Opinion25 Jun 2019

Ofendimet janë një realitet i përditshëm për gazetaret e Bosnjës

Gazetaria në Bosnje dhe Hercegovinë nuk është tamam “një botë burrash”, por megjithatë është shumë më e vështirë për koleget e tyre femra, për të cilat ofendimet, diskriminimi dhe komentet negative janë diçka rutinë.

Autor: Elvira M. Jukic BIRN Sarajevë
Printo

Foto ilustruese Pixabay.

Shumë gazetare femra në Bosnje dhe Hercegovinë kanë hequr dorë prej kohësh së u ankuari se tallen, për ta flitet negativisht apo se iu nënshtrohen komenteve për pamjen, prejardhjen dhe jetën personale.

Pse? Për shkak të mungesës së penaliteteve apo reagimeve ndaj këtij realiteti të ashpër për gratë që e marrin seriozisht punën e tyre në gazetari.

Pavarësisht kësaj, gazetaret femra përbëjnë një pjesë të madhe të stafit në shumë redaksive në vend dhe shpesh veprojnë si mbrojtëse të të drejtave të njeriut të grupeve të margjinalizuara të cilët nuk janë në gjendje të luftojnë për veten e tyre.

Gratë në gazetari në Bosnje dhe Hercegovinë përballen me kërcënime, ngacmime në punë, seksizëm dhe forma të ndryshme kërcënimesh dhe sulmesh në bazë ditore. Disa mendojnë se kërcënimet dhe fyerjet janë pjesë e punës së tyre të përditshme, tregojnë raportet.

Ndërkohë, në tre vitet e fundit Shoqata e Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës regjistroi 50 kërcënime dhe sulme ndaj gazetareve femra në vend. Mund të supozohet gjithashtu se numri i vërtetë i sulmeve dhe kërcënimeve është shumë më i lartë, pasi shumë raste nuk raportohen.

Duke qenë edhe vetë gazetare, kam hasur disa nga këto probleme, nga nënvlerësimi tek ofendimi haptazi. Përgjigjja ime ndaj sfidës së parë ishte të punoja fort dhe ndaj të dytës, të vazhdoja me çdo lajm të caktuar.

Siç jam e sigurt se u ka ndodhur edhe shumë prej kolegeve të mia, më kanë pyetur shpesh se kush “ka hedhur ndonjë fjalë për mua” – duke sugjeruar se ndonjë kontakt apo i afërm me pushtet ka lobuar që puna ime të merret seriozisht.

Shumë gazetare femra në Bosnje dhe Hercegovinë kanë pasur përvoja më të këqija, duke filluar që nga vënia nën shënjestër për shkak të gjinisë së tyre, thjesht se bëjnë si duhet punën e tyre dhe deri tek mohimi i të drejtave të tyre themelore të punës kur ato janë më të cënueshme.

Kur Selma Ucanbarlic, e cila punon me Qendrën për Raportim Investigativ, CIN, botoi një histori rreth marrëveshjeve të diskutueshme midis një spitali publik dhe një klinike private, ajo u sulmua në një fushatë të pistë sociale nga doktori që kishte në pronësi qendrën mjekësore.

Dr. Emir Talireviç publikoi një sërë postimesh dhe komentesh në internet në vitin 2016, duke e quajtur atë një grua “të pahijshme” dhe një gazetare të paarsimuar dhe joprofesionale, dhe duke vënë në dyshim aftësitë dhe reputacionin e saj. Ai pretendoi se CIN financohej nga dhurime dhe se gazetarët dhe koleget e saj prostituonin.

Ndërsa Ucanbarliç e bëri mirë punën e saj, duke i dhënë dr. Talireviç hapësirë të mjaftueshme për komentet dhe reagimet e tij, ai përdori mjete të ulëta për “të mbrojtur” veten në një përpjekje për të krijuar një variant se viktima ishte ai. Për fat të mirë, Ucanbarliç punon për CIN, një organizatë e fortë, e cila jo vetëm që e paditi dr. Talireviç për fyerjet e tij në gjykatë, por gjithashtu e fitoi çështjen.

Sado që u inkurajova shumë nga kjo, akoma mendoj për të gjitha gazetaret e tjera femra që punojnë diku tjetër nëpër redaksitë ku nuk marrin mbështetje të tillë dhe ku vija për të përcaktuar atë që është sjellje e papërshtatshme është shumë më e dobët.

Falë një kulture të rrënjosur thellë për dëmtimin e pozicionit të grave në shoqëri në përgjithësi, shumë nga koleget e mia do të preferonin të kapërdinin disa ofendime sesa t’i bënin ato publike – duke llogaritur edhe rrezikun e humbjes së vendit të punës, të mosrespektimit nga kolegët apo edhe të turpërimit të familjeve të tyre.

Duke punuar me një sërë artikujsh në Mediacentar në Sarajevë për pozitën profesionale të gazetareve femra në vitin 2018, u përfshiva akoma më shumë në këtë çështje.

Elvira Jukic. Foto: BIRN.

Edhe pse i kisha premtuar vetes se asgjë nuk mund të më habiste më në këtë vend, u trondita kur mësova se kur bëmë një lajm për një “sekret publik” – ajo gazetarja që ngel shtatzënë ose humbet punën ose nuk merr mbështetje përsa i takon kujdesit shëndetësor dhe lejes së paguar – ne duhet ta bazonim historinë tonë në burime anonime. Të gjitha donin që identitetet e tyre të mbroheshin. Nuk do të flisnin, nëse publikoheshin emrat e tyre.

Disa prej atyre reporterëve që folën hapur ishin të lumtura të raportonin për shkeljet e të drejtave të njeriut të grupeve të margjinalizuara dhe disa prej tyre ishin kritike ndaj politikanëve. Por kishte ende një stigmë rreth luftës për të drejtat e tyre në redaksi.

Analiza tregon se një në pesë gazetare femra në Bosnje dhe Hercegovinë është ndierë e diskriminuar në punë vetëm se është femër. Shumica e tyre nuk e raportuan këtë. Ato shpesh diskriminohen nga burrat, të cilët, sipas statistikave, zënë të paktën dy të tretat e pozitave drejtuese në mediat në vend.

Përveç kësaj forme diskriminimit, tema serioze politike dhe investigime për korrupsion dhe krim të organizuar shpesh u jepen gazetarëve meshkuj, ndërkohë që shumë gra lihen të raportojnë çështje kulturore dhe çështje më pak të “komplikuara”.

Pavarësisht kësaj, ka ende zëra gazetaresh të forta në gazetarinë në Bosnjë dhe Hercegovinë – gra që kanë zbuluar histori të rëndësishme që në të kundërt s’do të mësoheshin kurrë – gra të reja, guximtare dhe të zgjuara që janë gati të punojnë fortë dhe të jetë këmbëngulëse.

Gazetaria në Bosnje dhe Hercegovinë nuk është tamam “një botë burrash”, por sigurisht që është një botë shumë më e vështirë për një grua.

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN. Copyright Project Syndicate. Jo për ripublikim.