Lajm23 Aug 2021

Nga ‘Kosovska’ te ‘Kallashnikov’: Debati mbi Bregoviç u mbyll me incidente të vogla

Pas debatit mbi rolin e këngëve të tij në luftën e Kosovës dhe protestave, koncerti i Bregoviç në Korçë u mbyll me tre kapsolla, një të ri të arrestuar dhe një tjetër të proceduar për incidentet që shoqëruan aktivitetin.

Autor: Dhorjela Çule BIRN Korçë
Printo

Këngëtari Goran Bregoviç gjatë performancës së tij në Festën e Birrës në Korçë. Foto: Dhorjela Çule.

Goran Bregoviç e nisi performacën e tij me këngën në shqip “Kosovska” dhe e mbylli me këngën e kontestuar “Kallashnikov” në një koncert që u parapri nga një debat i gjatë dhe nuk kaloi pa incidente mbrëmjen e së dielës në Korçë.

Vetë këngëtari i shmangu komentet, ndërsa u drejtoi një mesazh të shkurtër të pranishmëve në koncert.

“Do të këndoj tani këngën e quajtur “Kallashnikov”, sepse është një këngë ironike, me humor për ushtarët dhe thirrjen që ata përdornin në suuulmmm. Por unë shpresoj që ju këto dy fjalë të mos i dëgjoni askund tjetër, përveçse sonte në këtë këngë,” tha Bregoviç.

Vetëm pak minuta pas nisjes së koncertit, 3 kapsolla lakrimogjene u hodhën nga zona të ndryshme të publikut, ndërsa videot e qarkulluara treguan njerëz që po lotonin për shkak të tyre.

Policia njoftoi të hënën se kishte arrestuar 21-vjeçarin Redon Leka si autor të hedhjes së kapsollave me akuzën e cenimit të rëndit dhe sigurisë publike gjatë koncertit, ndërsa një 33-vjeçar nga Lushnja u procedua penalisht.

Incidenti në koncertin e Bregoviç ndodhi pas debateve të gjata mbi ardhjen e tij në Korçë, komenteve në rrjetet sociale si thirrjeve për bojkot dhe protesta.

Sipas kontestuesve, kënga “Kallashnikov” e Bregoviç kishte frymëzuar masakrat e forcave serbe gjatë luftës së Kosovës. Ndonëse akuzat nuk u mbështetën me fakte, disa këngëtarë kosovarë që pritej të merrnin pjesë në festën e Birrës në Korçë u tërhoqën nga koncerti.

Për herë të parë në 15 vite organizim të kësaj feste, hyrja ishte me biletë dhe publiku ishte më i paktë në numër se sa netët e mëparshme.

Të pranishmit u kontrolluan fizikisht në hyrje nga forcat e policisë, të cilët nuk lejuan futjen e çakmakëve si dhe shpërndarjen e birrave me kanoçeve apo ujit në shishe plastike.

Hedhja e kapsollave shkaktoi fillimisht tension, por aktiviteti vazhdoi më pas normalisht.

Banorë të Korçës, vizitorë vendas, por edhe të huaj të pranishëm ishin të mendimit se arti nuk duhet të ngatërrohet me politikën.

“Muzika është muzikë, nuk ka pse ta ngatërrojmë. Jam nga Tirana dhe i kam ndjekur të gjitha netët. Muzikën jugosllave ne më të vjetrit në moshë e kemi dëgjuar që herët,” tha një qytetar nga Tirana.

Për një grup turistësh nga Barcelona, ishte e pabesueshme që një artist si Goran Bregoviç mund të performonte në një qytet të vogël si Korça.

“Mësuam rastësisht që kishte festë dhe që do kishte një këngëtar të njohur si Bregoviç. Është një festë e këndshme, mbase mund të ishte organizimi pak më i mirë, por gjithsesi është bukur,” thanë ata.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *