Reportazh11 Jan 2021

Nga Mandela te Maradona: Në Ballkan vazhdojnë nekrologjitë për të famshmit

Nga Muammar Gaddafi te James Gandolfini i famshëm i serialit “Sopranot”, nekrologjitë për njerëz të famshëm janë kthyer në një traditë në Ballkan, duke u kthyer gjithashtu në një hit në rrjetet sociale.

Autor: Samir Kajosevic BIRN Podgoricë
Printo

Nekrologji për Kim Jong-il të Koresë së Veriut në një gazetë malazeze. Foto: Facebook.

Tifozët e futbollit në të gjithë botën vajtuan kur Diego Maradona, futbollisti argjentinas i konsideruar gjerësisht si një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e këtij sporti, ndërroi jetë në moshën 60-vjeçare më 25 nëntor. Por pak do të kishin menduar të shkruanin një nekrologji në gazetën e tyre lokale.

“Donim t’i bënim nderimet tona një njeriu që ndikoi në mënyrën se si u rritëm”, tha Nikola, një nga gjashtë tifozët malazezë, frekuentues të rregull të një kafeneje në qytetin qendror të Nikshiçit, që qëndrojnë pas nekrologjisë për Maradonën në gazetën Pobjeda.

“Për shkak të mungesës së parave dhe pandemisë, qe e pamundur që ne të merrnim pjesë në varrimin e Maradonës”, tha Nikola për BIRN. “Por ne i bëmë nderimet tona në mënyrën tradicionale në Malin e Zi.”

Ky gjest e bën Maradonën të fundit në një listë të gjatë personazhesh të famshëm botëror dhe figurash politike që nderohen me një nekrologji në Ballkan. Këtu mund të përmendim liderin libian Muammar Gaddafi, revolucionarin kuban Fidel Castro, yllin e popit Michael Jackson dhe aktorin James Gandolfini, aktorin e famshëm të serialit amerikan “Sopranot”.

Në Malin e Zi, tradita e njoftimit të një vdekjeje përmes gazetës lokale mbetet e fortë pavarësisht revolucionit të komunikimit të dekadave të fundit dhe dobësimit të medias së printuar.

Deri më sot, shumë malazezë ende e fillojnë ditën e tyre duke shfletuar pjesën e nekrologjive në gazetën e tyre lokale për të mësuar për çdo vdekje të fundit.

Nekrologjitë e personave të famshëm janë bërë gjithashtu një burim argëtimi në rrjetet sociale.

Raportet e medieve thonë se kjo prirje nisi në vitin 1993 në Serbi, kur dy të rinj nga Beogradi botuan një nekrologji për mbretin kolumbian të drogës Pablo Escobar – i vrarë në një shkëmbim zjarri në dhjetor të atij viti – në të përditshmen Politika.

“Policia na ndaloi pesë ditë pasi u botua nekrologjia”, tha një nga burrat, Dejan Jelovaç. Hetuesit shpejt e kuptuan se ishte një shaka, tha ai për portalin e lajmeve Press në 2008.

“Ata e dinin që unë nuk kisha asnjë lidhje me Eskobarin. Po të kisha, do të kisha shumë më tepër gjëra në emrin tim sesa një shtëpi 40 metra katror ku unë dhe familja ime kaluam tërë jetën.”

Që nga ajo kohë, nekrologjitë në ish-Jugosllavi kanë nderuar njerëz si presidenti i Venezuelës Hugo Chavez, Kim Jong-il të Koresë së Veriut dhe ikonën anti-aparteid të Afrikës së Jugut Nelson Mandela. Nekrologjitë për Maradonën u shfaqën në një sërë gazetash lokale në të gjithë rajonin.

“Bëji të fala nga ne Gaddafi-t”

Nekrologjia për Muammar Gaddafi-n në gazetën malazeze. Foto kortezi e Vijesti.me
M

Pas nekrologjisë për Gaddafi-n, të vrarë në vitin 2011, Kimit të Koresë së Verutm i cili vdiq po të njëjtin vit, dhe Chavez-it, i cili humbi betejën me kancerin e mushkërive në vitin 2013, ishin disa frekuentues të rregullt të pabit “Del Boy” të Nikshiçit.

Chavez “mbrojti të varfrit nga të pasurit”, tha Luka Vuciniç, një prej personave që botuan nekrologjinë për socialistin e ndjerë Venezuelës, për të përditshmen malazeze Vijesti në 2013. “Ai e ktheu naftën në pronësi të shtetit dhe u përpoq të siguronte drejtësi sociale me paratë të marra nga shfrytëzimi i saj. Si i tillë, ai meriton respektin tonë.”

Në nekrologjinë e tyre për Gaddaf-in, frekuentuesit e rregullt të pabit “Del Boy” thanë se emri i tij do të “rezononte në korridoret e së ardhmes”. Kur Kimi i Koresë së Veriut vdiq dy muaj më vonë, në nekrologjinë e tyre ata i kërkuan atij që t’i bënin të falat e tyre Gadaffi-t.

“Në ditët e sotme, nekrologji të tilla përfundojnë në rrjetet sociale dhe shpërndahen në të gjithë globin”, tha sociologu malazez Andrija Djukanoviç.

“Ato janë një lloj shakaje e çuditshme, pjesë e një dëshire për të rënë në sy.”

Nekrologjitë gjithashtu sjellin fitime të konsiderueshme për mediat në rajon, me çmimet që variojnë deri në 25 euro për një të tillë, në varësi të madhësisë.

“Nuk ka asnjë ndryshim në interes në botimin e nekrologjive përkundër tendencave globale për mediat e shkruara”, tha për BIRN Smiljka Milickoviç, shef marketingu në të përditshmen malazeze Dan. “Kjo është një formë reklame që është specifike dhe tradicionale, për të cilën zakonisht ekziston një nevojë e paplanifikuar dhe e cila nuk mund të ndikohet ose të rritet.”

Në Malin e Zi, ku shoqëria është kryesisht konservatore dhe traditat janë të rrënjosura thellë, konsiderohet e një rëndësie të madhe respektimi i një personi që ka ndërruar jetën së fundmi.

“Më parë, një nekrologji ishte mënyra e vetme për të informuar njerëzit për vdekjen e dikujt”, tha Djukanoviç.

“Sot kemi teknologji moderne komunikimi, por ky zakon ka vazhduar.” “Në Malin e Zi, njerëzit mendojnë se trishtimi nuk mjafton nëse nuk ia tregojmë këtë të tjerëve.”