Shtetet e Bashkuara, delegacioni i BE-së dhe Partia Demokratike përshëndetën ngritjen e Prokurorisë së Posaçme, SPAK si një shans për të hetuar zyrtarët e lartë dhe bosët e krimit në Shqipëri –deri tani të paprekshëm.
Betimi në Presidencë i tetë prokurorëve mëngjesin e së enjtes i dha jetë ngritjes së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK –një strukturë që synon të luftojë korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar në vend.
Njëkohësisht në Këshillin e Lartë Gjyqësor u vendos ngritja e Gjykatave të Posaçme të Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit.
Shtetet e Bashkuara dhe delegacioni i Bashkimit Europian përshëndetën ngritjen e strukturës së posaçme të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si një hap të rëndësishëm të zbatimit të reformës në drejtësi.
“Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm,” deklaroi përmes një mesazhi në Facebook ambasada e SHBA në Tiranë, duke konfirmuar mbështetjen e palëkundur për SPAK.
“Tetë prokurorët e SPAK janë gati për të filluar punën. Një tjetër moment i rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi,” deklaroi ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca.
Ngritja e SPAK u mbështet edhe nga Partia Demokoratike në opozitë.
“Është koha që prokurorët të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të përmbushin pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimit të organizuar, promovuesve të kriminelëve në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar,” thuhet në deklaratën e PD.
“Shqipëria ka një shans të ri dhe real për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, nga kriminelët me mbështetje qeveritare, tek politikanët dhe zyrtarët e lartë,” shtoi PD.
Prokuroria e Posaçme u ngrit me një numër minimal nën nivelin kushtetues prej 8 prokurorësh, të cilët ia dolën të kalojnë me sukses të dyja shkallët e vetingut. Prokurorët janë Elida Kaçkini, Enkeleda Millonai, Edvin Kondili, Behar Dibra, Arben Kraja, Klodian Braho, Ened Nakuçi dhe Altin Dumani.
Sipas një vendimi të KLGJ, Gjykata e Posaçme e shkallës së parë do të ketë 16 gjyqtarë dhe do të kryesohet nga Sandër Simoni deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
Ndërsa Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar përbëhet nga 11 gjyqtarë.