Blog12 Oct 2017

Një kandil-anije nga Durrësi

Një kandil-anije i gjetur në amfiteatrin e Durrësit në vitin 1966, është një objekt që meriton vëmendje shkruan arkeologu Eduard Shehi.  

Autor: Eduard Shehi BIRN Tiranë
Printo

Foto e kandilit në formë anije (fig1)

Në vitin 1966, përgjatë gërmimeve arkeologjike në amfiteatrin e Durrësit, të drejtuara nga Vangjel Toçi, është zbuluar një kandil në formë anije (fig. 1), datuar prej tij në shek. I-III pas Kr. Forma e bashit paraqitet nga sqepi i kandilit, pjesa tjetër është modeluar në formën e trupit të anijes. Një objekt i ngjashëm nuk haset në botimet mbi gjetjet arkeologjike në Shqipëri. Në bibliografinë ndërkombëtare vërejmë re se nuk është një objekt i zakonshëm. Vendgjetja e tij është një hapësirë drejtëkëndore, orientuar verilindje-jugperëndim, me përmasa 6.5×2.8×2.2m, identifikuar si “kthina I”. Funksioni i këtij ambienti ka mbetur i paqartë.

Kandili ruhet i dëmtuar (sqepi dhe pjesërisht trupi), me një gjatësi maksimale prej 16.5 cm (fig. 1) dhe lartësi maksimale 7 cm. Në pjesën e sipërme të sqepit është punuar në reliev busti i një personazhi femëror. Në mes të gjoksit mund të jetë njëra dorë e mbledhur grusht ose një lidhje nyje e veshjes/pelerinës. Në qafë duket se ka pasur të varur zbukurimore (varëse? gjerdan lulesh?). Relievi është thyer në pjesën ku fillonte koka. Në të dy anët busti kornizohet me dekorime në reliev.

Nën brezin ndarës mes trupit dhe sqepit janë aplikuar dy shirita në reliev. Mbi to ngrihen dy kllapa të vrimuara. Që të realizohej një kapje efikase duhet të ketë pasur dy kllapa të tjera në krahun e kundërt të kandilit. Dekori kryesor zhvillohet në pjesën e sipërme të trupit. Nga dy përdredhëse shpërvilen pesë gjethe dashtre. Mbi motivin me gjethe dashtre dallohet pjesa fundore e veshjes së një personazhi femëror.

Fundi i kandilit është i sheshtë, në formë eliptike, pjesërisht i ruajtur, me disa germa të incizuara para pjekjes, në alfabetin grek: “]D(H?)M_[” . Vetëm germa D dhe M janë të qarta. Kombinimi më i ngjashëm haset me mbishkrimin AGAQODAIMONOC, prodhime të një punishte aktive në shek.II-III pas Kr.

Kemi identifikuar disa kandilë në formë anije apo varkë të gjetur në gërmime të ndryshme në hapësirën mesdhetare, të cilët diku më shumë e diku më pak kanë ngjashmëri me kandilin e Durrësit.  Të tilla kemi në Kartagjenë (me relieve të Sarapis dhe Harpokratit); Gigthis (relieve të perëndeshës Isis dhe bustin e Sarapis); në Porto Torres (figurë hyjnie brenda një edikule); në Hermoupolis (busti Serapis); në Korint (bust gruaje, me palmë në dorë); në Gerasa; në Delos (dy të tillë); në Kato Paphos (relievet e Sarapis Harpokratit); në Ostia (relievet e Isis bust dhe Harpokratit e Sarapis); në Sabratha (busti perëndeshës Isis); në Pozuoli (ruhet në British Museum; reliev me vëllezërit Dioskurë, Ptah-u egjiptian, Sarapis e Isis); në Kerameikos (reliev me perëndeshën Isis); në Aleksandri (ruhet në muzeun e Berlinit; reliev Serapis, Isis, Harpokrati-Apollon; një luani dhe një Pan).

Kandili i Durrësit është punuar me kallëpe të ndryshëm nga ato të cituar, por shikojmë ngjashmëri konceptuale me disa prej tyre. Kandili i Berlinit është më i ngjashmi. Të dy kandilat i përkasin të njëjtës sferë konceptimi e ndikimi. Kandili i Durrësit duhet të jetë po ashtu një prodhim egjiptian dhe busti në reliev duhet t’i përkasë perëndeshës egjiptiane Isis.

Relievi në qendër të kandilit ku ruhet vetëm pjesa fundore e veshjes, është më i vështirë për t’u përqasur. Detajet e veshjes dëshmojnë për një figurë femërore. Ndoshta përsëritet perëndesha Isis, por tashmë në të gjithë gjatësinë e trupit.

Disa studiues lidhin atributet e perëndeshës me simbolin e anijes dhe me vendgjetjen e kandilave. Le të përpiqemi të shikojmë nëse ka ndonjë lidhje mes atributeve të perëndeshës,formës së kandilit dhe vendgjetjes.           

Isis dhe atributet e saj

Për besimtarët paganë perëndesha Isis mundësonte rilindjen dhe pavdekësinë me magjinë e saj dhe me artin e mjekësisë. Në perandorinë romake kulti i Isis ishte ndër më të përhapurit. Gjetjet arkeologjike të lidhura me të janë të shumëllojshme.

Atributet e perëndeshës Isis janë përzier me atributet e disa perëndive duke sjellë tipe ikonografike të përbashkëta. Përhapja e këtij kulti në Mesdhe çoi në ndërthurje me perëndi të tjera, si me: Demetrën, Afërditën, Tyché (ose Fortuna), Artemisën e Hekatën. Për temën në trajtim dy ndërthurje na interesojnë më shumë:  Isis “zonjë e detit” dhe një përzierje atributesh me perëndeshën Nemesis.        

Isis “zonjë e detit”

Një formë popullore e paraqitjes së Isis është mbi bashin e një anijeje. Qëndron në këmbë, ndonjëherë tek mban një velë të fryrë nga era. Këto paraqitje ikonografike fillojnë të përdoren që nga mesi i shek. II para Kr. Autorë antikë si Hyginus (Fab. 277) e Cassiodorus (Var., V 17), apo himne aretalogjike e quanin hyjneshën si shpikëse të velës dhe e cilësojnë si “zonjë të detit dhe të lundrimit”. Juvenalis shkruante se marinarët e shpëtuar nga mbytja i bënin oferta perëndeshës (XII 26-28).

Apuleu, në kryeveprën e tij “Metamorfoza” (Met. XI 9), jep një përshkrim të detajuar të ceremonisë Navigium Isidis të mbajtur në Kenchreai. Këtu ai përmend rëndësinë e përdorimit të kandilave, të cilët mund edhe të jenë në formë anijeje, prej floriri (Met. XI 10). Duket se këto prodhime prej metalit të çmuar kanë shërbyer si model për kandilat prej argjile.

Këto paraqitje të Isis në kandilat-anije nënvizojnë rolin e perëndeshës si mbrojtëse të lundrimit apo duke e konsideruar vdekjen si një lundrim, ku nevojitej mbrojtja e saj. Proçesioni i Navigum Isidis festohej më 5 mars dhe fillonte nga faltorja e perëndeshës, duke shkuar në drejtim të portit, ku lëshohej “anija e Isis”. Sipas përshkrimit të Apuleut (Met. XI 8), njerëzit visheshin bukur dhe me kostume që imitonin profesione të ndryshme. Me lëshimine “anijes së Isis” hapej sezoni i lundrimeve. Njerëzit kërkonin ndihmën e perëndeshës për mbarëvajtje në det, siguri në udhëtime dhe përfitime nga tregtia. Adhurimi i kësaj hyjneshe u përhap edhe ndër popuj jogrek e joromak. Një pasazh interesant në tekstin e Tacitit (Ger. IX 1):

A section of the Suebi sacrifices also to Isis: the cause and origin of this foreign worship I have not succeeded in discovering, except that the emblem itself, which takes the shape of a Liburnian galley, shows that the ritual is imported.

Për një qytet bregdetar si Dyrrhachium duket mëse normale që një kult i tillë të ketë pasur përhapje. Në muzeun arkeologjik të Durrësit ruhet një fragment skulpture që mund të ketë lidhje me Navigum Isidis. Në mermer të bardhë, ndoshta pentelik (fig. 8a-b) është gdhendur bashi i një anijeje. Në pjesën e pasme të saj shihet pjesërisht një këmbë njerëzore. Prania e perëndeshës Isis dëshmohet edhe nga qyteti i Apollonisë. Në monedhat e bronzit të periudhës severiane hasim paraqitjen e Isis-Tyché. Një stelë e gjetur në Apolloni paraqet një personazh femëror me objekte që simbolizojnë Isis.

Prania e kulteve lindore është dëshmuar në disa qytete të Ilirisë së Jugut. Kulti i Mitras në Durrës dëshmohet nga një mbishkrim; një lekit në reliev, i fundit të shek. IV para Kr., ka paraqitje shumë të ngjashme me ato të Mitras. Në Apolloni është gjetur një mbishkrim që ndoshta mund të lidhet kultin e Mitras. Në Elbasan është gjetur një pllakë plumbi e shek. III pas Kr., që i përkiste ndoshta një prifti të Mitras. Dëshmi të adhurimit ndaj perëndisë Men hasen në mbishkrime të gjetura në Lezhë e në Kavajë. Në qytetin e Apollonisë njihet një reliev me paraqitjen e perëndeshës Cibela, datuar në periudhën perandorake romake. Në monedhat e bronzit të periudhës severiane gjejmë perëndinë Sarapis. Këto paraqitje i kanë shtyrë studiuesit të hamendësojnë praninë e një tempulli për perënditë egjiptiane në Apolloni.

Kandilat me motive isiake janë përdorur për disa funksione: në banesa, në varre, si objekte votive, në faltore apo edhe gjatë festave isiake. Në shumë studime pranohet gjerësisht fakti se brenda amfiteatrove vendoseshin faltore të disa perëndive. Por faltoret më të shumta i përkisnin perëndeshës Nemesis.

Isis-Nemesis

Ndërthurja Isis-Nemesis haset që nga fundi i shek. II para Kr. Kjo perëndeshë (apo ndërthurje perëndeshash) konsiderohej si ndëshkuese e sakrilegjeve, e mosbesimit dhe e sjelljeve të këqia. Tipare këto të marra nga perëndesha Nemesis, e cila konsiderohej si hakmarrëse dhe drejtësivënëse, zonjë e botës dhe e fateve të saj. Kjo ndërthurje duket se ka ardhur duke marrë si bazë konceptin egjiptian për Isis, si zonjë e fateve njerëzore, e cila shpërblente veprimet e mira dhe ndëshkonte padrejtësinë.

Në periudhën romake kjo perëndi kishte zënë vend në fenë shtetërore, e lidhur me perandorët, duke ndërthurur atributet e disa perëndive, ndër to edhe Isis. Atributet e perëndeshës Nemesis ishin të lidhura shumë me lojërat. Gjetjet arkeologjike në perëndim janë gjithmonë në amfiteatro, ndërsa në lindje çështja konsiderohet më e ndërlikuar. Ofertat ndaj perëndeshës Nemesis janë dhuruar nga njerëz të profesioneve të ndryshme, jo vetëmtë lidhur me amfiteatrin.

Vendi i faltores së Nemesis në teatro, në amfiteatro dhe në stadiume vendosej në tri mënyra: si strukturë e pavarur (Flavia Sola, Aquincum, Carnuntum, Sarmizegetusa, Scarbantia), si kthinë (Chester, Caerleon, Lepcis Magna, Pola, Salona, Virunum, Tarragona, Merida) apo si hapësirë brenda ndërtesës kryesore (Italica).

Me krishtëzimin e perandorisë romake lojërat në amfiteatro u ndaluan, fillimisht murena e më pas edhe venationes. Për të përkujtuar martirizimin e të krishterëve në amfiteatro u ngritën kishëza për këta martirë dhe, në disa raste, ishin faltoret pagane që u transformuan në kishëza.

Në amfiteatrin e Durrësit si struktura kulti njohim dy kishëza dhe një të tretë të hamendësuar. Pozicioni i dy kishëzave mund të krahasohet me faltoret pagane tek amfiteatrot e Pulas dhe Pozuolit. Amfiteatri i Pulas, si edhe ai i Durrësit, është ndërtuar pjesërisht në fundin e një kodre. Në aksin e vogël të tij gjendet një kthinë e kufizuar, që ka shërbyer si faltore për kultin e Mithras. Pranë hyrjes jugore gjendet një nishe, dedikuar kultit të perëndeshës Nemesis. Në amfiteatrin e Pozuolit poshtë pulpitum të aksit të shkurtër gjendet një kthinë, mesa duket përdorur si faltore për Nemesis, me dalje direkte në arenë. Në amfiteatrin e Durrësit ky pozicion përkon me kishëzën me mozaik.

Këto të dhëna krahasimore nuk prekin të ashtuquajturën “kthina I”, ku është gjetur kandili. Funksioni i saj vazhdon të mbetet ende i paqartë dhe i patrajtuar në studimet e derimëtanishme për monumentin. Nëse një nga këto dy kthina ka qenë një faltore e Nemesis, si një ambient më vete brenda strukturës së amfiteatrit, është e paqartë. Në të gjitha rastet kur janë identifikuar faltore të perëndeshës si ambiente brenda amfiteatrove janë të lidhura me arenën ose me hyrjet kryesore. Në rastin tonë, “kthina 1” nuk e ka një pozicion të tillë.

Nga shembujt krahasues që pamë më lart, kandili-anije i Durrësit u takon prodhimeve të zbukuruara me perëndeshën egjiptiane Isis. Atributet e saja janë përzier me të tjera perëndi të botës romake. I paqartë mbetet vendprodhimi i tij, nëse është apo jo Egjipti. Datimet krahasuese e vendosin brenda periudhës perandorake romake, më së shumti në fillimin e saj.

Kuptimi i fjalës së incizuar në pjesën fundore të kandilit mbetet problematik. Leximi i mundshëm AGAQODAIMONOC do ta lidhte me Agathodaimon në cilësimin e “Gjeniut të mirë”, mbrojtës të shtëpisë dhe fertilitetit agrar. Kulti i tij është i lidhur me Tyché-Fortunën, e cila nga ana vet ka pasur ndërthurje me Isis.

Këtë kandil e shikojmë të lidhur me procesionet rituale të Navigum Isidis. Në qytetin e Dyrrhachiumit duhet të ketë pasur besimtarë të kultit të Isis, të cilët praktikonin ritet përkatëse të lidhura me detin dhe lundrimin. Vetë kandili duhet të jetë një blatim në një nga faltoret brenda amfiteatrit nga një besimtar. Njihen shumë raste kur kandila me motive isiake janë gjetur në faltore, kushtuar perëndive të tjera. Mbetet e paqartë nëse amfiteatri i qytetit ka pasur apo jo një faltore që t’i përgjigjet ndërthurjes Isis-Nemesis. Nëse po, a duhet kërkuar në vendgjetjen e kandilit (kthina I) apo në hapësirën ku është vendosur kishëza perëndimore e amfiteatrit? U mbetet kërkimeve të mëtejshme në këtë monument për të provuar qartësisht një hamendësim të tillë ose për ta hedhur poshtë atë.