Ndërsa në ish Bllokun Lindor ka ende shumë komunistë të devotshëm, njerëz si Trifon Cañamares janë specie në zhdukje në anën tjetër të Europës.
Ai jeton në një shtëpi modeste, të mbushur me medalje nga koha e luftës, në rrethinat e kryeqytetit spanjoll, Madrid. Si një komunist i devotshëm, në moshën 101-vjeçare ai flet për të kaluarën me një ngazëllim fëminor.
Ai e përshkruan veten si një luftëtar pa kompromise për lirinë, dhe në kontekstin e vendit të tij, kjo është e vërtetë.
Cañamares ka qenë një ish komandand i Gardës së Republikës, që ka luftuar për palën humbëse në Luftën Civile. Si pasojë, ai kaloi më shumë se gjysmën e jetës së tij si një i burgosur i regjimit ultra-nacionalist të Gjeneralit Francisco Franco.
Regjimi u rrëzua me vdekjen e Francos në 1975. Spanja është tashmë një demokraci dhe historia e Cañamares është prova e veprave të errëta të diktaturës.
Ai ka shumë pak të përbashkëta me komunistët që u ngjitën në postet më të larta zyrtare në Shqipëri, ose në vendet e tjera të Europës Lindore.
Në të kundërt, ai përfaqëson njerëzit që ata burgosën, anëtarët e një tjetër ‘ushtrie’ të shkatërruar. Cañamares mund të ishte Gezim Cela në Shqipëri, i cili kaloi 22 vite në një burg komunist. Ose mund të ishte Octav Bjoza në Rumani, i cili përpiqet që t’i tregojë rinisë së sotme mizoritë e një regjimi që ata nuk e kujtojnë.
Nuk munda të mos e pyesja: “A e di që komunistët ishin të ‘këqinjtë’ në vendin tim?”
Në përgjigje, Cañamares tha që në Bllokun Lindor nuk ka pasur komunistë – vetëm tradhëtarë të idealit të etur pas pushtetit.
Ai i qendron ende besnik ideologjisë së Karl Marx dhe mundësisë së një sistemi ku të gjithë janë të barabartë.
Por unë pyes veten nëse besimi i tij do të kishte mbijetuar nëse të majtët do kishin fituar luftën civile në Spanjë. Shumë njerëz në Europën
Lindore kanë luftuar gjithashtu për komunizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore, vetëm për t’u zhgënjyer nga fitorja – dhe nga ekzekutimet dhe shtypjet që pasuan.
Gjatë muajve të fundit kam qenë duke gjurmuar krimet e kryera gjatë diktaturave, si dhe duke kërkuar për përgjigje në historitë e viktimave.
Në Shqipëri, Rumani dhe Spanjë, kam parë se si jetët e miliona njerëzve janë ndikuar nga pushteti absolut i vetëm pak individëve. .
Kudo që kam shkuar, në fund, pyetja më e madhe gjithnjë duket se lidhet me historinë dhe natyrën njerëzore.
Pse janë viktimat e diktaturave ende pa një zë? Dhe ishte pushteti që i ktheu njerëzit në përbindësha apo njerëzit e kërkuan pushtetin për të përmbushur etjen e përbindëshit brenda tyre?