Me Shtetet e Bashkuara që kundërshtojnë masat për ndryshimet klimatike, Europa duhet të marrë përsipër të udhëheqë transformimin e nevojshëm strukturor. Një marrëveshje transnacionale që bashkon forcat liberale dhe progresive të Europës nën flamurin e një Marrëveshjeje të Re të Gjelbër do të nxiste forcën e prodhuar nga konsensusi ndërpartiak dhe mbështetja e gjerë popullore.
Më herët këtë muaj, Jim Yong Kim papritmas dha dorëheqjen nga posti i tij si president i Bankës Botërore, duke lënë një shtyllë të rendit financiar ndërkombëtar pa lidership apo drejtim. Kim do t’i bashkohet një firme private, ku ai beson se mund “të ndikojë më shumë në çështjet kryesore globale si ndryshimet klimatike”.
E vërtetë. Sektori privat ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në mobilizimin e fondeve për përmirësimin e modeleve të biznesit për të trajtuar kërcënimin e paraqitur nga ndryshimet klimatike. Por qeveritë dhe institucionet multilaterale mbeten të domosdoshme për të siguruar transformimin gjithëpërfshirës ekonomik që nevojitet.
Prova shkencore për ngrohjen globale është e pagabueshme. Sipas vlerësimeve konservative, një rritje në temperaturën globale prej më shumë se 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale deri në fund të shekullit do të shkaktonte shkatërrim të përhapur mjedisor. Kushtet atmosferike gjithnjë e më të rënda atmosferike do të shkatërronin biodiversitetin dhe mjetet e jetesës, ndërkohë që do të kufizonin burimet. Rritja e niveleve të detit do të shkaktonte zhdukjen e qyteteve bregdetare E gjithë kjo do të kontribuonte në paqëndrueshmëri sociale dhe në emigracion në shkallë të gjerë.
Me popullsinë që pritet të arrijë në 8,6 miliardë deri në vitin 2030 – një miliard më shumë sesa është sot – e vetmja mënyrë për të arritur qëllimet tona klimatike është të transformojmë mënyrën se si bota bën biznes. Dhe këtu, Europa është e pozicionuar mirë për të marrë drejtimin duke vënë në zbatim një Marrëveshje të Re të Gjelbër.
Ideja e një Marrëveshje të Re të Gjelbër – e përkufizuar si një “plan kombëtar industrial, ekonomik-mobilizimi”, që do të sillte një tranzicion të shpejtë “larg lëndëve djegëse fosile dhe drejt energjisë së pastër” – nuk është e re. Edhe presidenti amerikan Barack Obama e përfshiu këtë koncept në platformën e tij të fushatës zgjedhore të vitit 2008.
Nën udhëheqjen e Obamës, nga viti 2009 deri në vitin 2016, Shtetet e Bashkuara udhëhoqën luftën kundër ngrohjes globale. Në vend, kjo nënkuptonte promovimin e energjisë së pastër dhe të rinovueshme dhe prezantimin e stimujve për të nxitur risitë në uljen e karbonit në produkte dhe shërbime. Në nivel ndërkombëtar, administrata e Obamës ishte integrale në përfundimin e marrëveshjes klimatike të Parisit 2015.
Por, nën udhëheqjen e pasardhësit të Obamës, Donald Trump, SHBA-ja ka kaluar nga një lider që merr masa për të mbrojtur klimën në një lider që mohon klimën. Tani, anëtarët demokratë të Kongresit të ri të SHBA-ve – sidomos Përfaqësuesja Alexandria Ocasio-Cortez – po punojnë për të rinovuar shtysën drejt një ekonomie të gjelbër. Gjatë dy viteve të ardhshme, megjithatë, Kongresi ndoshta do të jetë më i preokupuar për një betejë më të gjerë mbi legjitimitetin e administratës së Trump.
Kjo do të thotë se Europa tani ka një mundësi ideale për të udhëhequr transformimin e gjelbër strukturor të botës, ashtu siç ka bërë për rregullat e privatësisë dhe politikën e konkurrencës gjatë dy dekadave të fundit. Për këtë qëllim, pas zgjedhjeve të Parlamentit Europian në maj, partitë dhe lëvizjet liberale dhe progresive të Europës duhet të punojnë për të vënë në zbatim një Marrëveshje të Re të Gjelbër.
Suksesi do të kërkojë, para së gjithash, mbështetje të gjerë publike për një kontratë të gjelbër sociale. Por pavarësisht vrullit – për shembull, suksesi i fundit elektoral i Partisë së Gjelbër në shtetet gjermane të Bavarisë dhe Hesias – kjo nuk do të jetë e lehtë.
Ashtu siç demonstron protesta e Jelekverdhëve në Francë, njerëzit nuk do ta mbështesin bërjen më të gjelbër të botës nëse kjo vështirëson jetën e tyre të përditshme. Dhe nuk ka dyshim se transformimi strukturor i kërkuar nga një Marrëveshje e Re e Gjelbër për Europën do të kërkonte fonde të mëdha që mund të shpenzohen për programe me përfitime më të dukshme ose të menjëhershme.
Liderët politikë që përkrahin një Marrëveshje të Re të Gjelbër për Europën duhet, pra, të punojnë shumë për të mbrojtur interesat e qytetarëve. Siç tha presidenti francez Emmanuel Macron në një letër të hapur për të qetësuar protestuesit, “Realizimi i tranzicionit ekologjik na lejon të zvogëlojmë shpenzimet për karburant, ngrohje, menaxhim të mbeturinave dhe transport. Por për ta bërë të suksesshëm këtë tranzicion, ne duhet të të investojmë në një shkallë të madhe dhe të mbështesim bashkëqytetarët tanë nga prejardhjet më modeste.”
Përtej zotimeve praktike, liderët politikë duhet të ofrojnë një narrativë më bindëse dhe madje frymëzuese për të nxitur masat kundër ndryshimeve klimatike. Shkencëtarë si George Lakoff kanë argumentuar prej kohësh tashmë se njerëzit janë më të përgjegjshëm ndaj argumenteve politike që përshtaten sipas vlerave të tyre (në krahasim me ato të personit që bën argumentin). Pra, nëse forcat liberale dhe progresive duan që shumica e elektoratit të mbështesë shpenzimet e nevojshme për të ngritur një përgjigje efektive ndaj ngrohjes globale, ata duhet të krijojnë Marrëveshjen e Re të Gjelbër – jo ndryshe nga Marrëveshja e Re e presidentit amerikan Franklin D. Roosevelt në vitet 1930 – në aspektin e sigurisë.
Njerëzit duhen mbrojtur nga paqëndrueshmëria që do të krijojë gjithnjë e më shumë moti ekstrem dhe ata kanë nevojë për mbështetje gjatë tranzicionit në një punësim më të gjelbër (me cilësi të lartë). Ndërkohë, bizneset kanë nevojë për nxitje që të ndjekin mundësitë afatgjata të krijuara nga transformimi ekonomik.
Ky theks unifikues mbi sigurinë afatgjatë shoqërore, personale dhe ekonomike do të ishte në kontrast të madh me narrativat mbizotëruese populiste, që e kuadrojnë sigurinë si një çështje identiteti dhe në këtë mënyrë tentojnë të shkaktojnë përgjigje emocionale dhe ndarëse. Dhe ka arsye për të besuar se mund të funksionojë. Një nga trashëgimitë kyçe, dhe të kontestuara, të kancelares Angela Merkel në Gjermani, për shembull, është udhëheqja e qeverisë së saj e Energiewende, apo transformimi i energjisë, që fitoi vëmendje pasi katastrofa bërthamore Fukushima në vitin 2011 ngriti pyetje rreth sigurisë afatgjatë të furnizimeve.
Vende të tjera europiane kanë demonstruar gjithashtu lidership në masat për klimën globale. Qeveria e Danimarkës, për shembull, premtoi së fundmi se do të shfuqizojë shitjen e të gjitha makinave me benzinë dhe naftë deri në vitin 2030 dhe një konsensus i gjerë politik e mbështet qëllimin për të arritur një shoqëri neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2050.
Por, për të arritur një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë, e gjithë Europa – dhe e gjithë bota- duhet të bëjë pjesën e punës që i takon. Një kompakt transnacional që bashkon lëvizjet liberale dhe progresive të Europës përpara zgjedhjeve të Parlamentit Europian mund të ndikojë në forcën e prodhuar nga konsensusi ndërpartiak dhe të zgjerojë mbështetjen popullore.
Europa duhet të marrë patjetër përsëri në duart e saj të ardhmen. Një vizion i ri i përqendruar në Marrëveshjen e Re të Gjelbër mund ta mundësojë këtë gjë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. A Green New Deal for Europe