Analize18 Aug 2019

Ngërçi ligjor për kryebashkiakun e Shkodrës

Partia Socialiste po shpreson të konstituojë Këshillin Bashkiak të ri të Shkodrës, por opsionet ligjore për drejtimin e bashkisë pas mbarimit të mandatit të Voltana Ademit janë inekzistente dhe ngërçi ligjor ka gjasa të vijojë gjatë.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama dhe kandidati për kryetar bashkie, Valdrin Pjetri, gjatë një mingu elektoral | Foto nga : Facebook

Kushtetuta dhe ligji i pushtetit vendor parashikojnë një numër rastesh kur posti i kryetarit të bashkisë mbetet vakant dhe japin zgjidhje për këto raste. Por as Kushtetuta dhe as ligji për vetëqeverisjen vendore, i miratuar në vitin 2015, duket se nuk mbartin zgjidhje për lëmshin ligjor të krijuar në Shkodër nga dorëheqja e diktuar nga ligji i dekriminalizimin e kandidatit socialist, Valdrin Pjetri.

Prefekti i Shkodrës, Çesk Millja ka thirrur të hënën (19 gusht) mbledhjen e Këshillit të ri Bashkiak, ku Partia Socialiste dhe aleatët e saj të vegjël kanë 51 nga 51 mandate. Mbledhja ka në rendin e vet konstituimin e këshillit bashkiak si dhe “shpalljen e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të Bashkisë Shkodër”.

Nuk është e qartë nëse kjo nënkupton ndonjë plan të socialistëve për të rrëmbyer këshillin, por ligjet aktuale lënë pak hapësirë për të zgjidhur drejtimin e Bashkisë së Shkodrës.

Valdrin Pjetri, 37 vjeç, fitoi zgjedhjet kontroverse të 30 qershorit në Shkodër si kandidat i vetëm me vetëm 10.3% të votave të vlefshme.

Ai nuk arriti të betohej si kryetar bashkie, pasi Partia Demokratike në opozitë zbuloi dhe denoncoi një dënim të tij për trafik droge në vitin 2003 në Firence të Italisë. Dënimi në Itali, të cilin Pjetri e pranoi si të vërtetë, por e nënvlerësoi si “një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent,” nuk është deklaruar prej tij në formularin e pastërtisë së figurës, një formular i posaçëm që kandidatët për kryetarë bashkie dhe zyrtarë të tjerë të lartë detyrohen të plotësojnë dhe firmosin para marrjes së detyrës.

Mosdeklarimi i dënimit në këtë formular ka rrëzuar disa kryebashkiakë dhe deputetë në katër vitet e fundit.

Pjetri deklaroi tërheqjen nga marrja e postit të kryebashkiakut, pavarësisht se procedura zyrtare e verifikimit të dënimit të tij dhe e shkarkimit nuk është përfunduar. Kjo e bën situatën e Shkodrës të paprecedentë në historinë e re të vendit dhe të tillë që nuk është parashikuar në ligj apo në kushtetutë.

Ligji për Vetëqeverisjen Vendore [Link] thotë se kur posti i kryetarit mbetet vakant, një nënkryetar kryen funksionet e kryetarit deri në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Problemi është se nënkryetari është një person që emërohet dhe shkarkohet nga kryetari (neni 61). Dhe në kushtet kur Pjetri është tërhequr pa kryer betimin, ai vështirë se mund të emërojë një nënkryetar.

Në një situatë normale, anomalia do të zgjaste disa muaj deri sa procedurat për shpalljen e vakancës të përfundonin dhe presidenti i Republikës të shpallte zgjedhje të parakohshme. Por në situatën aktuale, presidenti i Republikës nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit dhe për rrjedhojë ka deklaruar se nuk do të shpallë zgjedhje të parakohshme për Shkodrën.

Ngërçi i paprecedentë mund të zgjidhej në Gjykatën Kushtetuese, por duket se vendit do t’i duhet të presë edhe disa muaj përtej shtatorit për të pasur një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Një proces i gjatë verifikimi në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi ka arritur të përzgjedhë kandidatë për 4 vende vakante, që së bashku me anëtaren e vetme që i mbijetoi vetingut, Vitore Tusha e çojnë potencialisht numrin e anëtarëve në 5.

Ndërkohë, kuorumi për shqyrtimin e çështjeve në seancë plenare është 6.

Nëse krijohet, Gjykata mund të përballet me një mori me pyetje, përfshirë vlefshmërinë e dekretit të Metës për tërheqjen e dekretit për datën e zgjedhjeve më 30 qershor. Por deri sa gjykata të jetë funksionale, qeverisja në Shkodër ka gjasa të mbetet në ajër.