Blog28 Mar 2017

Nuk qe vetëm urrejtje. Fashizmi ofroi edhe shtet social

Mes ngritjes së fashizmit në periudhën mes dy luftrave botërore dhe ngritjes së të djathtës ekstreme sot janë bërë shumë analogji. Por një analogji që duhet të përbëjë një mësim për ditët tona është kjo: fashizmi joshi popujt duke ofruar zgjidhje për problemet shoqërore të krijuara nga kapitalizmi, probleme që partitë e tjera nuk ditën t'i trajtonin.

Autor: Sheri Berman AEON.co
Printo

Detaje nga një familje fermerësh në Kalenberg (1939), nga Adolf Wissel. Foto kortezi e Republikës Federale Gjermane.

Detaje nga një familje fermerësh në Kalenberg (1939), nga Adolf Wissel. Foto kortezi e Republikës Federale Gjermane.

Një analogji po përndjek Shtetet e Bashkuara – analogjia e fashizmit. Është virtualisht e pamundur (jashtë disa segmenteve të caktuara të vetë krahut të djathtë) që të përpiqesh të kuptosh ringritjen e të Djathtës pa dëgjuar se si ajo përshkruhet – apo krahasohet – me fashizmin e periudhës mes dy luftërave botërore në shekullin e 20. Njësoj si fashizmi, ringritja e të Djathtës është iracionale, mendjembyllur, e dhunshme dhe raciste. Kjo është analogjia dhe ka të vërteta në të. Por fashizmi nuk u bë i fuqishëm thjeshtë duke joshur instiktet më të errëta të popullatës. Fashizmi gjithashtu, në mënyrë thelbësore, foli edhe për nevojat psikologjike dhe shoqërore të qytetarëve që duhej të mbroheshin nga rrënimet e kapitalizmit në një kohë kur aktorët e tjerë politikë nuk po ofronin asnjë zgjidhje.

Origjina e fashizmit qëndron në premtimin për të mbrojtur njerëzit. Vonë në shekullin e 19 dhe në fillim të shekullit të 20, një nxitim drejt globalizimit shkatërroi bashkësitë, profesionet dhe normat kulturore ndërsa gjeneroi një dallgë imigrimi. Lëvizjet nacionaliste të krahut të djathtë premtuan se do të mbronin njerëzit nga ndikimet e dëmshme të të huajve dhe tregjeve, njerëzit e frikësuar dhe të shpërngulur u përgjigjën. Këto lëvizje të hershme fashiste sollën trazira në jetën politike të disa vendeve, por ato patën relativisht pak sukses deri në Luftën e Dytë Botërore.

Lufta e Parë Botërore shkatërroi Europën, duke vrarë 16 milionë njerëz, duke sakatuar 20 milionë të tjerë, duke rrënuar ekonomitë e duke mbjellë trazira. Në Itali, për shembull, periudha e pasluftës u shoqërua me inflacion të lartë dhe papunësi si dhe greva, pushtim fabrikash, pushtim tokash dhe forma të tjera të kryengritjes shoqërore e dhunës. Qeveritë liberale italiane të pasluftës dështuan të zgjidhin në mënyrë të përshtatshme këto probleme. Votuesit e liberalëve – biznesmenët, pronarët e tokave e klasa e mesme – i braktisi ata. Dy partitë më të mëdha opozitare në vend, socialistët dhe katolikët – nuk ofruan zgjidhje për trajtimin e këtyre problemeve sociale.

Benito Mussolini dhe partia e tij Nacionale Fashiste ndërhyri për të mbushur hendekun, duke përfituar avantazh nga dështimi dhe inefikasiteti i institucioneve ekzistuese, partive dhe elitave dhe ofroi një përzjerje të politikave ‘nacionale’ dhe ‘shoqërore’. Fashistët premtuan të fuqizonin unitetin kombëtar, të priorizonin interesat e kombit mbi ato të çdo grupi shoqëror dhe të promovonin staturën e Italisë në arenën ndërkombëtare. Fashistët gjithashtu joshën dëshirën e italianëve për siguri shoqërore, solidaritet dhe mbrojtje nga krizat e kapitalizmit. Ata premtuan për rrjedhojë të rikthenin rendin, të mbronin pronën private dhe të promovonin mirëqenien por edhe të mbronin shoqërinë nga rëniet ekonomike dhe përçarjet shoqërore. Fashistët theksonin se pasuria mbat përgjegjësi njësoj si edhe privilegje dhe duhet të administrohet në përfitim të kombit.

Këto joshje i mundësuan fashistëve të fitonin mbështetje nga pothuajse të gjitha grupimet shoqërore dhe ekonomike. Italia qe një vend i ri (i krijuar më 1860) dhe i mallkuar nga ndasi të thella rajonale dhe shoqërore. Duke pretenduar se i shërbenin interesit më të mirë të të gjithë bashkësisë kombëtare, fashistët u bënë efektivisht e para parti ‘e popullit’ italian.

Pasi erdhën në pushtet, fashistët italianë krijuan aktivitete dëfrimi, studentët dhe grupet e të rinjve, sportet dhe ekskursionet. Këto organizata fuqizuan më tej objektivat e Italisë për krijimin e një bashkësie me të vërtetë kombëtare. Dëshira për të forcuar një identitet kombëtar (fashist) shtyu gjithashtu regjimin të ndërmerrte masa të jashtëzakonshme kulturore. Ata promovuan arkitekturë publike goditëse, ekspozita arti dhe prodhime kinematografike e radiofonike. Regjimi ndërhyri në mënyrë masive në ekonomi. Siç e tha një fashit: ‘Nuk mund të ketë asnjë interes ekonomik të veçantë që të jetë më i rëndësishëm se sa interesi ekonomik i përgjithshëm i shtetit, nuk mund të ketë iniciativë ekonomike individuale që nuk bie mbi supervizionin dhe rregullimin e shtetit, nuk mund të ketë marrëdhënie mes klasave të ndryshme të kombit që nuk janë njëkohësisht shqetësim për shtetin.’ Politika të tilla e mbajtën fashizmin popullor deri vonë në vitet 1930, kur Mussolini e lidhi fatin e tij me Hitlerin. Qe vetëm përfshirja e Italisë në Luftën e Dytë Botërore dhe aplikimi nga regjimi italian i kritereve më ‘raciste’ të fashizmit që e bëri partinë e Musolinit jopopullore në Itali.

Fashizmi italian ndryshonte nga ai gjerman në disa drejtime të rëndësishme. Më e dukshmja, ndoshta qe anti-Semitizmi dhe racizmi qenë më të ashpra në versionin gjerman. Por fashizmi Italian dhe ai Gjerman kishin gjithashtu ngjashmëri të rëndësishme. Njësoj si Italia, Gjermania e një komb i ‘ri’, (i krijuar më 1871) i mallkuar nga ndasi të thella. Pas Luftës së Parë Botërore, Gjermania e gjeti veten të goditur nga kushtet ndëshkuese të paqes. Gjatë viteve 1920, vendi përjetoi kryengritje të dhunshme, vrasje politike, pushtime të huaja dhe një Inflacion të Stërmadh famëkeq. Pastaj Depresioni i Madh goditi, duke shkaktuar vuajtje të stërmëdha në Gjermani. Gjithsesi duhet të mbahen parasysh edhe përgjigjja e qeverisë dhe e aktorëve të tjerë politikë. Për arsye të ndryshme, qeveritë konservatore dhe kundërshtarët e tyre socialistë të kësaj epoke parapëlqenin kursimin si një përgjigje ndaj krizës. Për rrjedhojë u krijua mundësia për fashizmin.

Partia Nacional Socialiste e Punëtorëve Gjermanë e Hitlerit premtoi se do t’i shërbente të gjithë popullit gjerman por ajo që fashizmi gjerman nënkuptonte me ‘populli’ nuk përfshinte Hebrenjtë dhe ‘të padëshirueshmit’ e tjerë. Ata premtuan të krijonin një ‘bashkësi të popullit’ (Volksgemeinschaft) e cila duhej të kapërcente ndasitë e vendit. Fashistët premtuan gjithashtu të luftonin Depresionin dhe  e ballafaqoi aktivizmin e vet për llogari të mirëqenies së popullit me politikën e heshtur të kursimeve që ndiqej nga qeveria dhe socialistët. Në zgjedhjet e vitit 1932, këto premtime për të mbrojtur popullin gjerman ndihmuan nazistët të bëheshin partia më e madhe politike dhe njëra nga partitë me bazën më të gjerë socioekonomike.

Kur, në janar 1933, Hitleri i bë kancelar, nazistët lëvizjën me shpejtësi për krijimin e vendeve të punës dhe programeve të infrastrukturës. Ata zhvatën biznesin duhe e detyruar të pranojë punëtorë dhe dhanë kredi. Ekonomia e Gjermanisë u rrit dhe shifrat e papunësisë u përmirësuan në mënyrë dramatike: papunësia në Gjermani ra nga gati 6 milionë njerëz më 1933 në 2.4 milionë në fund të vitit 1934; nga viti 1938, Gjermania në thelb shijoi punësim të plotë. Nga fundi i viteve 1930, qeveria po kontrollonte vendimet mbi prodhimin ekonomik, investimet, pagat dhe çmimet. Shpenzimet publike u rritën në mënyrë spektakolare.

Gjermania naziste mbeti një vend kapitalist. Por ajo ndërmori gjithashtu ndërhyrje shtetërore në ekonomi në shkallë të paprecedentë për shoqëritë kapitaliste. Nazistët mbështetën gjithashtu një shtet të mirëqenies shoqërore në shkallë të gjerë (natyrisht, vetëm për gjermanët ‘etnikisht të pastër). Ky shtet përfshinte arsimin e lartë, mbështetje për familjen dhe fëmijët, pensione, sigurime shëndetësore si dhe një gamë të konsiderueshme opsionesh të mbështetur me fonde publike për dëfrim dhe pushime. Të gjitha sferat e jetës, përfshirë ekonominë, iu nënshtruan ‘interesit kombëtar’ (Gemeinnutz geht vor Eigennutz), dhe angazhimit fashist për barazi dhe shanse të barabarta shoqërore. Reforma radikale meritokratike zakonisht nuk imagjinohen si masa naziste, por, siç e deklaroi edhe vetë Hitleri në një rast, Rajhu i tretë ka ‘operuar në mënyrë që çdo individ i kualifikuar – pavarësisht origjinës – të arrijë në majë të asaj që mund të arrihet me kualifikimet, dinamizmin, punën dhe vendosmërinë e tij’.

Gjerësisht për këto arsye, deri më 1939, për shumicën e gjermanëve eksperienca me regjimin nazist ka gjasa ka qenë pozitive. Nazistët në dukje patën mposhtur Depresionin dhe patën rikthyer stabilitetin ekonomik dhe politik. Për sa kohë ata mund të provonin ‘pastërtinë’ e tyre etnike dhe qëndronin larg shfaqjes së hapur të mungesës së besnikërisë, gjermanët e përjetonin Nacional Socializmin jo aq shumë si tirani apo terror, por si një regjim reformash shoqërore.

Nuk ka dyshime mbi faktin se dhuna dhe racizmi qenë damarët kryesorë të fashizmit. Por për shumicën e italianëve, gjermanëve dhe fashistëve të tjerë Europianë, joshta bazohej jo te racizmi, e aq më pak te spastrimi etnik, por te aftësia e fashizmit për t’iu përgjigjur në mënyrë efikase krizave të kapitalizmit në një kohë kur aktorët e tjerë politikë nuk e bënin. Fashistët këmbëngulnin se shtetet mundet dhe duhet ta kontrollojnë kapitalizmin dhe se shteti mundet dhe duhet të promovojë mirëqenien shoqërore dhe se bashkësitë kombëtare duhet të kultivohen. Zgjidhja fashiste në fund, natyrisht rezultoi më e keqe se sa vetë problemi. Në përgjigje të tmerreve të fashizmit, Demokratët e Marrëveshjes së Re (New Deal) në Shtetet e Bashkuara dhe partitë socialdemokrate në Europë, filluan të mendojnë për rinegocimin e kontratës shoqërore. Ata i premtuan qytetarëve se ata mund ta kontrollojnë kapitalizmin dhe ofruan politika të mbrojtjes shoqërore si dhe masa të tjera që fuqizuan solidaritetin kombëtar – por këto masa nuk u shoqëruan me humbje në liri dhe demokraci, gjë që qe tipike për fashizmin.

Leksionet për ditët tona janë të qarta: ti nuk mund të mposhtësh diçka duke mos bërë asgjë. Nëse aktorët e tjerë politikë nuk shfaqen me zgjidhje bindëse për problemet e kapitalizmit, joshja e popullit nga krahu i djathtë do të vijojë. Dhe pastaj analogjia me fashizmin dhe kolapsin e demokracisë në periudhën mes dy luftërave botërore mund të rezultojë edhe më relevante sot.

Marrë nga aeon.co

Aeon counter – do not remove