Analize2 Oct 2018

Një strategji për liberalët

Vala e fundit e fitoreve populiste në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’i bëjë progresistët e botës të pranojnë humbjen. Vlerat liberale mund të mbizotërojnë ende, nëse përkrahësit e tyre fillojnë të theksojnë pesë tema qendrore.

Autor: Dominique Moisi BIRN Paris
Printo

Presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja e Britanisë Theresa May dhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Foto: Zyra e shtypit e presidencës së BE-së.

A ka fituar populizmi? Do të ishte e lehtë të arrihej në përfundimin se ka fituar, sidomos pas asaj që po ndodh në zemër të Europës. Italia, një nga mbështetëset më të hershme të integrimit europian, tani udhëhiqet nga një koalicion populist me një vlerësim prej 61%, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron, i konsideruar dikur antidoti i populizmit, ka parë popullaritetin e tij të bjerë në 29% – më i ulëti që kur ai mori detyrën në vitin 2017.

E megjithatë, beteja midis “partisë së arsyes” dhe “partisë së emocioneve” – ​​progresistët kundër populistëve – nuk ka marrë fund. Populizmi ende mund të mposhtet, por vetëm nëse kundërshtarët e tij pranojnë atë që është mëse e qartë: ata kanë nevojë për një strategji të re.

Pesë tema duhet të udhëzojnë çdo rregullim strategjik. E para është përgjegjësia. Të ashtuquajturat elita që kujdesen për ruajtjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit duhet të përballen me zemërimin, frikën dhe dëshpërimin që kanë dëmtuar votuesit që nga kriza financiare e viteve 2008-2009. Ka kaluar një dekadë që nga fillimi i Recesionit të Madh dhe ende shkaqet e tij nuk janë trajtuar siç duhet.

Shumë liderë politikë, financiarë dhe të biznesit japin përshtypjen se e vetmja gjë që ka rëndësi për një ekonomi është rritja agregate. Por në një botë të globalizuar dhe transparente, hendeku në zgjerim e sipër midis të pasurve dhe të varfërve ka më shumë rëndësi. Pabarazia, sidomos kur shoqërohet me korrupsion, është shkatërruese për status quo-në.

Kjo është arsyeja pse drejtësia – tema e dytë e një strategjie të re politike – është kaq kritike. Pa drejtësi ekonomike, elektoratet gjithmonë do të fajësojnë për problemet e tyre partinë në pushtet. Ishte pikërisht ky arsyetim që çoi në zgjedhjen e presidentit Donald Trump në Shtetet e Bashkuara.

Tema e tretë është uniteti. Thjesht progresistët duhet të ofrojnë një alternativë të besueshme ndaj ndarjes së populizmit. Në fund të viteve 1990, Madeleine Albright, në atë kohë Sekretarja Amerikane e Shtetit, i bëri thirrje qeverive në Europë të mbështesnin një “aleancë demokracish” që do të përforconte vlerat perëndimore pas rënies së Murit të Berlinit dhe rënies së Bashkimit Sovjetik. Shumë vende iu përgjigjën në atë kohë Shteteve të Bashkuara; ne kemi nevojë për një zotim të ngjashëm uniteti sot.

Për fat të keq, ne gjithashtu kemi nevojë për lidership të ri globale. Me SHBA-në në tërheqje, Italinë kundërsulm dhe Britaninë të humbur në mjegullën e Brexit, përgjegjësitë e ndërtimit të një aleance do të mbeten në duar të lojtarëve të tjerë. Një opsion është klubi i ashtuquajtur i të katërve i G7 – Franca, Gjermania, Kanadaja dhe Japonia. Nëse përhapja e autoritarizmit dhe iliberalizmit duhet të ngadalësohet, këto demokraci liberale duhet të marrin rolin e ripërtëritjes së vizionit të Albrightit.

Së katërti, demokracitë duhet të flasin me më shumë qartësi. Për shembull, si mundet klubi i katër shteteve të mbrojë dhe promovojë vlerat liberale? Çështjet si emigracioni janë universale, por paqartësia politike dhe zhargoni i teknokratisë shumë shpesh mjegullon debatin publik. Nëse liberalizmi ndonjëherë do të arsyetojë populizmin, votuesit duhet të jenë në gjendje të kuptojnë se çfarë ofrojnë liberalët.

Së fundi, forcat anti-populiste kanë nevojë për guxim. Pa të, asnjë sasi përgjegjësie, drejtësie, uniteti apo qartësie nuk do të zhvendosë rrjedhën populiste. Për shembull, Macron duhet të lavdërohet për gatishmërinë e tij për të kundërshtuar politikën urryese të mbështetur nga zv/kryeministri i Italisë Matteo Salvini ose kryeministri i Hungarisë Viktor Orban. Por guximi i vërtetë për Macronin do të ishte miratimi i politikave që përputhen me retorikën e tij. Emigracioni, i cili do të jetë problemi kryesor i zgjedhjeve europiane në muajin maj, do të ishte vendi i duhur nga të fillohet.

Kush mund të kishte parashikuar që 75 vjet pas rënies së fashizmit në Itali tani do të kishim një lider në Romë që sillet si Musolini? Ose që në Gjermani – dhe sidomos në lindjen dikur komuniste të vendit – do të kthehej ndjenja e “pogrom” kundër të huajve? Ose që në Suedi, ekstremi i djathtë do të fitonte përkrahje, ndërsa diskriminon hebrenjtë?

Historiani britanik A.J.P. Taylor kishte një këndvështrim cinik të aftësisë së njerëzve për të mësuar nga gabimet e tyre. “Historia nuk mund të na mësojë asgjë sepse ajo përmban gjithçka, me një përjashtim,” shkroi ai dikur – “Rusia nuk duhet pushtuar në fund të verës”. E megjithatë, njerëzimi duket se e tërheq gjithmonë i ftohti.

Liderët liberalë të ditëve të sotme mund të vërtetojnë se Tayklor gabohet. Populizmi mund të mposhtet ende. Por për të fituar në klimën aktuale politike, forcat demokratike do të duhet të ndërmarrin një narrativë të re.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. A Strategy for Liberals