Ka disa shembuj nga bota që tregojnë se pse një vend bën mirë të punojë për konservimin dhe jo për shembjen.
Që me nisjen e debatit për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një teatri të ri kemi dëgjuar dhe lexuar shumë opinione mbi prishjen ose jo të teatrit. Kemi dëgjuar argumente nga pala qeverisëse dhe nga disa aktorë se si duhet të shembet për tu ndërtuar një i ri sepse ndërtesa aktuale është shumë e amortizuar, përbën një rrezik, nuk kemi fonde për të ndërtuar një teatër të ri etj (të them të drejtën as nuk dua ta marr mundimin që të përmend këto ‘argumente’).
Nga ana tjetër kemi lexuar opinione për mbrojtjen e teatrit nga analistë si psh. Fatos Lubonja që e mendon si një aferë të pastër korruptive ku toka e teatrit aktual do i jepet një ndërtuesi privat që do ndërtojë kulla të reja, kulla që aq shumë i ‘nevojiten’ Tiranës. Një praktikë e njohur nga të gjithë tanimë.
Kemi lexuar edhe një opinion nga aspekti i rëndësisë historike të kësaj ndërtese nga Aurel Plasari që me ndërtimin në vitin 1939 e me të gjitha ngjarjet e rëndësishme që e kanë shoqëruar ‘kompleksin Skanderbeg’, siç quhej në fillim (shfaqjet e para teatrale në Shqipëri, 9-12 prill 1940 shfaqjet e para muzikore nga zonjat Marie Kraja dhe Tefta Tashko, përdorimi i ndërtesës së dytë si ‘Instituti i Studimeve Shqiptare’ etj).
Kemi lexuar gjithashtu një opinion të Artan Raçës për rëndësinë arkitekturore të kësaj ndërtese ku autori shprehet: ‘E ndërtuar në shpinë të kompleksit të ministrive, me përulësi, thjeshtësi, përmasë njerëzore, me një arkitekturë të lehtë dhe të depërtueshme, ky kompleks është një hapësirë arkitektonike, e cila shkrihet në një hapësirë urbane në sheshin para tij e natyrshëm deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke i dhënë një vlerë të veçantë projektuese boshit, nga të rrallat tashmë të mbijetuara në këtë qytet..’
Teksa lexon gjithë këta opinione nuk duhet shumë për të kuptuar se çfarë gabimi i pafalshëm do bëhet nëse Teatri do shembet, çfarë gabimi do bëjmë nëse e lejojmë të ndodhë kjo gjë.
Por a është rasti i Teatrit tonë Kombëtar i vetmi rast në botë ku një objekt me rëndësi historike dhe arkitekturore shembet për të ndërtuar një të ri nga një ndërtues privat në shkëmbim të dhënies së lejes për kulla të reja? Ekzistojnë raste të tjera ku në situata të ngjashme kemi restaurim dhe konservim të këtyre ndërtimeve? Ndoshta kryeministri ynë dhe kryetari i bashkisë së Tiranës nuk kanë njohuri për të tilla raste. Në fakt ky është edhe qëllimi kryesor i këtij shkrimi; analizimi i mënyrës se si kanë vepruar disa vende të tjera me teatrot e tyre si dhe analizim i dy përfundimeve që mund të kenë pasur teatrot në fjale (shkatërrim ose restaurim).
Nuk duhet që të studiosh arkeologji dhe trashëgimi kulturore që të bësh një kërkim të thjeshtë dhe sigurisht të marrësh shumë përgjigje sa u takon pyetjeve të mësipërme, por edhe më gjerë. Është për të qeshur edhe për të qarë kur shikon se si situata ku është tentuar të shkatërrohet ose janë shkatërruar teatrot kombëtarë i gjejmë në Uganda, në Taxhikistan, Serbi etj. Kështu në Uganda në vitin 2017 qeveria e atij vendi u kërkonte aktorëve ta braktisnin ndërtesën sepse aty do ndërtohej një kullë 36-katëshe moderne me kinema dhe qendra tregtare. U deshën protesta të shumta që ta detyronin qeverinë e atij vendi të negocionte për të arritur pastaj në vendimin përfundimtar të restaurimit të ndërtesës aktuale të teatrit kombëtar të atij vendi.
Në Taxhikistan kemi rastin e teatrit më të vjetër të vendit, ‘Dushanbe’s Mayakovsky’ i cili u shkatërrua nga qeveria e vendit pavarësisht protestave të shumta me motivacionin se ishte një ndërtesë që i përkiste periudhës sovjetike. Sipas tyre të gjitha ndërtesat e kësaj periudhe duhej të prisheshin për tu zëvëndësuar me ndërtesa moderne. Nëse nuk duam të shkojmë shumë larg, mund të gjejmë një situatë të ngjashme në Serbi ku në vitin 2012 qeveria e vendit bashkë me pushtetin lokal vendosën të prishnin 2/3 e ‘Teatrit Neoklasik të Popullit’ njëkohësisht me i vjetri i vendit i ndërtuar në vitin 1854. Qëllimi ishte për zgjerimin e hapësirave ekzistuese duke ruajtur vetëm pjesën e hyrjes së teatrit e cila ngelej siç kishte qenë. Teatri u shkatërrua pavarësisht se bënte pjesë që nga viti 1991 në listën kombëtare të Serbisë si monument me vlera të jashtëzakonshme kulturore. Në ditët e sotme kemi një ndërtesë krejt të ndryshme pavarësisht se ajo e mëparshmja sipas shumë studiuesve ishte arritja më e madhe arkitekturore në qytetin e Subotica-s në fund të shek. XIX-të.
Të treja situatat i bashkojnë arroganca dhe injoranca e qeverive sa i takon menaxhimit të ndërtesave historike. Po tu shtosh edhe rastin e Teatrit tonë Kombëtar (gjendja në të cilën është lënë bashkë me qëllimin e shkatërrimit të tij) do krijomë një mozaik situatash ku ndërtesat historike, në rastin konkret teatrot shkatërrohen nga arroganca, injoranca dhe sigurisht në rastin e Shqipërisë edhe nga vjedhja!
Sa i takon historive të suksesit, e këtu e kam fjalën për ruajtje të ndërtesave të këtij lloji rastet janë të shumta sepse po flasim për mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Dhe një shtet normal e mbron trashëgiminë e tij. Kështu ‘Teatri Mbretëror’ në Notingam, Angli i ndërtuar në vitin 1865, pasi u ble nga këshilli i qytetit në vitin 1969, u restaurua me një vlerë prej 4 milionë paundësh duke qenë sot e kësaj ditë një ndërtese moderne multifunksionale kulturore.
Një tjetër rast fantastik është edhe restaurimi dhe rijetëzimi i një teatri të vogël në Oldenburg, Gjermani. ‘The Globe’ u ndërtua nga britanikët pas përfundimit të luftës së dytë botërore për argëtimin e ushtarëve të tyre si dhe për t’i mbajtur të lidhur me shtëpitë e tyre. Duke qenë se përbën një ndërtesë me një rëndësi të veçantë historike drejtuesit e projektit mendojnë ta restaurojnë atë për ta kthyer pastaj në një ndërtesë që i shërben turizmit jo vetëm mes Anglisë dhe Gjermanisë, por edhe më gjerë. Deri tani janë mbledhur 280 mijë euro për restaurimin e kësaj ndërtese. Rasti tjetër që dua të përmend është ai i Teatrit Kombëtar në Panama. Për mendimin tim është një manual perfekt që i duhet sugjeruar kryeministrit tonë edhe kryetarit të bashkisë së Tiranës se si duhet vepruar me ndërtesat vlera historike dhe kulturore. Teatri Kombëtar i Panamasë u ndërtua në vitin 1903 menjëherë sapo Panamaja fitoi pavarësinë e saj.
Përgjatë ekzistencës së tij, teatrit i janë bërë disa ndërhyrje me qëllim restaurimin e ndërtesës, por edhe të pikturave murale të saj. Për të ardhur pastaj në vitin 2000 ku u vendos për një ndërhyrje të përgjithshme mbi të gjithë teatrin. Për këtë u kujdes personalisht edhe zonja e parë e vendit në atë kohë. U hartua një plan restaurimi që arrinte totalin e pesë milionë eurove.
Vështirësia kryesore qëndronte në sigurimin e fondeve pasi shteti i Panamasë nuk mund të paguante për këtë restaurim. Por çfarë u bë në këtë rast? Panamaja kërkoi financime nga vende të tjera. Dhe në fakt ato erdhën. Qeveria e Taivanit dhuroi një shumë prej tre milionë dollarësh, ndërsa Japonia sponsorizoi rregullimin e skenës, sistemit të ndriçimit dhe sistemit të audio-s me një vlerë prej 500.000 dollarësh. Pjesa tjetër u mbulua nga shteti i Panamasë duke realizuar kështu restaurimin e plotë të teatrit. Të bën përshtypje se një debat i fortë në atë kohë ishte se karriget e reja që do vendoseshin do të ishin të stilit klasik apo modern. Kjo ishte dilema kryesore atje në fakt, jo prishja e teatrit për ndërtimin e një të riu. Sepse panamezët nuk kishin dëgjuar për ndërtuesit privat që ta ndërtonin teatrin nga fillimi, në këmbim të ndërtimit të disa kullave të reja.
Jam për restaurimin e teatrit ekzistues dhe patjetër për ndërtimin e një teatri të ri. Por jo duke sakrifikuar Teatrin e tanishëm Kombëtar. Teatrin e ri le ta bëjnë tek Bulevardi i Ri, hapësirë ka mjaft. Nuk kanë fonde ta ndërtojnë? Kjo të duket e pabesueshme. Në fakt ne kemi 600.000 euro për të harxhuar në palma, ne ndërtojmë 3 muzeume për periudhën e komunizmit edhe nuk kemi paratë e nevojshme për të ndërtuar një teatër të ri.
Çfarë u bë për të kërkuar fonde nga vende të tjera dhe institucione ndërkombëtare? Asgjë nuk është bërë. Sepse teatri sipas tyre duhet të prishet pasi përbën një rrezik. Edhe për këtë gjë ka shumë vite që janë kujdesur duke mos investuar asgjë tek ndërtesa e teatrit duke e bërë kështu ‘të rrezikshme’. Duhej që të binte tërmeti i 4 korrikut që ta kuptonin më në fund se ndërtesa ka degraduar. Janë harxhuar sa e sa lekë për 3 muzeumet që përmenda më sipër, por për teatrin asgjë. E duke parë vullnetin e organeve qeverisëse ata nuk do të na zhgënjejnë as këtë herë, teatri do të shembet. Sikurse nuk na zhgënjyen me prishjen e stadiumit kombëtar, sikurse nuk na kanë zhgënjyer në shumë situate të tjera. Fundja ka të tjerë që i dinë këto punë më mirë se ne!