika e tij ndaj Gjermanisë u kthye në pajtim me të deri sa arriti kulmin me Marrëveshjen e Mynihut më 1938, të cilën Hitleri e hodhi poshtë vetëm gjashtë muaj më vonë duke shkatërruar atë që kishte mbetur nga Çekosllovakia dhe duke e vënë atë nën kontrollin e Rajhut të Tretë.
Vitet mes dy luftërave u dominuan nga frika e ringritjes nacionaliste të Gjermanisë. Për fuqitë Perëndimore, kufizimi i Gjermanisë kërkonte ose një sistem aleance ose një pakt sigurie të përbashkët. Franca pëlqeu opsionin e parë dhe advokoi për një organizim në të cilin aleanca e saj me Poloninë, plus “Ententa e Vogël” e Çekosllovakisë, Rumanisë dhe Jugosllavisë, do të shërbenin për të kufizuar si ekspansionizmin gjerman ashtu edhe atë hungarez. Britania e Madhe favorizoi opsionin e dytë dhe e pa Lidhjen e Kombeve si mjeti më i mirë për mbrojtjen e integritetit territorial.
Që të dyja përqasjet u rrëzuan gjatë Depresionit të Madh, kryesisht për shkak të politikave proteksioniste të ndjekura nga vetë Franca dhe Gjermania. Të dyja vendet u zhvendosën papritur në një politikë tarifash të larta dhe kuotash importi që i dhanë preferencë produkteve nga perandoritë e tyre të përtejdetit. Rezultati ishte që prodhuesit industrialë të Çekosllovakisë si dhe eksportuesit bujqësorë të Rumanisë e Jugosllavisë nuk ishin më në gjendje të shisnin në Europën Perëndimore. Në vend të kësaj, ata u bënë gjithnjë e më të varur – ekonomikisht dhe politikisht – nga Gjermania naziste. Në një mënyrë të ngjashme, Polonia, pasi bëri një luftë doganore me Gjermaninë në vitet 1920 dhe në fillim të viteve 1930, hyri në një pakt mossulmimi me regjimin nazist më 1934.
Përgjatë të gjithë kësaj periudhe, Lidhja e Kombeve dhe organe të tjera shumëkombëshe u përpoqën të organizonin konferenca dhe samite për të ndaluar rrëshqitjen drejt proteksionizmit. Por të gjitha këto bisedime dështuan.
Gjatë Depresionit të Madh, akuzat për manipulime monetare përbënë impetusin kryesor për masa proteksioniste. Kjo është një retorikë e ngjashme me atë që përdor Trump sot, si kur ai kritikon Rezervat Federale të SHBA-së për shtrëngimin e politikës monetare ashtu edhe kur ai pretendon – në mënyrë të gënjeshtërt – se Kina ka nënçmuar në mënyrë artificiale monedhën e vet renminbi.
Leksioni i Depresionit të Madh është i qartë: luftërat tregtare synojnë të fuqizojnë sigurinë kombëtare por në fakt e minojnë atë. Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastet e aleancave mbrojtëse për shkak se barrierat tregtare detyrojnë aleatët të farkëtojnë lidhje më të ngushta pikërisht me fuqinë revizioniste që supozohet se duhet të kufizohet.
Ekzaktësisht ky skenar po zhvillohet edhe sot. Retorika proteksioniste e Trump është një përgjigje për ngritjen dramatike të Kinës. Por duke nisur një luftë tarifash që gjithashtu prek Bashkimin Europian dhe Kanadanë, Trump po e bën Kinën të duket një partner më tërheqës se sa SHBA. Që të jemi të qartë, Trump dhe presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker kanë arritur tashmë një marrëveshje paraprake për të tërhequr gradualisht kërcënimet për tarifa mes SHBA-së dhe BE-së. Por Trump sakaq e ka dëmtuar aleancën transatlantike. Njësoj si fqinjët e Gjermanisë në vitet 1930, Europa dhe Kanadaja mund të ndjehet a thua se nuk ka zgjidhje tjetër se sa të kërkojë një partner më të hapur – ose së paku më stabël.
Udhëtimi i Trump në Europë muajin e kaluar tregoi se ai po përpiqet shumë për të shkatërruar aleancat që kanë ruajtur stabilitetin botëror që nga fundi i luftës së Dytë Botërore. Dhe konferenca e tij vetëlavdëruese për shtyp me presidentin e Rusisë Vladimir Putin ishte pak a shumë njësoj si politika pajtuese e Chamberlain. Nëse Turmp dëshiron me të vërtetë ta bëjë Kinën më tërheqëse për botën, ai vështirë se mund ta bëjë këtë më mirë se sa të vijojë luftën kundër tregtisë së lirë dhe institucioneve shumëpalëshe që u ngritën nga rrënojat në vitin 1945.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. America’s Neville Chamberlain