Analize15 Jun 2020

Një peticion hap debatin e regjistrit online të abuzuesve seksualë në Shqipëri

Pas tronditjes që shkaktoi abuzimi seksual i një 15-vjeçareje dhe një vale protestash, dy vajza të reja testuan mbështetjen për krijimin e një regjistri online të abuzuesve seksualë në Shqipëri, duke mbledhur 40 mijë firma në vetëm pak ditë.

Autor: Nensi Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Pankartat kundër dhunës seksuale ndaj të miturve të vendosura në Ministrinë e Arsimit gjatë protestës së 4 qershorit 2020.

Pas tronditjes që shkaktoi abuzimi seksual i një 15-vjeçareje në Babrru të Tiranës dhe valës së protestave në disa qytete të Shqipërisë, Delfina Hoxha dhe Paola Naçe vendosën që të hedhin një tjetër hap kundër dhunës seksuale në Shqipëri.

Dy mikeshat krijuan një peticion online për të testuar mbështetjen për krijimin e një regjistri publik me emrat e abuzuesve seksualë dhe reagimi ishte ‘i pabesueshëm”.

“Peticioni ka marrë 29.000 firma brenda harkut kohor të dy ditëve të para dhe për momentin ka 40.000 firma, dyfishin e firmave të nevojshme për ta paraqitur si projektligj në Kuvend,” shkruan Delfina Hoxha, nismëtarja e peticionit.

Për ta zyrtarizuar nismën në një projektligj në Kuvend, nevojiten 20 mijë nënshkrime fizike –një sfidë tjetër për Delfina Hoxhën dhe Paola Naçen.

“Nëse arrijmë të mbledhim këtë numër të caktuar firmash të vlefshme dhe Kuvendi miraton këtë ligj, do të kemi një databazë online të të gjithë personave të cilët janë dënuar si abuzues seksualë, përdhunues apo pedofilë,” thotë Delfina.

Përgjatë 10 viteve të fundit në Shqipëri, 98 persona kanë kryer krime seksuale me të mitur dhe kanë rifituar lirinë sipas një investigimi të kryer nga Medialook. Investigimi theksonte se asnjë prej personave të identifikuar nga drejtësia si pedofilë, nuk kishte marrë dënime alternative me mjekim të detyrueshëm, duke u kthyer sërish në një kërcënim për fëmijët përreth vendbanimeve të tyre.

Regjistri online i abuzuesve seksualë është një praktikë e ndjekur tashmë nga disa vende të botës me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendet që e aplikojnë atë e motivojnë me informimin e popullatës dhe me parandalimin e krimeve të tilla si pedofilia.

Delfina Hoxha i tha BIRN se ky regjistër nuk mund të shpëtojë viktimat aktuale të dhunës seksuale, por krijon premisat për një jetë të sigurtë.

“Duke treguar publikisht identitetin e përdhunuesve, ne nuk mund të kthejmë kohën prapa apo të shpëtojmë viktimat nga kthetrat e abuzuesve. Por ajo që mund të bëjmë është që t’iu ofrojmë të miturve, adoleshentëve, prindërve të fëmijëve një shans për një jetë më të sigurtë,” tha ajo.

Adela Mezini, eksperte e shëndetit mendor i tha BIRN se abuzuesit seksualë targetojnë persona vulnerabël me probleme të mëdha social-ekonomike apo me mungesë të figurës atërore. Problem sipas Mezinit është edhe hezitimi për të denoncuar.

“Fëmijët e kanë të vështirë të tregojnë, pasi nuk e kuptojnë që në fillim manipulimin. Marrëdhënia që abuzuesi vendos me fëmijën është një marrdhënie besimi (grooming), dhe një lidhje emocionale që i bën fëmijët të manipulohen lehtë dhe më pas të abuzohen,” tha psikologia Mezini.

Elvin Luku, drejtues i Medialook i tha BIRN se qytetet më të rrezikuara janë Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Korça, ku banojnë 61 nga 98 pedofilët që e kanë shlyer tashmë dënimin. Duke iu referuar të dhënave të mbledhura nga policia, prokuroria dhe gjykatat, Luku shtoi se policia nuk ka kapacitet e nevojshme për t’i mbajtur ata nën vëzhgim, ndërsa gjykatat nuk japin dënime plotësuese me mjekim të detyrueshëm.

“Shqetësimi është akoma më i madh kur mëson se Seksionet e Dhunës në Familje dhe Fëmijëve pranë Policive Vendore në qytetet e kërcënuara nuk kanë më shumë se dy oficerë, që krahas çështjeve të tjera duhet dhe të mbikëqyrin grabitqarët seksualë. Për shembull, vetëm në Tiranë raporti i gjurmimit është 2 policë për 48 pedofilë të lirë,” tha Luku për BIRN.

“Nuk është dhënë asnjë dënim plotësues për trajtim mjekësor ndaj personave të dënuar për abuzim seksual me të mitur në dhjetë vitet e fundit, pavarësisht se në protokollet mjekësore të OBSH-së, të cilat aplikohen edhe në Shqipëri, kërkohet që pedofilia të trajtohet nga ana mjekësore, ose përmes medikamenteve ose përmes psikoterapisë,” shtoi ai.

E entuziazmuar nga mbështetja e siguruar përmes peticionit, Delfina Hoxha është përballur edhe me kundërshtime që vijnë kryesisht nga argumenti se një databazë online do të cënonte të dhënat personale dhe privatësinë.

“Gjithsesi, ne mendojmë se siguria e një fëmije apo e kujtdo prej nesh është më e rëndësishme se privatësia e një përdhunuesi,” përfundoi ajo.