Investigim20 Jul 2016

“Njëra dorë lan tjetrën” kur gjyqtarët përballen me drejtësinë

Vendimet e marra në kundërshtim me ligjin dhe në konflikti interesi e mbajtën në detyrë anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni dhe bllokuan hetimin e Prokurorisë kundër tij për fshehje pasurie dhe falsifikim dokumentesh.    

Autor: Elton Qyno BIRN Tiranë
Printo

Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Gjin Gjoni | Foto nga : LSA

Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Gjin Gjoni | Foto nga : LSA

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, KLD, është institucioni që ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë për organizimin, kontrollin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri.

I udhëhequr nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, ky Këshill funksionon në praktikë si një lloj qeverie e gjyqësorit, e cila merr vendime për penalizmin e gjyqtarëve për të cilët janë konstatuar shkelje administrative por edhe i promovon ata në gjykatat e apelit dhe ato të karrierës.

Megjithatë, në momentin kur njëri prej anëtarëve të këtij Këshilli, Gjin Gjoni, u vu nën hetim nga Prokuroria në vitin 2014 për fshehje pasurie dhe falsifikim dokumentesh – pas një kallëzimi penal të dorëzuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit – KLD refuzoi ta pezullonte atë nga detyra.

Jo vetëm KLD, por edhe Gjykata e Elbasanit dhe ajo e Apelit në Durrës refuzuan një kërkesë të Prokurorisë për të pezulluar Gjonin nga pozicioni i tij i pushtetshëm, ndërkohë që akuzat e ILDKPKI-së hetoheshin për vërtetësinë e tyre.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që vendimin i marrë në favor të Gjonit nga gjyqtarja e Gjykatës së Faktit në Elbasan, Miranda Çekrezi, është marrë në kundërshtim me kodin e procedurës penale dhe në konflikt interesi.

Ky konstatim është mbështetur dhe nga ish Ministri i Drejtësisë, Nasip Naco, i cili ka hapur procedim disiplinor kundër Çekrezit.

Megjithatë, vendimi i marrë nga Çekrezi për mospezullimin nga detyra të anëtarit të KLD-së nuk ka qenë i vetmi vendim problematik i Gjykatës së Elbasanit në dosjen “Gjoni.”

Sipas një relacioni të përgatitur nga Prokuroria e Elbasanit për Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla – një kopje të cilit është siguruar nga BIRN – vendimi i Çekrezit ka qenë i pari i një serie të gjatë vendimesh nga kjo Gjykatë, që në shkelje të ligjit procedural e kanë gjunjëzuar hetimin e prokurorisë.

E pyetur nga BIRN, Çekrezi refuzoi të komentonte mbi vendimin e saj.

Gjyqtari i Apelit Gjin Gjoni është anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga qershori i vitit 2013, dhe sipas të dhënave të administruara nga ILDKPKI, gjyqtari më i pasur në Republikën e Shqipërisë – me një pasuri familjare të vlerësuar në më shumë se 2 milionë euro.

Në 23 Prill 2014, ILDKPKI i është drejtuar me një kallëzim penal Prokurorisë së Përgjithshme, ku e akuzon Gjyqtarin e Apelit dhe anëtarin e KLD-së, bashkëshorten e tij Elona Çaushi dhe dy notere për veprat penale të “fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë në bashkëpunim, falsifikimit të dokumenteve në bashkëpunim, pastrimit të produkteve të veprës penale në bashkëpunim, dhe korrupsionit parashikuar nga nenet 257/a e 25, neni 186 e 25, neni 287 e 25, neni 319/ç të Kodit Penal.”

Me 15 Maj 2014, ILDKPKI bën një kallëzim të ri kundër Gjonit dhe Çaushit, notereve Xhevahire Brahaj dhe Miranda Demollari si dhe shtetasit Arben Kondi për falsifikim dokumentesh.

Sipas ILDKPKI, falsifikimi i këtyre dokumenteve të paraqitura nga subjekti Gjin Gjoni kanë pasur “qëllimin e vetëm shmangien nga përgjegjësia e rëndë ligjore që ka në ushtrimin e funksionit të Gjyqtarit të Apelit dhe Anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në papajtueshmëri të plotë me Kushtetutën dhe ligjet organike si dhe duke vazhduar ushtrimin e këtyre  funksioneve në konflikt interesi, duke zotëruar aksione në mënyre aktive prej vitit 2010.”

Kallëzimet penale kundër Gjoni dhe Çaushit janë transferuar për kompetencë nga Prokuroria e Përgjithshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan. Kjo e fundit i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan, duke kërkuar pezullimin e Gjonit nga detyra si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Në gjykatë, shorti i çështjes i ka rënë gjyqtares Miranda Cekrezi, e cila e ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë. Megjithatë, sipas Prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë vendimi i gjyqtares jo vetëm është i gabuar, por është marrë në konflikt interesi.

Në vitin 2011, në funksionin e tij si gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë, Gjoni kishte shqyrtuar si relator një padi të Çekrezit kundër Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke u shprehur në favor të saj. Vendimi i Gjonit kishte hequr nga CV-ja profesionale e Çekrezit si gjyqtare një “vërejtje” të KLD-së, si një akt në kundërshtim me ligjin.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, në kushtet e sipërpërmendura, gjykatësja “ka qenë në konflikt të hapur interesi, dhe në bazë të dispozitave procedurale duhet të hiqte dorë nga gjykimi i kësaj çështje.”

I të njëjtit mendim ka qenë dhe Prokuroria, që e ka apeluar vendimin e saj në Gjykatën e Apelit Durrës. Megjithatë, kjo e fundit e ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan.

Megjithatë, vendimi Çekrezit nuk kanë qenë i vetmi vendim i Gjykatës së Elbasanit që ka ngritur vetullat e prokurorëve të çështjes.  Në një informacion dërguar Prokurorit të Përgjithshëm mbi çështjen e Gjonit, Prokuroria e Elbasanit shprehet se “gjykata e këtij qyteti ka kryer të gjitha “manovrat” e saj për të penguar hetimin e gjyqtarit të Apelit Tiranë, Gjin Gjoni.  

Në dokumentin e saj, Prokuroria e Elbasanit bën një kronologji të disa vendimeve gjyqësore të marra nga Gjykata e Elbasanit, pasi kjo e fundit  kishte urdhëruar dhënien fund të hetimeve në shkurt 2015, pa pritur ardhjen e dy letërporosive të dërguara në Gjermani dhe Francë.

Sipas Prokurorisë së Elbasanit, me regjistrimin e procedimit penal, Prokuroria kërkoi vendosjen e masës ndaluese “pezullim nga detyra” për gjyqtarin Gjin Gjoni, kërkesë e cila u refuzua nga gjykata e Elbasanit dhe nga Gjykata e Apelit Durrës.

Në korrik 2014, Prokuroria Elbasanit dërgoi letërporositë, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, pranë autoriteteve franceze dhe gjermane dhe kërkoi zgjatjen e afatit të hetimeve.

Zgjatja e afatit të hetimeve u kundërshtua në gjykatë në gusht 2014 nga Gjin Gjoni.

“Gjykata vendosi që kërkesa të shqyrtohej nga një gjyqtar i gatshëm, në kundërshtim flagrant me procedurën, e cila parashikon se shqyrtimi i kësaj kërkese i takon gjyqtarit që është shprehur fillimisht për caktimin e masës ndaluese,” shkruan Prokuroria e Elbasanit.

“Pavarësisht kërkesës së prokurorisë për përjashtimin e gjyqtarit të dytë dhe kalimin e kërkesës për shqyrtim të kundërshtimit të paraqitur nga shtetasit Gjin Gjoni sërish tek gjyqtari që e ka marrë në shqyrtim çështjen që në fillim, gjykata në kundërshtim të plotë me ligjin procedurial, e rrëzoi pretendimin e prokurorisë,” shton ajo.

Në një lëvizje surprizë në shtator 2014, i dyshuari Gjin Gjoni tërhiqet nga ankimi për zgjatjen e afateve hetimore dhe në këtë mënyrë mbeti në fuqi vendimi i prokurorit.

Në vijim, në nëntor 2014, po në pritje të letër-porosive, Prokuroria vendos zgjatjen e afateve të hetimit. Edhe në këtë rast, i dyshuari e ankimoi çështjen në gjykatë, për shqyrtimin e të cilës, dhe kësaj radhe në respektim të procedurës, i kaloi sërish gjyqtarit të parë të kësaj çështjeje – i cili më parë refuzoi pezullimin nga detyra.

“I dyshuari kërkon nga gjykata përjashtimin e gjyqtarit dhe, sërish në kundërshtim me procedurën, gjykata e Elbasanit vendos të pranojë kërkesën e të dyshuarit dhe përjashton gjyqtarin, duke ia kaluar gjyqtarit Sulejman Kurti,” shkruan Prokuroria.

“Ky i fundit, në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së të dyshuarit Gjin Gjoni, në datë 13.02.2015 vendos pranimin e kërkesës për kundërshtimin e vendimit të prokurorit për zgjatjen e afateve,” shton organi i akuzës.

Prokuroria e Elbasanit e përshkruan kronologjinë e vendimeve si një “ping-pong” gjyqtarësh që e ka ndaluar të mbledhë provat e nevojshme, ndërkohë që sipas ligjit çështja duhet të ishte shqyrtuar nga një gjyqtar i vetëm.

Për shkak të mungesës së letërporosive, “me ndihmën e vendimeve në kundërshtim flagrant me procedurën, dyshimet ndaj personave nën hetim mbeten të paprovuara.”

“Prokuroria e Elbasanit, në bazë të të gjithë veprimeve të gjykatës, ka krijuar bindjen se ka pasur një vullnet për të mos mbështetur hetimin nga ana e gjykatës së Elbasanit. Këtë bindje e ka të mbështetur në shkeljet e shpeshta procedurale gjatë shqyrtimit të kësaj çështje,” përfundon ajo.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *