Nxënësit e shkollave në të gjithë Ballkanin do t’i bashkohen qindra mijëra të rinjve të premten duke marrë pjesë në një protestë globale kundër ndryshimeve klimaterike, si pjesë e lëvizjes “Fridays for the Future”.
Nxënës nga Shqipëria, Bosnja, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Sllovenia do të marrin pjesë në protestat “Fridays for Future” të premten, duke iu bashkuar shokëve të tyre nga pothuajse 100 vende dhe 1500 qytete që do të marrin pjesë në këtë lëvizje globale.
Qëllimi i tyre është të dërgojnë një mesazh të qartë dhe paqësor rreth nevojës për drejtësi klimaterike, duke u bërë thirrje të gjitha vendeve të veprojnë tani për ndryshime klimatike.
Lëvizja filloi në gusht të vitit të kaluar kur nxënësja 15-vjeçare suedeze Greta Thunberg vendosi të lërë mësimin çdo të premten dhe të ulej para ndërtesës së parlamentit suedez derisa qeveria e vendit skandinave të reduktojë emetimet e karbonit në përputhje me Marrëveshjen e Parisit.
Që atëherë, ajo është bërë një fenomen global i cili ka galvanizuar qindra mijëra nxënës dhe studentë kudo në botë që të dalin në rrugë.
“Situata me të cilën po përballemi sot është unike. Ne jemi brezi i fundit që ka një mundësi reale për të parandaluar një katastrofë klimatike,” shkruhej në një deklaratë për shtyp të “Fridays for Future”.
Rajoni i Ballkanit gjithashtu po përjeton simptomat e një klime në ndryshim dhe përkeqësim përsa i përket ndotjes. Në janar, kryeqyteti i Serbisë, Beogradi, u radhit si vendi me cilësinë më të keqe të ajrit në botë, me kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkupin, që renditej midis dhjetë vendeve të para.
Bosnja dhe Bullgaria janë mësuar me mjegullat e trasha ose smogun që mbush qytetet e tyre dhe mbulon ndërtesat historike.
Ivo Bosilkov, një nga organizatorët e tubimit në Shkup, tha për BIRN se njerëzit në rajon duhet të zgjohen.
“Bashkimi me këtë lëvizje ishte mënyra ime për të ndihmuar përhapjen e këtij mesazhi në Ballkan, në të cilin ndërgjegjësimi për ndikimin e ndryshimeve klimatike është i ulët, duke qenë se mjedisi ynë është në një gjendje katastrofike”, tha ai.
Duke u përpjekur të fitonte përkrahje për lëvizjen, ai u trondit nga përgjigja negative që mori nga mësuesit dhe drejtorët e shkollave të qytetit. Megjithatë, ai pret që disa qindra nxënës e studentë të bashkohen me të në Shkup.
Valeria Kostova, një organizatore nga Bullgaria, tha se ankthi në rritje për mjedisin që na rrethon e nxiti atë ta sillte lëvizjen në Sofje.
“Doja t’i bëja njerëzit në Bullgari pak më të vetëdijshëm për problemin më të ngutshëm me të cilin po përballemi dhe shpresojmë t’i japim fund dezinformimit dhe të tërheqim vëmendjen tek një temë që ka vërtet nevojë për të,” tha ajo për BIRN.
Kostova pret që rreth 50 vetë të bashkohen me të në një protestë, por tha se ajo ishte “e hapur për surpriza”.
Diana Negoita, një organizatore rumune që filloi të protestonte më 8 mars në kryeqytetin e Bukureshtit, thotë se ajo është kontaktuar nga studentë dhe organizata të tjera që kërkojnë të përfshihen në këtë.
“Shumë njerëz janë në dijeni të kësaj teme dhe duan të bëjnë diçka, por është e vështirë të ndahesh nga mentaliteti me të cilin je mësuar. Megjithatë, tani është çasti i duhur,” tha ajo për BIRN.
“Rumania nuk do të jetë një nga të paktët në fund. Ne do të jemi një ndër të shumtët,” përfundoi ajo, me optimizëm.