Uljet e fundit të taksave mbi korporatat në Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar një garë botërore drejt zeros, në të cilën vendet konkurrojnë për investime në kurriz të të ardhurave të nevojshme për të financuar programet publike. Ndërsa përpjekjet e së shkuarës për të reformuar sistemin aktual botëror të taksave kanë dështuar, është koha për një përqasje të re.
Përgjatë pak viteve të fundit, rrjedhjet e dokumenteve të tilla si “Panama Papers” dhe “Paradise Papers” kanë ekspozuar anën e errët të globalizimit dhe kanë provokuar denoncime me indinjatë të shmangies së pagesës së taksave nga njerëzit nëpër të gjithë botën. Punëtorët e zakonshëm nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të paguajnë taksat. Por, dukshëm, korporatat shumëkombëshe dhe individët e pasur mund të shpëtojnë pa paguar thuajse asgjë.
Tipari më tronditës i skemave të sotme të shmangies së taksave korporative është se ato janë të ligjshme. Kur kompanitë krijojnë filiale, këto entitete konsiderohen ligjërisht kompani të pavarura. Një kompani mëmë mundet pas kësaj të përcaktojë çmimet e transaksioneve mes degëve për të regjistruar fitimet në vendet me taksa të ulëta, më shumë se sa në vendet ku është kryer aktiviteti ekonomik i vërtetë.
Ky sistem i “transferimit të çmimeve” ka ushqyer konkurrencë mes vendeve për të ulur taksat e tyre mbi korporatat. Dhe tani Shtetet e Bashkuara kanë ulur normën e taksimit nga 35 në 21%, gjë që ka gjasa do të intensifikojë garën botërore drejt zeros. Në fakt, politikanët në Indi, Meksikë, Brazil dhe në vende të tjera në zhvillim sakaq kanë bërë thirrje për ulje taksash, në mënyrë që të mbeten konkurrues, të tërheqin investime të huaja dhe të krijojnë apo ruajnë vendet e punës.
Të gjitha vendet kanë të drejtë të sigurohen se ato janë konkurruese në ekonominë botërore. Ato mund ta bëjnë këtë përmes shumë mënyrave, të tilla si investimi në arsim, financimi i kërkimeve shkencore e teknologjike, dhe ndërtimi i infrastrukturës efikase. Konkurrenca me taksa të ulëta nuk është mënyra e duhhur, së paku për shkak se ajo redukton të ardhurat që nevojiten për të bërë investime të tilla, gjë që është veçanërisht e vërtetë për vendet në zhvillim, të cilat, sipas një raporti të vitit 2015 nga Fondi Monetar Ndërkombëtar humbasin më shumë se 200 miliardë dollarë në vit për shkak të shmangies së taksave nga korporatat shumëkombëshe.
Kur vendet krijojnë regjime taksash të cilat janë krijuar efektivisht për të vjedhur të ardhurat e taksave nga të tjerët, rezultati është gjithashtu më pak para për arsim, kujdes shëndetësor, programe për reduktimin e varfërisë dhe masat për të trajtuar problemet e ndryshimeve klimaterike. Kjo nuk duhet të lejohet dhe shumëkombëshet duhet të ndalojnë shtimin e problemit përmes kërcënimit se do të ikin nga një vend i caktuar nëse ky vend nuk ul taksat. Në fund të fundit, parimi bazë i përgjegjësisë shoqërore të korporatave është që kompanitë duhet të paguajnë pjesën që i takon për taksat kudo që ato punojnë.
Mënyra e vetme për të ndaluar këtë garë drejt fundit është bashkëpunimi botëror. Tri vjet më parë, OECD dhe G20 morën hapa në drejtimin e duhur, duke nisur një paketë reformash të njohur si “Gërryerja e Bazës dhe Zhvendosja e Fitimeve”. Iniciativa në fjalë vendosi një sistem raportimi të fitimeve të korporatave dhe taksave të paguara sipas vendeve, dhe për lehtësimin e shkëmbimit të informacioneve mes vendeve.
Por programi BEPS ka rezultuar i pamjaftueshëm, veçanërisht nga perspektiva e vendeve në zhvillim, për shkak se ajo dështoi të trajtojë problemin kryesor: sistemin e transferimit të çmimeve. Shumëkombëshet lejohen ende të heqin fitimet dhe t’i çojnë në juridiksione që kanë taksa ultra të ulëta.
Komisioni i Pavarur për Reformimin e Taksimit Ndërkombëtar të Korporatave, të cilin unë drejtoj, vlerësoi një propozim alternativ për rregullimin e sistemit aktual. Në një raport të kohëve të fundit, ne zbuluam se mënyra më e drejtë dhe më efektive për të ndarë taksat e fitimeve të korporatave është që shumëkombëshet të trajtohen si kompani të vetme që bëjnë biznes në shumë vende njëherazi. Për rrjedhojë, fitimet globale të firmës duhet të taksohen sipas faktorëve të caktuar të tillë si shitjet, punësimi dhe përdorimi i burimeve – faktorë që sëbashku reflektojnë aktivitetin real ekonomik – në secilin juridiksion. Siç ndodh aktualisht Bashkimi Europian është duke shqyrtuar propozime të ngjashme, përmes të cilave synon të trajtojë shumëkombëshet që punojnë brenda BE-së si një kompani e vetme.
Që të jemi të qartë, nën një sistem të tillë, vendet do të vijojnë të konkurrojnë për investime dhe operacione korporatash përmes uljes së taksave të tyre mbi korporatat. Kjo është arsyeja se pse ne duhet të propozojmë që të gjitha vendet të bien dakord për një nivel minimal takse mbi fitimet e korporatave prej së paku 15-20%.
Ndërkohë, gjithsesi, vendet në zhvillim nuk duhet të qëndrojnë mënjanë pa vepruar. Ato do të duhet të ndryshojnë, duke pranuar para së gjithash norma minimale të taksimit të fitimeve në nivel rajonesh. Ata mund të përfitojnë gjithashtu nga një sistem që është sakaq duke funksionuar në Brazil, ku degët vendëse të korporatave detyrohen të paguajnë një nivel minimal taksash, bazuar në normat bruto të fitimit të llojeve të ndryshme të transaksioneve.
Duke parë përpara, është koha që Kombet e Bashkuara ta trajtojnë këtë çështje. Vetëm përmes një bashkëpunimi me të vërtetë global një sistem i tillë i dështuar do të mund të rregullohet dhe një garë shkatërrimtare drejt zeros për taksat do të shmanget një herë e mirë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. A Better Way to Fight Corporate Tax Avoidance