Lajm1 Sep 2021

Një tjetër deputet socialist jep dorëheqjen pa shpjegime

Pas dorëheqjes së Gramoz Ruçit, Lefter Koka, deputet i Durrësit, njoftoi dorëheqjen nga mandati të mërkurën pa dhënë shpjegime për arsyet por duke thënë se ky është “momenti i duhur”.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe zyrtarë të tjerë të PS në inaugurimin e impiantit të Elbasanit. Në foto (djathtas) aksionerja e Albtek Energy, Stela Gugallja. Foto: Facebook.

Lefter Koka, ish-kryetar i Bashkisë Durrës dhe ish-ministër për socialistët dhe LSI-në, njoftoi dorëheqjen e tij nga mandati i deputetit të mërkurën, mandat që e fitoi nga listat e Partisë Socialiste në një betejë të ashpër zgjedhore më 25 prill.

Koka e shpalli dorëheqjen në faqen e tij në Facebook pa dhënë shpjegime për shkaqe. Ai është deputeti i tretë socialist që jep dorëheqjen pa ndonjë arsye konkrete.

“…është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël,” shkroi Koka.

“Sot është dita që rrugëtimin tim politik,  ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë,” vijoi ai.

Lefter Koka ka lindur më 1964 në Durrës dhe u bë kryetar bashkie në këtë qytet në vitin 2003. Ai deklaron se ka përfunduar studimet në Fakultetin Ndërkombëtar të Shkencave Juridike në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës në një kohë të pacaktuar. Në vitin 2009 ai u bë deputet i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim në Durrës, mandat që e rifitoi më 2013, kur u bë Ministër i Mjedisit në koalicionin qeveritar PS-LSI. Pasi LSI ra në opozitë në vitin 2017 dhe dorëzoi mandatet më 2019, Koka kaloi në rradhët e PS, ku u zgjodh deputet në prill të këtij viti.

Pak para zgjedhjeve, ish-partia e tij LSI e akuzoi Kokën si përfitues të 3.3 milionë eurove nga koncesionari i incineratorit të Elbasanit, një kontratë që u lidh nga vetë Koka si Ministër i Mjedisit. Koka iu përgjigj akuzës duke akuzuar LSI-në si “mosmirënjohëse” ndërsa i konsideroi akuzat si “shpifje”.

Para tij, pa dhënë shpjegime, Gramoz Ruçi, sekretar i përgjithshëm i socialistëve që prej 30 vjetësh, dha gjithashtu dorëheqjen dhe shpalli largimin nga politika pa dhënë shpjegime për shkaqe të mundshme.

Pak ditë më parë, Najada Çomo, e cila fitoi mandatin e deputetes për socialistët, dha gjithashtu dorëheqjen ndërsa sipas shpjegimit të kryeministrit Edi Rama, shkaku i dorëheqjes ishte rritja e numrit të rasteve me COVID-19 dhe nevoja që Çomo të merrej me profesionin e saj si mjeke.

I sapodorëhequri Koka gjithsesi mendon se Shqipëria ka ecur në rrugën e drejtë gjatë viteve që ai është marrë me politikë.

“Shqipëria është padyshim sot një vend më i mirë se dje, është vendi plot dritë shprese që na përket të gjithëve,” tha ai.