Lajm9 Jul 2020

Numri i madh i HEC-eve rrezikon qindra specie peshqish në Mesdhe

Organizatat ndërkombëtare në mbrojtje të mjedisit ngritën alarmin për rrezikimin e specieve të peshqve dhe të faunës së pasur ujore të rajonit mesdhetar si pasojë e shtimit të HEC-eve, duke bërë thirrje për pezullimin e ngritjes së mëtejshme të tyre në lumenjtë që derdhen në detin Mesdhe.

Autor: Nensi Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Nese zgjerimi i hidrocentraleve nuk do te ndaloje, rreth 186 specie te peshqeve ne Mesdhe rrezikojne te zhduken. Foto_Amel Emric

Një studim i kryer prej organizatave mjedisore EuroNatur, RiverWatch, Wetlands International Europe, GEOTA dhe WWF Adria mbi mbrojtjen e natyrës, theksoi rrezikun që i kanoset habitateve ujore dhe 251 specieve të peshqve prej ngritjes së numrit të madh të hidrocentraleve në rajonin e Mesdheut.

Aktivistët mjedisorë nëpërmjet këtij studimi bënë thirrje për ndërgjegjësimin e shteteve dhe të personave përgjegjës në lidhje me dëmet e pakthyeshme që shkakton ndërtimi i këtyre HEC-eve.

“Rajoni i Mesdheut është një zonë biodiversiteti, por lumenjtë dhe ligatinat po vuajnë pasojat e hidrocentraleve të shumta. Më shumë se 6300 HEC-e janë të planifikuara, 5269 janë aktuale në gjëndje pune, dhe 202 të tjera në proces ndërtimi. Kërcënimi më i madh vjen nga HEC-et e vogla. Ndërkohë nga HEC-et ekzistuese rreth 163 specie peshqish rrezikojnë të zhduken”, shkruajnë ekspertët në deklaratën për shtyp të fushatës “Shpëtoni Zemrën Blu të Europës”

Shqipëria, si shtet në rajonin mesdhetar, gjithashtu po vuan të njëjtin fenomen në lumenjtë e saj prej veriut ne jug. Në vendin tonë kosto mjedisore dhe sociale e HEC-e të vogla nuk barazpeshohet nga përfitimet e planeve të zhvillimit.

Një tjetër studim i kryer prej organizatave lokale Eco Albania dhe WWF Adria i cili analizoi kostot e këtyre hidrocentraleve  të vogla në Shqipëri provoi se ato nuk vlejnë mjaftueshëm për sakrifikimin e pasurisë ujore dhe mjedisore shqiptare.

“Hidrocentralet janë shkaku kryesor për Listat e Kuqe tejet të gjata të peshqve”, theksoi dr. Jörg Freyhof, autor i studimit mbi dëmet e HEC-eve dhe ekspert i peshqve.

“Nga perspektiva e ruajtjes së specieve, është e detyrueshme që zgjerimi i mëtejshëm i HEC-eve, e sidomos atyre të vegjël, të ndalojë. Lumenjtë me rrjedhë të lirë duhet të mbrohen, dhe ata që janë dëmtuar duhen të rikthehen në gjendjen e tyre natyrale”, vijoi dr.Freyhof, duke theksuar se kjo nuk vlen vetëm për zonën e Mesdheut, por për të gjitha rrjedhat e ujit në Europë.

“Nëse zgjerimi i hidrocentraleve nuk ndërpritet, atëherë Bashkimi Europian të harrojë synimet  e vendosura mbi biovirsitetin në Marrëveshjen e Gjelbër. Nuk ka kuptim që Strategjia e Biodiversitetit të përcaktojë restaurimin e 25 mijë kilometrave lumë, nëse njëkohësisht mijëra kilometra do të mbushen me diga dhe hidrocentrale”, tha z.Ulrich Eichelmann, CEO i Riverwatch.

Studimi i ekspertëve ndërkombëtarë konfirmoi edhe gjetjet e organizatave mjedisore në Shqipëri, ku rezulton se nëse projektet e hidrocentraleve mund të sjellin përfitimet afatshkurtra dhe afatmesme, në terma afatgjatë ato kanë tendencë të shkaktojnë dëme e kosto ekonomike, mjedisore dhe sociale të papranueshme. Këto kosto nuk barazpeshohen kurrsesi nga përfitimet ekonomike të ngritjes së HEC-ve.

“Kërkesat tona kryesore janë të qarta: jo më mbështetje financiare për hidrocentralet, e mbi të gjitha të ndalen HEC-et e vogla. Ky studim është një evidencë për potencialin shkatërrues të hidrocentraleve – një formë e prodhimit të energjisë që prej kohësh është kategorizuar si e gjelbër”, përfundoi Gabriel Schwaderer, drejtor ekzekutiv i fondacionit EuroNatur.