Ndryshimet klimatike ndikojnë në planetin tonë në mënyra të ndryshme dhe tani një studim i ri sugjeron se ato do të ndryshojnë edhe ngjyrën e oqeaneve të Tokës.
Studiuesit nga Instituti i Teknologjisë i Masaçusetsit (MIT) sugjerojnë se pjesa më e madhe e sipërfaqes së oqeanit do të jetë më blu dhe më e gjelbër për shkak të efektit të rritjes së temperaturave globale te fitoplanktonet ose algat detare mikroskopike që përmbajnë klorofil dhe kanë nevojë për rrezet dielli që të jetojnë dhe të rriten.
Për studimin, e publikuar të hënën në revistën Nature Communications, studiuesit përdorën modelimin kompjuterik për të simuluar se si temperatura, rrymat oqeanike dhe aciditeti i oqeanit do të ndikojnë në rritjen e llojeve të ndryshme të fitoplanktoneve, si edhe se si ata thithin dhe reflektojnë dritën, raportoi Guardian.
Rezultatet e tyre treguan se më shumë se gjysma e oqeaneve të botës do të ndryshojnë ngjyrën nëse temperaturat e sipërfaqes së detit vazhdojnë të rriten nën një skenar të zakonshëm prej 3 gradë Celsius deri në vitin 2100.
“Do të ketë një ndryshim të dukshëm në ngjyrën e 50 për qind të oqeanit deri në fund të shekullit 21,” tha në një deklaratë për shtyp autorja kryesore Stephanie Dutkieëicz, një shkencëtare hulumtuese në Departamentin e Tokës, Atmosferës dhe Shkencave Planetare të MIT-it.
Kur uji duket i gjelbër, kjo do të thotë se pranë sipërfaqes rriten shumë fitoplanktone. Sipas studimit, ndërsa temperaturat e oqeanit rriten, rajonet më të gjelbra, të tilla si ato pranë poleve, mund të bëhen akoma më të gjelbra, pasi temperaturat më të ngrohta çojnë në lulëzime më të mëdha dhe më të larmishme të fitoplanktoneve.
Anasjelltas, kur uji duket më blu, ka më pak fitoplanktone. Në rajonet blu, përt shembull në zonat subtropikale, ujërat priten të bëhen edhe më blu, që do të thotë se ka akoma më pak fitoplanktone – si edhe jetë në përgjithësi.
Implikimet e studimit mund të jenë “mjaft serioze”, siç theksoi Dutkieëicz në deklaratën për shtyp.
Fitoplanktonet janë baza e rrjetit ushqimor ujor, duke ushqyer gjithçka të vogël që nga zooplanktonet e deri te specie më të mëdha siç janë balenat.
“Llojet e ndryshme të fitoplanktoneve e thithin dritën ndryshe dhe nëse ndryshimet klimatike kalojnë një komunitet fitoplanktoni te një tjetër, kjo do të ndryshojë gjithashtu edhe llojet e rrjeteve ushqimore që ata mund të mbështesin,” tha ajo.
Marrë me autorizim nga Weforum.org. Global warming is changing the colour of the oceans.