Pas premtimeve 50-vjeçare dhe projekteve të parealizuara, ndoshta ka ardhur momenti për të përfunduar aktin e fundit të ekspeditave verore 1966 – 1970, që bashkë me zbulimin e amfiteatrit e e bënë Durrësin qytetin më të njohur shqiptar në botën e arkeologjisë europiane.
Edhe këtë sezon veror, turistët dhe vizitorët vendas do ta gjejnë amfiteatrin antik të Durrësit në të njëjtën gjendje.
Projektet e 20 viteve të fundit nuk janë materializuar ende dhe një ndër monumentet arkeologjike më të mëdha në Shqipëri vazhdon të ketë të njëjtën pamje me vitin 1970, kur përfunduan ekspeditat verore disavjeçare që udhëhiqeshin nga zbuluesi i tij, Vangjel Toçi.
Një ekspeditë italo-shqiptare në zonën juglindore si dhe transferimi i katër familjeve të para në këtë hapësirë janë të vetmet ndryshime që kanë ndodhur në monumentin 1900-vjeçar. Ndërkohë, nuk kanë munguar ndërtimet apo shtesat e ngritura pranë mureve antike, ndërkohë që pronarët e tyre nuk e dinë se cila do të jetë e ardhmja e banesave të tyre mbi shkallare.
Njëmbëdhjetë familje të tjera vazhdojnë të banojnë prej gati një shekulli mbi muret e krahut lindor të amfiteatrit dhe premtimi qeveritar për t’i kompensuar nuk ka funksionuar, edhe pas tërmetit të nëntorit 2019.
Financimet e ardhshme të Bashkimit Europian për monumentet antike dhe mesjetare në Durrës presin prezantimin e projekteve nga grupet me specialistë shqiptarë dhe të huaj, ndërsa ato që lidhen me zbulimin e plotë të amfiteatrit deri në arenën ende të panjohur të tij janë marrë përsipër nga Fondi amerikano-shqiptar i Zhvillimit.
Sidoqoftë, artistët durrsakë, të mbështetur edhe nga institucionet kanë hedhur këtë verë një hap konkret për ta nxjerrë amfiteatrin nga harresa.
Që nga fundi i muajit maj, në pjesën qendrore të amfiteatrit është ngritur një podium spektaklesh, në të cilin çdo mbrëmje janë ngjitur aktorë, instrumentistë e këngëtarë, ndërsa presin radhën edhe plot artistë të tjerë.
Pandemia e gjatë i detyroi krijuesit të gjejnë forma të reja për t’u prezantuar me publikun.
Shikuesit e të gjitha moshave po rigjejnë kënaqësinë e komedisë dhe dramës, mesazhin muzikor të artistëve të vjetër e të rinj, si dhe me kalendarin e filmave në vijim. Që të gjitha në mbrëmjet e freskëta dhe në qiell të hapur.
Përveç shfaqjeve, spektatorët vendas joshen edhe nga magjia e galerive dhe shkallareve të amfiteatrit, ende të panjohura plotësisht. Kjo u jep mundësinë që të njihen edhe me historinë e zbulimit të tij.
Pesëdhjetë e pesë vjet pas lopatës së parë të arkeologëve durrsakë që po hulumtonin nëntokën e një lagje të hershme në qendër të qytetit, arena e amfiteatrit, vendi ku gladiatorët ndesheshin për vdekje, vazhdon të jetë e mbuluar me dhera në lartësi të ndryshme.
Përpjekja e vetme për ta çliruar atë nga mbetjet shekullore që nuk i përkasin, u krye pa sukses në fundin e viteve 1990, kur gatishmëria e mjeteve të forcave italiane të KFOR-it u pengua nga justifikimet e institucioneve shqiptare.
Pas një gjysmë shekulli me premtime, ndoshta ka ardhur momenti për të përfunduar aktin e fundit të ekspeditave verore 1966 – 1970, që bashkë me zbulimin e amfiteatrit e e bënë Durrësin qytetin më të njohur shqiptar në botën shkencore të historisë dhe arkeologjisë europiane.