Lajm21 Apr 2017

Një projektligj i ri synon të vendosë nën kontroll produktet kozmetike

Pas popullarizimit të ndërhyrjeve në trup për arsye estetike, shpesh në parukeri të paspecializuara dhe me pasoja të rënda për vajzat e reja të ushqyera nga televizioni, një projektligj i ri synon të vendosë rregull në tregun e produkteve kozmetike.

Autor: Dori Daka BIRN Tiranë
Printo

Deri ku mund të shkosh për të qenë e bukur? Deri në çfarë mase mund ta rrezikosh veten? Si mund të përballosh presionin e madh për të qenë perfekt? Të rejat,sot, ndodhen nën presionin e vazhdueshëm, jo vetëm të modeleve që u imponohen, por edhe nën rrezikun e produkteve që zgjedhin për t’u përsosur estetikisht. Kjo vajzë është një nga të shumtat që vuan pasojat e kësaj situate.

“Kam qenë fare e re, rreth 17 vjeç, dhe si shumica e vajzave fillova edhe unë të kem dëshirë të zmadhoj buzët. Ndoshta edhe për shkak të trysnisë, para së cilës ndodhesha vendosa të “bëj buzët”. Ishte thjesht një kapriço moshe.”

Tashmë rreth te 30-tave, ajo është vetëm një nga të shumtat që kanë kryer, që në moshë të hershme, ndërhyrje estetike te persona të palicencuar, me produkte kozmetike të dyshimta cilësisht, dhe mbi të gjitha, të hedhura në treg pa asnjë lloj kontrolli dhe sigurisht është penduar.

“Vajzat shkojnë në parukeri, klinika të palicencuara, te ndonjë parukiere që e ka mësuar procedurën e botoksit dhe ndërhyrjeve të tjera pa ja pasur haberin. Për mua ky është një krim.” – thotë 30-vjeçarja.

Kryesisht në Tiranë, por rrethet nuk përjashtohen, ky është një fenomen mjaft i përhapur, që ekziston heshtur, por në dritën e diellit , ndaj të cilit, deri më tani, nuk është ushtruar asnjë lloj kontrolli dhe nuk është marrë asnjë masë. Pavarësisht dëmtimeve që shumë të reja kanë pësuar si pasojë e këtyre produkteve, rastet e denoncuara në gjykatë janë thuajse të papërfillshme.

“Nuk njoh raste të personave të dëmtuar që t’i jenë drejtuar gjykatës. Mësohen me këto lloj dëmtimesh dhe nuk e ngrenë zërin. Duan ta bëjnë një gjë të tillë, por nuk i shkojnë deri në fund.” – thotë 30 vjeçarja.

Kryesisht, janë vajza të reja që ndodhen në presionin e medias, apo nën imponimin e shoqërisë, për të ndjekur një model të caktuar bukurie fizike, që në moshë të njomë, dhe që për shkak të çmimeve më të ulëta dhe shpesh pa dijeninë e prindërve zgjedhin të kryejnë ndërhyrje të rrezikshme për estetikën dhe shëndetin e tyre. Ja çfarë thonë disa të reja.

“Në qoftëse njeriu nuk ndihet komod me veten e tij, atëherë përse të mos ta bëjë një operacion plastik. Nëse kjo e bën të ndihet më të lumtur…”

Një tjetër studente flet për zhgënjimin e atyre që i kryejnë këto ndërhyrje.

“Me çfarë kam parë në internet dhe rrjetet sociale, shumicës nuk i pëlqen më vetja pas operacionit. Pasi e bëjnë operacionin do të donin që të ktheheshin edhe një herë siç kishin qenë”

Një 20 vjeçare rrëfen dëshirën e saj të adoleshencës.

” Unë e kam menduar më parë ndërhyrjen, por tani që ka kaluar pak kohë them që nuk ja vlen. Kur je në moshën e adoleshencës ke presionin, idhujt e tu të preferuar, dhe duke i parë dëshiron t’u ngjash, të kesh buzët e fryra, formën e tyre të trupit, por duke u rritur e mendon se është më mirë siç je.”

Një tjetër vajzë tregon gjithashtu tundimin e saj.

“Pak më parë po flisnim për ndërhyrjet, por për momentin nuk i mendoj. Po flisnim për një ndërhyrje në pjesën e kofshëve, po jo në këtë moment.”

E ndërsa nuk ka asnjë lloj statistike për këto ndërhyrje dhe moshën e “pacienteve”, duket se bëhet fjalë për një numër të madh të rejash, që rrezikojnë ne emër të “bukurisë”.

Sipas njërës prej tyre:

“Rreth 70% e vajzave në rrjetet sociale kanë bërë ndërhyrje”.

Ndërsa sipas të dëmtuarës nga Tirana:

“Mund të them që ka vajza pa fund që bëjnë ndërhyrje të tilla kryesisht te buzët dhe gjoksi”

Sipas dermatologes, Entela Shkodrani dhe përvojës së saj:

“Ka mjaft individë, vajza të reja dhe jo vetëm, që bëjnë ndërhyrje me solucione përkatëse nga duart e personave që nuk kanë licencë, që nuk kanë asnjë lloj njohurie mjekësore , të cilët i aplikojnë këto substanca në sallone bukurie, në parukeri, në kushte higjienike të papërshtatshme, por mbi të gjitha, shpesh duke injektuar edhe produkte që janë totalisht të ndaluara për t’u përdorur.”

Sipas saj është për të ardhur keq që te dermatologët vijnë persona të dëmtuar në kërkim të zgjidhjeve për problemet e tyre. Në më të shumtën e herëve bëhet fjalë për raste të pashpresa.

“Pjesa më e madhe e rasteve nuk zgjidhen, sepse injektohen produkte që nuk janë të absorbueshme nga organizmi. Gjithmonë kemi shpresën që ato do të thithen nga organizmi, por shpesh dëmet janë të pakthyeshme.” – shprehet dermatologia.

Ndërhyrjet estetike të pakontrolluara janë vetëm njëra anë e medaljes. Problemi tjetër, të cilit i ofron zgjidhje edhe ligji i ri, i sapo hyrë në fuqi, është ai i produkteve kozmetike, hyrja në treg e të cilëve, deri më tani, ka qenë e pa mbuluar me akte ligjore.

Dermatologia, Shkodrani, njëherazi edhe anëtare e grupit të punës së ngritur për hartimin e këtij ligji, thotë se situata ka qenë e komplikuar:

“Nuk ka pasur një ligj specifik për tregtimin e këtyre produkteve kozmetike. Më në fund do ta kemi të përcaktuar se çfarë është një produkt kozmetik. Vetë mjeku do të ketë një informacion më të gjerë dhe do të jetë më i sigurt për produktet që do të marrë në farmaci. Kjo sepse do të ketë informacion më të madh për vendin e origjinës, për certifikatën e prodhimit, për mënyrën se si është futur në tregun shqiptar.”

Deri më tani shumë produkte kozmetike futeshin në mënyrë jo të rregullt, nga individë të ndryshëm, shpesh edhe pa licencën përkatëse. Kjo ka bërë që tregu të tejmbushet me produkte që nuk janë të sigurt. Me ligjin e ri, gjithçka do të futet vetëm nga persona që kanë licencat e duhura si për produktet kozmetike, ashtu edhe ato estetike apo dermatologjike.

“Bëhet fjalë për mjaft produkte si filleri, ampula të ndryshme e produkte që përdoren në procedura estetike e dermatologjike për përmirësimin e estetikës së gjithsecilit”, – thotë Shkodrani.

Hyrja në fuqi e ligjit të ri do të rregullojë gjithë procesin e tregtimit të këtyre produkteve, që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve. Tani do të ndihen edhe efektet e para të tij, sa i takon përballjes së subjekteve në shkelje të ligjit me penalitetet përkatëse, të cilat variojnë nga 100 mijë deri në 1 milionë lekë. Ajo çka është më e rëndësishme është përcaktimi i produkteve kozmetike, të cilat duhet të përdoren vetëm nga profesionistët.

Ky ligj, sipas Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, organizmit që është marrë me hartimin dhe do të merret, tani, edhe me zbatimin e tij, përbën përpjekjen e parë për rregullimin ligjor të një sektori shumë kaotik që edhe sipas disa mediave të huaja e ka shndërruar Shqipërinë në një “Parajsë” të ndërhyrjeve estetike të lira dhe të rrezikshme në radhë të parë për shqiptarët, por edhe për të huajt. Pak kohë më parë e përditshmja spanjolle “El Pais” në një shkrim të sajin vuri alarmin në lidhje me mënyrën joligjore të kryerjes së shumë ndërhyrjeve estetike në Shqipëri.