Ndarja etnike e sistemit arsimor të Kosovës i ka rrënjët e thella, por veprimet e pasluftës së Kombeve të Bashkuara thjesht e përjetësuan situatën.
Kur UNMIK, misioni i udhëhequr nga OKB-ja, mori përsipër rindërtimin e institucioneve të Kosovës në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në qershor të vitit 1999, ai identifikoi një objektiv kyç në fushën e arsimit: të hidhte themelet e një sistemi gjithëpërfshirës dhe të integruar. Më e lehtë ta thuash sesa ta bësh.
Dy dekada më vonë, sistemi arsimor i Kosovës karakterizohet ende nga ndarja e institucionalizuar sesa nga integrimi. Multikulturalizmi, që shpesh përdoret nga komuniteti ndërkombëtar si një model pune për shoqëritë heterogjene, ka vërtetuar se është thjesht një eufemizëm për thellimin e ndarjes së institucionalizuar.
Kjo është veçanërisht e vërtetë në lidhje me arsimin në nivel universitar.
Që nga fundi i luftës së viteve 1998-1999, Universiteti i Prishtinës është degëzuar në dy struktura të ndara etnikisht: Universiteti i Prishtinës përkohësisht i zhvendosur në gjysmën kryesisht serbe të qytetit verior të Mitrovicës (UPKM / UMN) vazhdon të operojë sipas ligjeve serbe dhe me një kurrikul mësimore serbe, ndërsa Universiteti i Prishtinës në kryeqytetin e Kosovës vepron sipas ligjeve shtetërore të Kosovës dhe shpesh shërben si “kështjella” e narrativës kombëtare shqiptare.
Të dyja strukturat pretendojnë pronësi mbi të njëjtat ndërtesa dhe prona, por asnjëra nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të akomoduar “tjetrën”. Dhe komuniteti ndërkombëtar ka qenë bashkëpunëtor për këtë.
Rrënjët e thella të ndarjes
Ndarja aktuale – jo e ligjshme – e serbëve dhe shqiptarëve në nivelin e arsimit të lartë ka rrënjë të thella historike.
Nën Jugosllavinë dhe parimet e saj qeverisëse të socializmit, “vëllazërisë dhe unitetit” dhe decentralizimit, shqiptarët dhe serbët kishin të njëjtat ndërtesa arsimore, por në shumë mënyra pjesëmarrja ishte e pabarabartë.
Serbo-kroatishtja ishte gjuha kryesore e mësimdhënies në arsimin e lartë të paktën deri në vitin 1968. Krijimi i Universitetit të Prishtinës, i kërkuar prej shumë kohësh nga shqiptarët, i dha gjuhës dhe kulturës shqipe barazi me atë serbe deri në atë masë saqë universiteti ofroi mësim në të dyja gjuhët.
Kjo barazi e fituar me forcë u ndryshua me ardhjen në pushtet të ish-liderit serb Sllobodan Millosheviç. Fusha e arsimit ishte vendi ku ai nisi betejën e tij për serbizimin e Kosovës.
Revokimi i autonomisë së Kosovës në fund të viteve ’80 dëmtoi çdo perspektivë integrimi.
Në atë kohë, serbo-kroatishtja u bë një lëndë e detyrueshme në shkollat e mesme dhe një kurrikulë e re mësimore serbe u fut në të gjitha shkollat kosovare, duke përfshirë Universitetin e Prishtinës.
Rrjedhimisht, shumë kompetenca të arsimit të lartë u transferuan në Beograd.
Në këtë proces, 6,000 mësues dhe profesorë shqiptarë etnikë humbën vendin e punës, shpesh duke refuzuar të heqin dorë nga kurrikula mësimore në shqip dhe të nënshkruanin një betim besnikërie ndaj autoriteteve serbe.
Siç kujton Dukagjin Pupovci, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës në Prishtinë, KEC,: “Në vitet 1990, ne shqiptarët u privuam nga çdo gjë që lidhej me normalitetin. Ne u përjashtuam nga Universiteti në vitin 1991. Në fakt, në fund të viteve ’80, nuk kishim më një sistem të unifikuar arsimor. Në atë kohë, akademikët serbë donin të kishin këshilla të veçanta akademike, sepse donin t’i merrnin vetë vendimet.”
Shqiptarët u përgjigjën me krijimin e sistemit arsimor “paralel”.
Shkollimi nëntokësor
Fillimisht i menduar si një masë e përkohshme, sistemi zgjati gati një dekadë, deri në fund të konfliktit në 1999.
I financuar kryesisht nga diaspora shqiptare dhe i bazuar në shtëpi private, ky sistem arsimor “nëntokësor” kishte një buxhet vjetor prej rreth 45 milionë dollarë.
Të paktën 267,000 shqiptarë të Kosovës morën pjesë në shkolla paralele. Tekstet shkollore u bazuan në kurrikulën mësimore të para vitit 1989 në gjuhën shqipe. Diplomat, të cilat përmbanin një vulë të “Republikës së Kosovës” kryesisht nuk njiheshin jashtë Kosovës.
Megjithatë, sistemi u bë mjeti kryesor i rezistencës së shqiptarëve të Kosovës, ndërkohë që thelloi më tej ndarjet me serbët. Sipas fjalëve të ish-ministres së Kosovës për bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja me Serbinë, Edita Tahiri, “Serbia u përpoq të impononte nëpërmjet ardimit okupimin e Kosovës dhe ne refuzuam. Në këtë kuadër, prindërit dhe ne si udhëheqës të lëvizjes për pavarësi krijuan një sistem arsimor nëntokësor. Për ne, ai ishte një institucion shtetëror.”
Lufta dhe vakumi institucional që pasoi thjesht e përjetësuan këtë ndarje. Siç vë në dukje Pupovci, “Në korrik 1999 serbët u shpërngulën nga Prishtina, shumë prej tyre u detyruan të largoheshin nga qyteti dhe ata e zhvendosën institucionin e tyre në pjesën veriore të Mitrovicës. Sot ata ende e quajnë atë Universiteti i Prishtinës i zhvendosur përkohësisht në Mitrovicë.”
Fillimisht, pati përpjekje për të gjetur një zgjidhje. Sipas fjalëve të Pupovcit, i cili ishte zëvendës dekan i Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave të Natyrës nga viti 1996 deri në vitin 2000 dhe koordinator për rindërtimin e Universitetit të Prishtinës pas luftës: “Ne, vendasit dhe ndërkombëtarët, po shikonim ndërtesat për të parë nëse mund të kishte një zgjidhje që serbët të ktheheshin dhe punuam nën të njëjtën çati. Megjithatë, krijimi i një sistemi të vetëm unik arsimor ishte shumë më i lehtë për t’u thënë sesa për t’u bërë.”
Njohja e ndarjes
Komuniteti ndërkombëtar, nën lidershipin e UNMIK-ut, u zhvendos shpejt drejt një qasje më pragmatike dhe më të butë, duke njohur sesa duke e ndryshuar ndarjen ekzistuese.
“Ishte shumë e vështirë të kishim një sistem arsimor të unifikuar,” tha eksperti i arsimit Xhavit Rexhaj. “Mendoj se Serbia nuk do ta kishte lejuar këtë dhe as kosovarët nuk ishin shumë të hapur për këtë. Më vonë mund të ishte bërë diçka. Por rreth vitit 2002,2003, 2004, 2005, UNMIK-u nuk la zyrtarët më të mirë këtu. Këta njerëz ishin shumë të lumtur për të shërbyer si ndërmjetës, për të fituar pagat e tyre midis dy sistemeve të ndara. Ata nuk u lodhën shumë për t’i bashkuar të dy këto sisteme.”
Me kontributin e komunitetit ndërkombëtar, sistemi paralel universitar nuk u zhduk, por u stabilizua dhe u konsolidua. Ligji i shpallur nga UNMIK-u i vitit 2003 mbi arsimin e lartë kontribuoi në formalizimin e krijimit të një universiteti të veçantë për serbët në veri të Mitrovicës, gjë e cila fillimisht u parashikua thjesht si një masë e përkohshme sigurie.
Shqiptarët e panë këtë lëvizje si hapje kanalesh të reja që Serbia të përpiqej të pengonte përpjekjet e integrimit.
“Mbaj mend që Michael Steiner, PSSP i atëhershëm (Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së) shkoi në Beograd dhe arriti një marrëveshje mbi të drejtat e veçanta të Serbisë për të ndërhyrë në çështjet kosovare, veçanërisht në veri të Kosovës, dhe që përfshinte sigurisht edhe arsimin,” tha Xhavit Rexhaj. “UPKM ishte një marrëveshje e UNMIK-ut dhe kosovarët nuk mund të bënin asgjë për këtë.”
Ish-zv/rektori i Universitetit të Prishtinës, Arsim Bajrami tha se universiteti “ishte i përgatitur të pranonte studentët serbë për të studiuar bashkë me kolegët e tyre shqiptarë. Por Beogradi, me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, e pengoi këtë plan.”
Tahiri tha gjithashtu se UNMIK-u e kishte komprometuar neutralitetin e tij.
“Ai në një farë mënyre – ndoshta jo o vetëm dhe pas skenave politike që ne nuk i shikonim – lejoi Serbinë të ndërhynte në Kosovë dhe të krijonte sisteme paralele në shumë fusha, duke përfshirë arsimin,” tha Tahiri.
“Për më tepër, UNMIK-u deri në vitin 2001 as nuk e pranonte që ekzistonin struktura paralele serbe dhe që ato funksiononin. Kur në vitin 2003, OSBE-ja publikoi një raport mbi strukturat paralele, UNMIK-ut i mbeti vetëm të pranonte ekzistencën e këtij krimi,” shtoi ai.
Për të tjerët, UNMIK-u nuk mund të fajësohet për problemin e ndarjes.
Sigurisht, ai kishte vetëm hapësirë të kufizuar për të manovruar brenda ndarjeve të thella që ekzistonin.
Siç vë në dukje Pupovci, “as shqiptarët dhe as serbët nuk ishin të interesuar të gjenin një gjuhë të përbashkët që të vazhdonin të kishin një universitet të vetëm dhe unë e kuptoj plotësisht këtë. Në vitet 1990, ne ishim të privuar nga çdo gjë që lidhej me normalitetin.”
Megjithatë, zgjedhja e komunitetit ndërkombëtar për të legalizuar sistemet arsimore të ndara për të mbrojtur “multikulturalizmin” dështoi gjithashtu në mënyrë të mjerueshme në lehtësimin e integrimit në një shoqëri post-konflikt kaq shumë të ndarë etnikisht.
Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.