Nëse qeveria e Kosovës është e paaftë dhe e korruptuar, dikush mund të pyesë veten se cilët mbështetës ndërkombëtar i mundësuan këtyre njerëzve të tillë të vinin në pushtet dhe bënë një sy qorr para “kapjes së tyre të shtetit”.
Më 15 shkurt mora pjesë në një pritje në Londër për të festuar dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Lirim Greicevci, ambasadori i Kosovës në Britani, renditi rezultatet e Kosovës dhe foli ngrohtësisht për mirënjohjen e vendit të tij ndaj Mbretërisë së Bashkuar.
Karen Pierce, ambasadori britanik në OKB, premtoi se Britania gjithmonë do ta mbështesë Kosovën dhe do të punojë për të siguruar që ajo të pranohet si në BE ashtu edhe në OKB. Të ftuarit e mbledhur ngritën dolli për “progresin e vazhdueshëm” të Kosovës.
Duke pasur parasysh situatën e rëndë me të cilën Kosova u përball 20 vjet më parë, kur forcat serbe mësynë ish-provincën e atëhershme, ka pasur qartë disa arsye për të folur për “progres”. Në të vërtetë, shumë nga të ftuarit kishin luajtur një rol në ndërhyrjen e vitit 1999 dhe në procesin që çoi në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008 dhe bisedat e tyre ishin kryesisht nostalgjike.
Megjithatë, Kosova bashkëkohore e diskutuar në atë sallë në Londër – “progresive”, “multietnike”, “në zhvillim e sipër” – nuk i ngjanë aspak Kosovës së vërtetë, 2414 km larg.
Viti 2018 mund të kishte qenë një vit historik për Kosovën. Përtej festimit të dhjetë viteve si një shtet i pavarur, arritje të ndryshme të rëndësishme u shfaqën në pika të ndryshme si të mundshme për t’u realizuar.
Në janar, “Pesçja” i ndërroi mendje deputetëve të Kosovës që të mos shfuqizonin ligjin që autorizon Dhomat e Specializuara, duke premtuar se gjykata do të ndihmonte integrimin ndërkombëtar dhe euroatlantik të Kosovës.
Marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë u përmirësua aq shumë në disa pika, saqë ndryshimi u konsiderua edhe “historik” nga Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn.
Komisioni Europian gjithashtu deklaroi se Kosova kishte bërë “progres të madh” dhe tani plotësoi kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave.
Në nëntor, Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli foli me besim në lidhje me përpjekjen e vendit për t’iu bashkuar Interpolit si një moment kyç në progresin e Kosovës drejt njohjes së plotë ndërkombëtare, duke parashikuar se “pas shpalljes së pavarësisë, ky është momenti më i rëndësishëm deri më tani”.
Në dhjetor, parlamenti i Kosovës miratoi krijimin e ushtrisë së saj, e cila, siç tha presidenti Thaçi, do të kontribuojë për “paqen në Kosovë, rajon dhe kudo në botë kur të kërkohet”.
Ndërkohë, me afrimin e vitit 2019, të gjitha këto arritje të mundshme ose kanë rënë, ose nuk kanë arritur të materializohen ose janë konsideruar si të dëmshme për progresin e Kosovës.
Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj janë përballur publikisht në lidhje me trajektoren e ardhshme të Kosovës dhe sidomos përsa i takon propozimit të Thaçit për “korrigjimin” e kufirit me Serbinë si pjesë e një zgjidhjeje përfundimtare.
Demonstrata masive janë mbajtur për të protestuar kundër “ndërrimit të territoreve”. Dialogu i udhëhequr nga BE-ja me Beogradin është prishur, me Haradinajn që akuzon shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, se e ka “mbytur dhe prishur procesin”.
BE-ja ka kritikuar Kosovën për vendosjen e tarifave ndaj mallrave serbe, që pasoi përpjekjen e dështuar të Kosovës për t’iu bashkuar Interpolit. Një sërë shtetesh e kanë “çnjohur” Kosovën.
NATO ka kritikuar gjithashtu Kosovën për krijimin e një ushtrie de facto pa u konsultuar, duke i lënë të pasigurta marrëdhëniet e vendit me aleancën. Kosova nuk u bë anëtare e re e Interpolit.
“Ftesa” e Gjykatës Speciale për individë të caktuar që të marrin pjesë në marrje në pyetje është refuzuar haptazi. Premtimi për udhëtime pa viza është në vitin 2018 është shkelur dhe Haradinajn pretendon se Kosova është “tradhtuar”. Anëtarësimi në BE mbetet një perspektivë shumë e vështirë.
Ekziston gjithashtu një perceptim gjendja e keqe aktuale e Kosovës është pjesërisht për fajin e saj. Zhgënjimi i shprehur i NATO-s për krijimin e ushtrisë dhe dënimi nga ana e BE-së për tarifat tregtare e kanë vënë Kosovën në pozicionin e pazakontë të “problematikes” së rajonit.
Kjo ka bërë që disa komentues ta akuzojnë Kosovën se po sillet në një mënyrë agresive dhe se “po kafshon dorën që e ka ushqyer”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së “të zbusë” kosovarët e padisiplinuar.
Në fakt, problemet që kanë sulmuar Kosovën në vitin 2018 nuk janë janë vetëm ato që ajo ka krijuar vetë.
Qeveria mund të jetë e korruptuar, e paaftë dhe e përbërë nga shumë figura të larta që kanë lidhje me kriminalitetin dhe dhunën, por dikush mund të pyesë: “Kush u ka mundësuar këtyre njerëzve ardhjen në pushtet pas ndërhyrjes së NATO-s dhe kush i ka mbështetur që atëherë?”
Elita aktuale politike nuk do të mund ta kishte mbajtur dot pozicionin e saj në Kosovë pa përkrahjen e shumë mbështetësve të ndryshëm ndërkombëtarë të cilët zgjodhën të bënin një sy qorr para “kapjes së shtetit” në këmbim të nderimit të tyre të palëkundur dhe një sërë lëshimesh që gradualisht e kanë çuar Kosovën drejt shndërrimit në një lloj vasali.
Shtrirja në të cilën Kosova është trajtuar si një lloj i një shoqërie e butë ka degraduar në mënyrë të vazhdueshme kapacitetin e saj për të funksionuar si një shtet i pavarur si brenda vendit ashtu edhe në nivel ndërkombëtar.
Ndërkohë BE-ja ka mbështetur përpjekjet e Serbisë për të rehabilituar veten – pa shlyer fajet e saj për shumë krime të kaluara – Kosova është urdhëruar të ndërmarrë një sërë lëshimesh që kanë dëmtuar dhe paralizuar sistemin e brendshëm politik dhe janë tallur me statusin e Kosovës si një shtet i pavarur.
Ato përfshijnë marrëveshjen për komunat serbe, marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi, krijimin e “Dhomave të Specializuara” dhe mikro-menaxhimin e kushtetutës së Kosovës dhe simboleve kombëtare.
Së bashku, ato përbëjnë një shkallë të paprecedentë ndërhyrjeje të jashtme në punët e një shteti të supozuar sovran, gjë që natyrisht ndikon në kapacitetin e atij shteti për të funksionuar brenda vendit dhe për të arritur njohje ndërkombëtare.
Më keq akoma, pavarësisht këtyre lëshimeve, Kosova mbetet kryesisht e pashpërblyer; populli i Bjellorusisë dhe Kosovës janë qytetarët e vetëm europianë në perëndim të Rusisë që nuk gëzojnë regjimin pa viza; Kosova nuk është anëtare e BE-së, NATO-s, OKB-s, Interpolit, UNESCO-s dhe e shumë organizatave të tjera ndërkombëtare.
Sigurisht që ky izolim kontribuon në normat e larta të papunësisë në Kosovë, situatë e cila përkeqësohet akoma më tej nga nepotizmi i elitës së mbështetur nga jashtë.
Ngjarjet e vitit 2018 ilustrojnë kështu masën në të cilën Kosova është detyruar të hyjë në një gjendje të vështirë, sidomos në lidhje me dy çështjet më të rëndësishme me të cilat ajo përballet; statusin e saj ndërkombëtar dhe marrëdhëniet e saj me Serbinë.
Edhe pse kryesisht e larguar nga pavarësia e vërtetë në sajë të marrëdhënieve midis elitës politike dhe aktorëve të jashtëm të fuqishëm të cilët vazhdimisht kanë kërkuar lëshime, Kosova është përpjekur të bindë komunitetin ndërkombëtar se është në të vërtetë e pavarur.
Kjo është edhe arsyeja e përpjekjeve të mëdha dhe fatkeqe për të fituar më shumë njohje dhe për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, Kosova është inkurajuar të “bëjë paqe” me Serbinë – edhe pse Beogradi nuk i pranon gabimet e së kaluarës – në mënyrë paradoksale që t’i mundësojë Serbisë anëtarësimin në BE.
Nuk është aspak habi që të dyja përpjekjet janë rrëzuar në mënyrë spektakolare, duke krijuar stuhinë e përsosur që tani e gllabëron Kosovën dhe duket e vendosur të vazhdojë furishëm.
Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.