Reportazh15 Sep 2020

Ngre shqetësime ndihma ligjore e Kosovës për të akuzuarit e Gjykatës Speciale

Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë ofrojnë ndihmë juridike vetëm për të pandehurit për krime lufte që vërtetojnë se nuk janë në gjendje të paguajnë avokatët e tyre, por vetë sistemi i Kosovës është shumë më pak transparent në lidhje me këtë çështje, duke ngritur shqetësime në abuzimet e mundshme.

Autor: Serbeze Haxhiaj BIRN Prishtinë
Printo

Stema e UÇK-së. Photo: SGT Craig J. Shell, Marinsat amerikanë/Wikimedia Commons.

Rrustem Mustafa, një prej më shumë se 100 ish-luftëtarëve guerilë të Kosovës të që janë thirrur për t’u marrë në pyetje nga prokurorët në lidhje me rolin e tyre në luftën e viteve 1998-1999, nuk arriti t’i bindte Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë se i përmbush kriteret për të përfituar ndihmë ligjore.

Kërkesa e tij  për të mbuluar shpenzimet për avokat u refuzua nga e ashtuquajtura “Gjykatë Speciale”, e cila pritet të gjykojë ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, për krime të kryera nga viti 1998 deri në vitin 2000, gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë.

Mustafa  nuk ka konfirmuar nëse shteti i Kosovës ia rimbursoi apo jo shpenzimet e tij  për mbrojtje ligjore.

Dhomat e Specializuara, që nuk  kanë nisur ende gjykimet, ofrojnë ndihmë juridike për të dyshuarit dhe të pandehurit që mund të vërtetojnë se nuk kanë mundësi financiare të paguajnë avokatë dhe zbatojnë procedura rigoroze kur bëhet fjalë për provat që kërkohen.

“Ngjashëm me shumë juridiksione, nëse një i dyshuar ose i akuzuar kërkon ndihmë juridike nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, ai/ajo duhet të plotësojë atë që quhet formulari “Deklarimi i burimeve financiare”. Në këtë formular ai/ajo ofron dokumente zyrtare të besueshme mbi të ardhurat dhe asetet e tij në mënyrë që Zyra e Mbrojtjes të mund të përcaktojë nëse mund të paguajë avokat”, tha për BIRN Angela Griep, një zëdhënëse e Dhomave të Specializuara.

“Kjo i mundëson Zyrës së Mbrojtjes të vlerësojë se çfarë mjetesh ka personi për të paguar një avokat dhe nëse duhet të rekomandojë apo jo që atij/asaj t’i ofrohet ndihmë juridike. Nëse një person nuk jep informacione ose jep informacione të rreme, ndihma juridike mund të refuzohet”, shtoi ajo.

Informacioni përfshin deklarata bankare për të gjitha llogaritë e aplikuesit, deklarata të kartave të kreditit dhe debitit, detaje në lidhje me pasurinë private ose të biznesit, informacione në lidhje me aksionet, bonot, investimet, bizneset dhe gjithashtu detyrimet dhe shpenzimet.

Ndryshe nga procedurat në Dhomat e Specializuara, ligji i Kosovës që garanton mbrojtje ligjore dhe mbështetje financiare për të akuzuarit potencialë nga gjykata me bazë në Hagë nuk kërkon që të sigurohen dokumente zyrtare të besueshme në lidhje me mjetet dhe asetet e tyre financiare.

Këtë vit,  buxheti i shtetit në Kosovë ka ndarë 20 milionë euro për mbështetjen financiare për të akuzuarit potencialë nga Dhomat e Specializuara.

“Edhe pse këto para janë planifikuar të shpenzohen, nuk do të thotë se ato do të shpenzohen të gjitha. Nëse nuk shpenzohen, ato do të ndahen për vitin e ardhshëm”, tha Ministria e Drejtësisë e Kosovës për BIRN në një përgjigje me shkrim.

Gjykata në Hagë ka vendosur tarifa ligjore prej 100 eurosh për një orë për përfaqësim ligjor, pavarësisht se nga vijnë avokatët.

Nëse një person nevojitet të jetë i pranishëm në Hagë, por nuk ka para udhëtimin dhe akomodimin e tij, atëherë është gjykata që do t’ia mbulojë atij/asaj këto shpenzime. “Bazuar në këtë skemë, ka fonde të mjaftueshme në dispozicion për një mbrojtje adekuate të të akuzuarve ose viktimave”, tha Griep.

Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka vendosur të përdorë një qasje më komplekse.

“Pagesat do të bëhen bazuar në tarifat e vendosura nga Oda e Avokatëve të Kosovës, tarifat për avokatët në Holandë, tarifat e shtetit nga vjen avokati dhe tarifat e Dhomave të Specializuara”, ka thënë Ministria e Drejtësisë.

Të gjithë ata që gjykohen dhe lirohen nga akuzat do të kompensohen gjithashtu për ditët e kaluara në paraburgim dhe për çdo humbje materiale ose ankth mendor që kanë vuajtur si rezultat i kësaj situate.

Arianit Koci, një nga avokatët e Kosovës që ka përfaqësuar disa pjesëtarët të UÇK-së të thirrur nga prokurorët e Hagës, përfshirë  edhe Rrustem Mustafën, ka thënë se për të shmangur problemet, autoritetet e Kosovës duhet të ndjekin shembullin e Dhomave të Specializuara dhe të vendosin tarifa të unifikuara për avokatët.

Koci tha se publiku në  Kosovë duhet të dijë se sa po paguhen avokatët nga fondet publike, veçanërisht për ata ish-të dyshuar të UÇK-së që mbajnë pozicione zyrtare, që nuk janë pak – përfshirë edhe presidentin Hashim Thaçi, që në korrik u intervistua në Hagë.

“Në të kundërt, mbajtja e fshehtë e këtyre informacioneve ose mosbërja e tyre transparente lë vend për abuzim të parave publike”, tha ai.

Por Ministria e Drejtësisë  ka  thënë  se “nuk mund të sigurojë qasje në dokumente në lidhje me zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencial në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, pasi këto dokumente janë të klasifikuara bazuar në një vendim të kryeministrit që mban datën 31 janar 2019”.

Vitin e kaluar, Ministria e Drejtësisë kontraktoi një firmë ligjore amerikane dhe një britanike për një tarifë totale prej 400,000 eurosh që të bënin “këshillim ligjor për hartimin, zhvillimin dhe prezantimin e pozitës ligjore të Kosovës” pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në janar të  vitit 2019 dokumentet në lidhje me punën e firmave ligjore për shtetin u tha se u klasifikuan si konfidenciale  me një vendim të kryeministrit, duke e bërë të paqartë se çfarë pune bënë ata në të vërtetë për të marrë atë shumë parash.

Diskriminim ndaj të pandehurve vendas?

Presidenti Thaçi (djathtas) duke i dhënë medaljen Rrustem Mustafës në shkurt 2018. Foto: BIRN.

Çdo vit, Kosova ndan tre deri në katër milionë euro për të paguar për përfaqësimin ligjor për njerëzit që nuk kanë mundësi të paguajnë një avokat në çështjet penale në gjykatat vendore, edhe pse sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kjo nuk është e mjaftueshme.

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, tha se Dhomat e Specializuara, duke garantuar ndihmë juridike për të gjithë ata që nuk mund ta përballojnë atë, po mbështesin “parimet ndërkombëtare”.

Por qeveria e Kosovës po e dyfishon këtë ndihmë dhe rrjedhimisht po i ofron “privilegje një kategorie të caktuar njerëzish”, thotë Miftaraj.

“Pagesa për një grup njerëzish të akuzuar potencialë nga Dhomat e Specializuara dhe mospërmbushja e detyrimet ndaj qytetarëve të tjerë që përballen me procedura penale në gjykatat vendore në Kosovë është shkelje e parimit të barazisë para ligjit për të gjithë”, shtoi ai.

Në përputhje me praktikat e gjykatave tjera ndërkombëtare, Dhomat e Specializuara nuk paguajnë shpenzimet e udhëtimit për familjet e të akuzuarve të cilat vijnë të vizitojnë të pandehurit që janë në gjyq.

Megjithatë, Ministria e Drejtësisë e Kosovës paguan shpenzimet e udhëtimit për të afërmit e ngushtë dhe partnerët e të pandehurve. Gjithashtu është vendosur që secili i pandehur mund të vizitohet nga deri në 12 anëtarë të familjes në vit.

Për çdo vizitë, shpenzimet e udhëtimit do të paguhen për maksimumi tre persona dhe numri i vizitave është i pakufizuar.